Ja si e shiste Serbia në Angli argjendin e plaçkitur të Kosovës (dokument)

Në vitin 1996 u gjet një dokument ku blloqe argjendi të Kosovës nga Trepça, me pastërti 999 promilë me vlerën kushtuese 436.716,20 dollarë Serbia i shiste në Angli. Këtë të vërtetë me faksimile të dokumentit, e kishte publikuar gazetari Faruk Tasholli në gazetën “Bota sot“ në Zürich të datës 11 tetor 1996.
Dokumenti i shitjes, përmes telefaksit, i kishte rënë në dorë bashkatdhetarit Bahtir Avdiu, i cili aso kohe në Mitrovicë kishte një zyrë private, e cila shërbente si agjenci udhëtimesh për Gjermani. Kompetentëve serbë të kohës, gabimisht iu kishte rrëshqitur faksi dhe kishte rënë në duar të shqiptarëve.

Më 19.02. 1996 përmes firmës “Jugometal“ të Beogradit, nga minierat e Trepçës i shiten Anglisë 2.503,820 kilogramë argjend, pranuese e të cilit është firma angleze “Metachem INT.LTD“ me adresën 27 Southamont Stret, London ëC 2E 7 JA. E gjithë kjo sasi argjendi në blloka me pastërti 999 promilë ka vlerën kushtuese 436.716,20 dollarë amerikanë. Kjo sasi e argjendit, përmes aeroportit të Beogradit me numrin e kontrollit 619, liferohet përmes Zvicrës për në firmën britanike, ka shkruar Tasholli.

Të gjitha këto të dhëna vërtetohen përmes faturës dhe fletëpagesave si dokumentacion përcjellës i mallit, i cili dokumentacion, sikur rastësisht ka „rrëshqitur“ në telefaksin e një firme shqiptare në Mitrovicë. Ky ishte vetëm një rast. Por, sa kohë i kishte duart e lira Serbia që ta shiste argjendin, por edhe arin e Kosovës. Tash kur u aktualizua çështja e pronësimit të Trepçës, përkatësisht shndërrimi i saj në ndërmarrje publike të Kosovës, reagimi i shtetit serb ishte shumë i ashpër. Në një mënyrë qeveria e Serbisë e tha fjalën e saj të fundit se gjithë trazirat disavitëshe në veriun e Kosovës, nuk u bënë për asgjë tjetër, por që Trepça t’i shkëputet Kosovës.

Në këtë mënyrë Serbia, tash së fundi, tërthorazi po kërkon eksteritorilizëm ekonomik, pas atij kishtar që në një mënyrë veç e ka realizuar, shkruan publicisti dhe shkrimtari Faruk Tasholli.

(Në foto është botimi i faksimileve ne gazetën „Bota sot“ më 11 tetor 1996)

Lajme të ngjashme

Back to top button