Fillon Shkolla e katërt për liderë të rinj e presidentit Ivanov

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot do të flasë gjatë hapjes solemne të Shkollës së katërt me radhë për liderë të rinj në Ohër, që me nismë të tij, do të mbahet deri më 31 gusht.

Në hapje është paraparë të flasin edhe ish-presidenti i Çekisë, Vacllav Havel, kryetari i Akademisë botërore të shkencave dhe të arteve, Ivo Shllaus dhe dr. Zoran Ilievski, docent në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup.

Në ditën e parë të Shkollës, ligjërata do të mbajnë ish-presidenti çek Kllaus dhe ambasadori kinez në Maqedoni, Cui Zhivei.

Shkolla për liderë të rinj mbahet çdo vit me nismë të presidentit Ivanov dhe është themeluar kur ai e mori funksionin e kryetarit të Republikës së Maqedonisë. Deri më tani janë organizuar tre trajnime intensive për lidership – në vitet 2010, 2011 dhe 2012.

Ideja e shefit të shtetit është që t’u mundësohet të rinjve të talentuar dhe ambiciozë nga Maqedonia t’i avancojnë dhe t’i përsosin shkathtësitë e tyre, ta zhvillojnë kreativitetin e tyre dhe aftësitë menaxhuese.

Programi i Shkollës përfshin ligjërata dhe trajnime në sferat e lidershipit dhe të menaxhmentit nga ana e ligjëruesve eminent dhe mysafirëve nga institucione të larta arsimore dhe profesionale, menaxhment-simulime dhe stërvitje praktike. Këtë vit në Shkollë marrin pjesë 30 ligjërues të cilët do t’ua bartin përvojat dhe pikëpamjet e veta për lidershipin mbi 40 pjesëmarrësve në trajnim.

Në mesin e ligjëruesve janë Donald Dejv Meredit, senator kanadez, Tafshir M. Aval, drejtor i grupacionit Multimod nga Bangladeshi, Aleksandër Sevinji, drejtor i studimeve postdipomike për menaxhment komunikues në McMaster-Syracuse dhe McMaster University në Kanada, Boris Porkoviç, zëvendës kryetar i Institutit për hulumtime të shteteve të vogla evropiane nga Monako, Donald Stil, drejtor i kompanisë britanike “Xhonson Asoshiejted” dhe ish-zëdhënës kryesor mediatik i BBC-së dhe Dragan Stefanoviq, oficer i pensionuar në Armatën e SHBA-ve dhe profesor i studimeve të magjistraturës në programin për administratë publike në “Apalaçian”, Universiteti shtetëror në Karolinën veriore. Ndër ligjëruesit janë edhe individë të shquar dhe liderë të suksesshëm në kompani dhe institucione arsimore nga Maqedonia, Spanja, Zelanda e Re, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Izraeli dhe vende të tjera. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button