Tetovë, neglizhenca e institucioneve do të nxit aktivistët dhe shoqatat civile të aktivizohen për ajër dhe ambient të pastër

Viti i ri 2023 filloi me problem të vjetër për Tetovën dhe jo vetëm, shifrat e ndotjes së ajrit tejkaluan parkun e alarmimit që në ditët e para. Mesatarja e regjistruar e grimcave PM10 nga 1 janari deri me 7 janar është 133.45 μg/m3, gjë që e tejkalon sasinë e lejuar. Vlera mesatare ditore e PM10 nuk mund të kalojë 50 mikrogramë për metër kub dhe jo më shumë se 35 herë në vit. Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet lokale dhe qendrore për të zgjidhur këtë problem, organizatat ekologjike të Tetovës alarmojnë për problemin, shkruan Portalb.mk.

Tetova dhe jo vetëm, vite me radhë gjendet në krye të listave botërore ndër qytetet me ajrin më të ndotur. Situata e njëjtë përsëritet çdo dimër. Këto ditë në Tetovë kishte edhe mjegull të dendur, e cila paraqet rrezik shtesë për njerëzit për shkak të pranisë së grimcave PM10.

Për Portalb.mk në bisedë qytetarët shprehen se ajri ditëve të fundit ka ndikim të keq te to, si problem me mushkëritë, dhembje koke, kollitje, problem me hundët dhe të tjera.

Shifrat e ndotjes alarmante

Vetëm nga data 1 janar deri me 7 janar, mesatarja e nivelit të grimcave PM 10 ishte 133.45 μg/m3. Edhe atë:

  • 1 janar: 154.42 μg/m3,
  • 2 janar- 144.47μg/m3,
  • 3 janar- 160.94 μg/m3,
  • 4 janar- 143.06 μg/m3,
  • 5 janar- 109.77 μg/m3,
  • 6 janar- 101.49 μg/m3
  • 7 janar- 120.01 μg/m3.

Sipas standardeve botërore shëndetësore, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.

Raportet mujore të sistemit shtetëror të monitorimit automatik të cilësisë së ajrit të ambientit për Tetovën treguan se në vitin 2022 ka pasur 108 ditë me ajër të ndotur, përkatësisht tejkalim të vlerës kufitare të lejuar të grimcave PM10 prej 50 mikrogramë për metër kub. Në vitin 2021, ka pasur 132 ditë me ajër të ndotur. Në vitin 2020, 138 ditë kanë qenë me ajër të ndotur në Tetovë. Banorët e Tetovës janë përballur më së shumti me ajër të ndotur në vitin 2015, duke pasur parasysh se prania e lartë e grimcave të dëmshme PM10 ka pasur edhe në 350 nga 365 ditë.

Në infografikun e përgatitur nga Portalb.mk mund të shihet niveli i grimcave PM 10, gjatë javës së parë të 2023, gjatë tërë vitit 2022 si dhe mesatarja vjetore për vitet nga 2004 deri 2022.

Inografik: Portalb.mk

Organizatat mjedisore: E njëjta këngë edhe këtë dimër

Nga organizata civile “Nëna dhe Fëmija” duke përmendur burimet e ndotjes së ajrit, thonë se kjo bëhet ende më e rrezikshme gjatë sezonit të dimrit kur në temperature të ulëta bëhet dhe inversion atmosferik e cila mban në ajër të gjitha materiet e rrezikshme, me pasoja të dëmshme për organizmin e njeriut. Sipas tyre, Qeveria dhe komunat mbesin në nivelin e diskutimit për burimet/shkaqet, pasojat që të konkludojnë se duhen masa afatgjate e të përfundojnë vetëm me rekomandime qesharake.

“Pas gjithë këtyre viteve ndotje të vazhdueshme të gjithë jemi të bindur se institucionet në RMV kanë dështuar në luftën kundër ajrit të ndotur, sidomos tani edhe me rritjen e krizës energjetike e cila na solli edhe krizën ekonomike. Jo që nuk ka zgjidhje po se nuk ka vullnet dhe angazhim të mjaftueshëm institucional, se interes personal tejkalojnë interesin kolektiv”, thonë nga “Nëna dhe Fëmija”.

Nga atje thonë se problemi është shumë serioz por qasja është shumë amatore sidomos në Komunën e Tetovës e cila e ka për obligim që çdo vjet të përpiloj planin operativ për uljen e ndotjes se ajrit ambiental në Komunën e Tetovës që njihet si një ndër komunat me ajër shumë të ndotur në vend dhe më gjerë.

“Ky plan operativ paraqitet para Këshillit të komunës për tu aprovuar që pastaj të hy në fuqi dhe të aplikohet. Plani operativ i kalon të gjitha procedurat ligjore por fatkeqësisht pa peshë përmbajtsore dhe pa asnjë rezultat konkret në teren. Skandaloze është fakti se në Planin Operativ në vitin 2022 ende figuronte Jugohromi si ndotës kryesorë në Pollog. E njëjta situate është edhe me Planin Akcional Lokal Ekologjik që çdo komunë e ka për obligim ta përpiloj çdo 5 vite. Që të kemi pasqyrë më të qartë të problemit të ajrit të ndotur në Tetovë duhet të cekim se numrat e telefonit për paraqitje të ndotësve janë jofunksional edhe pse disa here është marr iniciativa për vënien në funksion të tyre, numri i inspektorëve komunal është i pamjaftueshëm dhe bashkëpunimi me OJQ-të është 0. Mungojnë makineri për larje të rrugëve dhe trafiku është kaotik”, shtuan nga “Nëna dhe Fëmija”.

