Zhduket me të dashurin dhe kërcënon burrin: Më jep 1 mijë euro që të kthehem

“Unë dua të kthehem sërish tek ty, por më parë me jep 1 mijë euro”. Ky ka qenë mesazhi i parë që një 30-vjeçar ka marrë nga bashkëshortja e tij, disa muaj pasi ajo e kishte braktisur për të jetuar me të dashurin. Pasi nuk mori asnjë përgjigje nga burri i saj, 26-vjeçarja Aleksandra Shëpi së bashku me të dashurin e saj Kosta Ago, 38 vjeç, i kanë nisur atij një mori mesazhesh kërcënuese me qëllim që t’i merrnin paratë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Cangonj të Devollit, në Korçë, kur e reja, e cila kishte një lidhje jashtëmartesore, braktisi gjashtë muaj më parë bashkëshortin dhe foshnjën e saj për të jetuar në një tjetër fshat, me të dashurin 38-vjeçar. Pas largimit, e reja i telefonoi burrit për t’i komunikuar vendimin e saj.

”Nuk kthehem më pasi kam gjetur lumturinë me dikë tjetër. Kujdesu për fëmijën, po ta lë ty” mësohet t’i ketë thënë e reja burrit të saj, një ditë pasi e braktisi. Për muaj të tërë ajo nuk u bë e gjallë, ndërsa 30-vjeçari e kaloi braktisjen e të shoqes në heshtje. Ai nuk u paraqit në Gjykatë për të kërkuar divorcin madje as në polici për të denoncuar bashkëshorten për braktisjen e foshnjës. Megjithëse braktisi familjen e saj Aleksandra nuk është mjaftuar me kaq, por ka thurur një plan së bashku me të dashurin e saj për t’i marrë paratë bashkëshortit. Gjashtë muaj pasi kishte shkëputur çdo lidhje me të, pikërisht më 27 janar, 26-vjeçarja i dërgoi një mesazh në telefon me anë të të cilit i kërkoi 1 mijë euro në këmbim të kthimit të saj në shtëpi.

“Nuk doja që ajo të kthehej më në shtëpi pas turpit që bëri dhe nuk reagova. Mesazhit të saj nuk i ktheva asnjë përgjigje, por një ditë më vonë ajo më dërgoi sërish mesazhe. Kësaj here mësazhet ishin me përmbajtje kërcënuese dhe fyese. Nuk durova dot dhe vendosa ta denoncoj’- u shpreh 30-vjeçari në polici, dy ditë më parë. Burime nga policia thanë se ai nuk e kishte marrë në konsideratë kërkesën e parë të gruas për t’i dërguar 1 mijë euro, por ajo nisi ta kërcënonte ndaj dhe e denoncoi. Pas regjistrimit të denoncimit policia u vu në lëvizje duke bërë të mundur arrestimin e 26-vjeçares dhe të dashurit të saj Kosta Ago. “Ka qenë e qartë se Shëpi nuk do të kthehej më me bashkëshortin e saj, por e shantazhonte që ai t’i jepte para me qëllim që ajo të jetonte me të dashurin. Policia dyshon se plani është kryer nga e reja dhe i dashuri i saj ndaj dhe dje u krye arrestimi i të dyve” thanë për “Shekullin” burimet nga policia.

“Më datë 1 shkurt 2015, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Aleksandra Shëpi, 26 vjeçe, banuese në fshatin Cangonj dhe Kosta Ago, 38 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll. Arrestimi i tyre u bë pasi nëpërmjet sms-ve në telefon, nga data 27 janar e në vazhdim, kanë kërcënuar bashkëshortin e shtetases Aleksandra Shëpi, shtetasin P. Shëpi, duke i kërkuar një shumë prej 1 mijë euro, në këmbim të kthimit të Aleksandrës në banesë, prej të cilës ishte larguar me dëshirë, për të bashkëjetuar me shtetasin Kosta Ago” thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar dje nga Policia e Korçës./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button