Pse i thanë “Stop” muzikës disa artistë shqiptarë…
Do ta inkurajoja çdo këngëtar që e ka këngën dashuri të zemrës….. I kisha thënë se fillimi është gjithmonë i vështirë dhe ai që nuk dorëzohet e fiton betejën, e jo vetëm në muzikë, por në të gjitha sferat e jetës”.
Të kesh talent, pasion dhe vullnet gjithmonë arrihet dhe ngrihesh edhe atëherë kur rrëzohesh. Por edhe në art jo të gjithë janë të fortë për tu ngritur, ndërsa mund të jetë një arsye e madhe si ajo e besimin ndaj një feje të caktuar dhe bindja e tyre për të mos u rikthyer kurrë më në profesionin e këngës. Do të donim të kujtonim disa nga artistët të cilët na mungojnë shumë me hitet e tyre si solistin e grupin të famshëm TNT, Ferki Shala, një tjetër producent i suksesshëm i shumë hiteve shqiptare si Enis Presheva, apo edhe vajza me një stil dhe talent si Monika Saliu e shumë e shumë të tjerë që sot i shohim në një drejtim tjetër, por jo në skenë. Por në të vërtetë çfarë mendojnë profesionistët e muzikës, ata të cilët shkruajnë dhe krijojnë ka vite dhe vite muzikë për të gjithë artistët shqiptarë, pse e lënë në mes këtë rrugë sipas tyre, dhe cili është inkurajimi që këta kompozitorë jua japin atyre të cilët i drejtohen atyre për ta braktisur karrierën muzikore. Mos vallë po ndikon edhe prurja e madhe e artistëve dhe konkurrenca e fortë sot në tregun muzikor?. Me kënaqësi për “Bota sot” përgjigjen disa nga kompozitorët dhe tekstshkruesit më aktualë në tregun shqiptar.
Nexhat Mujovi – Virusi-Elita 5
“Sipas mendimit tim numri i këngëtarëve nuk është një nga faktorët kryesor, sepse secili në vete ngërthen kualitetin, edukatën dhe sjelljen si një artist por ndikojnë shumë faktorë të tjerë të natyrës sociale, ekonomike etj. Edhe unë personalisht kam pasur presion, momente krize në fushën e muzikës, por kam qenë i vendosur, po ashtu kam pasur besim tek vetja dhe kam qenë rezistues. Ps. Vetëm hipokritët dështojnë.
Ilir Berani
“Do ta inkurajoja çdo këngëtar që e ka këngën dashuri të zemrës. Nëse ka hyrë në muzikë për t’i përcjellë brengat e shpirtit, nëse ka punuar shumë, nëse ka sakrifikuar kënaqësitë ditore për të punuar në progresin profesional – nuk do t’i lejoja kurrë të zhgënjehej. Do ti tregoja për ngritjet dhe rrëzimet e artistëve të mëdhenj. Por nëse ka hy në muzikë vetëm për para do të më bëhet qejfi që të largohet sa më parë. Konkurrenca duhet të inspirojë e jo të zhgënjejë. Arti i do më të mirët e jo të “vetmit”.
Arsim Bunjaku
“Ka shumë këngëtarë të cilët i kanë të lansuara disa këngë, dhe e ndërpresin angazhimin e tyre në muzikë duke i lënë kështu ëndrrat në mes. Është mëkat i madh ti shohësh se si zhgënjehen dhe thyhen, pasi që presin shumë dhe mendojnë se rruga drejt suksesit është më e lehtë. Tregu tek ne ta imponon ndonjëherë zhanrin dhe stilin muzikor, dhe është e kuptueshme që këta këngëtarë kanë talent, por jo për atë lloj zhanri që e dikton tregu muzikor tek ne. Dhe kështu të gjitha shpresat shuhen në fillim, dhe është e pamundur të vazhdojnë tutje. Si arsye tjetër e ndërprerjes se angazhimeve muzikore është edhe baza materiale, e cila tek ne dihet se si qëndron, dhe në pamundësi që shpenzimet e këngëve ti marrin produksionet muzikore, ata mbesin të vetëm në rrugën e vet, duke bërë kështu që shumë shumica prej tyre të merren me gjëra të tjera për të cilat nuk kanë asnjë pasion. Mendoj se në këtë mes humb shumë edhe muzika e mirëfilltë shqipe dhe vlerat e saj. Promovimi i vlerave do të mbetet gjithmonë një sfidë ne vete për të gjithë ata që tentojnë të hyjnë në botën e muzikës. Kurse sa i përket asaj që nëse kishte ardhur dikush tek unë dhe më kishte thënë se për këto arsye është në gjendje ta ndërpres muzikën, jam i bindur që nuk do ta lejoja, dhe me sa kam mundësi isha munduar që t’i gjindemi pranë. I kisha thënë se fillimi është gjithmonë i vështirë dhe ai që nuk dorëzohet e fiton betejën, e jo vetëm në muzikë por në të gjitha sferat e jetës”.
Don Arbas: Un mendoj se nëse ke pasur karrierë të bujshme nuk ja vlen ta lësh për 1 ose 2 dështime, sepse gjithmonë s’mund të jesh në ‘top’ por gjithsesi lypet punë dhe përkushtim i madh si dhe strategji menagjeriale dhe gjithmonë duke lansuar material melodioz për publikun shqiptar. Nëse vjen dikush dhe thotë dua ta lë muzikën, i them mos e le se “Arbasound” ka shërim për çdo këngëtar dhe kam rikthyer shumë këngëtar në skenë dhe që s’kanë ditur ta mbajnë famën nuk është problem i imi, sepse po mashtrohen nga shumë producentë të ri që po japin këngë falas, e dihet është një fjalë popullore “çorba e lir ti sos buzët”./ Botasot/