Nga ana tjetër, nga organizata mjedisore “Eco Guerila” shprehen se me ardhjen e muajve të dimrit ndodh edhe inversioni i ajrit, domethënë ndryshimi i presionit të ajrit në atmosferë. Prandaj edhe rritja e nivelit të ndotjes është e paevitueshme në fushëgropën e Pollogut.

“Tetova ka pasur nivel ndotjeje më të lartë ditëve të fundit. Faktorët janë të shumtë, për dallim nga e kaluara kur faktori kryesor ishte industria dhe niveli i ndotjes ishte 5-6 fish më i lartë, sot vazhdojnë të mbetet problem mënyra e ngrohjes, trafiku i dendur, ndërtimet dhe mbindërtimet e pakontrolluara, etj. Edhe pse mesatarja e ndotjes së PM 10 për vitin 2022 rezultoi të jetë me 47, përsëri duhet të merren masa që gjatë dimrit mos tejkalohet niveli i lejuar”, theksuan nga “Eco Guerila”.

Nga “Nëna dhe Fëmija” nuk përjashtojnë mundësinë e organizimit të protestave për ajër siç edhe ka pasur para disa viteve, të cilat rezultuan me mbylljen e fabrikës “Jugohrom” e cila ishte një ndër ndotësit kryesorë në të kaluarën.

“Po, patjetër që duhet reaguar të gjithë qytetarët që helmohen. Sidomos neglizhenca permanente nga ana e institucioneve na bën që ne aktivistët dhe shoqatat civile të aktivizohemi përsëri për të kërkuar të drejtën tonë elementare, ajër dhe ambient të pastër për fëmijët tanë”, përfunduan nga “Nëna dhe Fëmija”.

Mjegull dhe ajër i ndotur në Tetovë, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

ISHP alarmoi për pasoja shëndetësore nga ndotja e ajrit

Për shkak të ndotjes së ajrit në vend, Instituti i Shëndetit Publik a publikoi disa rekomandime për popullatën e Maqedonisë së Veriut. Ky institucion rekomandon të:

  • Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë.
  • Qëndroni në shtëpi ose zvogëloni sforcimin fizik, sidomos jashtë dhe sidomos nëse keni simptoma të tilla si kollë ose dhimbje të fytit.
  • Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik.
  • Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi.
  • Njerëzit me astmë mund të kenë nevojë të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre. Nëse duhet të dilni jashtë, vëndoni maska ​​me efikasitet të provuar.
  • Personat me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin.
  • Shmangni qëndrimin dhe aktivitetet në natyrë (sporte, rekreacion).
  • Gjatë qëndrimit jashtë mbani maska mbrojtëse me efikasitet të dëshmuar.
  • Mos i hapni dritaret në shtëpinë tuaj.
  • Përdorni një pastrues ajri pa jonizator (për personat veçanërisht të ndjeshëm me astmë, sëmundje kronike – sëmundje të frymëmarrjes ose të qarkullimit të gjakut dhe fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna).

Institucionet kompetente s’kanë bërë mjaftueshëm

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) në një deklaratë për Portalb.mk njoftoi se mbetet e përcaktuar në drejtimin dhe politikat e përgjithshme për përballimin e ndotjes së ajrit si: veprimi në burimin e ndotjes, avancimi i rregullores ligjore që lehtëson ndërhyrjen, masat në rast të tejkalimit të vlerave kufitare të substancave ndotëse dhe forcimi i kontrolleve inspektuese. Përgjegjësinë e hedhin edhe te komunat për cilësinë e ajrit.

“Komuna dhe shërbimet komunale inspektuese kanë kompetenca specifike në lidhje me cilësinë e ajrit, në përputhje me Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit dhe Planin për përmirësimin e cilësisë së ajrit të Komunës së Tetovës, i cili është hartuar me mbështetjen e Ministrisë Mjedisit”, thonë nga kjo Ministri duke apeluar që të respektohen masat e vendosura nga Qeveria dhe rregulloret ligjore.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske për këtë problem.

Ndërkaq, vetëm në seancën e fundit të këshillit komunal u miratua programi i aktiviteteve nga sfera e mbrojtjes së ambientit jetësor dhe natyrës në Komunën e Tetovës për vitin 2023.

Tetovë

Kujtojmë që, shoqëria civile alarmoi, apeloi dhe propozoi masa konkrete para fillimit të sezonit të dimrit që institucionet të ndërmarrin veprime e jo të apelojnë, por situate në terren e thotë të kundërtën.

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se gjatë këtij viti vendi duhet të përshpejtojë përpjekjet për reduktimin e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar. Pavarësisht progresit të bërë, cilësia e ajrit mbetet një shqetësim kryesor në qytetet e mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button