Shqiptarët me matës inteligjentë, ja si do ta paguajnë energjinë

Brenda 4 viteve, një pjesë e shqiptarëve do të parapaguajnë energjinë elektrike nëpërmjet matësave të rinj që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të futë në sistemin e ri matës. Kjo është një iniciativë e qeverisë shqiptare e cila pret të eliminojë humbjet si në rrjet, si edhe të bëjë një faturim të energjisë në masën 100 për qind. Burime nga OSHEE-ja, thanë për gazetën “Shekulli” se ende nuk ka detaje të plota për këtë projekt, pasi ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk ka nxjerrë ende faturën që do të shoqërojë këtë projekt. Megjithatë sigurojnë se brenda 4 viteve, një pjesë e shqiptarëve, do të jenë pjesë e projektit pilot do të jenë përfitues të matësave smart (inteligjentë). Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se qeveria, së bashku me kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë do të nisin një projekt, i cili parashikon pajisjen me matës inteligjentë për të gjithë abonentët familjarë apo biznese brenda një periudhe 5-vjeçare.

Përfituesit

Si fillim përfitues do të jenë konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike, bizneset si dhe ata që janë të lidhur me rrjetin 35 kolivolt, pra që janë linja të dedikuara. Ndërkohë që premtimi qeveritar është jo vetëm për ta, por edhe për konsumatorët e thjeshtë familjarë. Blerja e energjisë me parapagim nuk është një formë e re. Një pjesë e vendeve në botë kanë kohë që praktikojnë matësat inteligjentë. Shqiptarët e njohin parapagimin nëpërmjet kartave rimbushëse të telefonisë celulare. E njëjta praktikë pune do të ndiqet edhe me parapagimin e energjisë. Çdo konsumator mund të menaxhojë atë që parapaguan, pa qenë i detyruar të paguajë fatura mujore. Pritet që nga ministria e Energjisë brenda një viti të përgatitet vlerësimi ekonomik i të gjithë projektit, kostot dhe përfitimet e tij dhe po kështu të hartojë planin pesëvjeçar të zbatimit.

Si do të jenë matësat?

Matësat inteligjentë do të kenë opsionin e blerjes së energjisë me parapagesë, çka shmang problemin e mospagesës së energjisë. Po kështu këta matësa transmetojnë të dhëna në kohë reale te kompania e shpërndarjes dhe marrin komandë nga qendra. Kjo i krijon mundësinë OSHEE-së të kryejë stakime individuale të energjisë duke shmangur ndërprerjet kolektive. Nga ana tjetër, përmes instalimit të këtyre matësave, Qeveria thotë se do të ketë mundësi të zbatojë Kartën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e cila garanton ndriçim për të gjithë individët. Me instalimin e këtyre matësave, të gjithë abonentët debitorë që nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë do të furnizohen me të vetëm sa për ndriçim, por jo për qëllime të tjera.

Përse i nevojiten shqiptarëve matësat inteligjentë

Në një realitet si Shqipëria, ku fatura në letër ndryshon nga kilovatët e matur, dhe këta të fundit janë ndryshe nga kilovatët e shpenzuar, një sahat inteligjent do të mund t’ju jepte fund këtyre historive. Kjo pasi sipas teknologjisë më të fundit, sahatët inteligjent matin çdo kilovat të shpenzuar. Madje ata mund të matin për secilën orë, në rast se kompania që shpërndan energjinë vendos çmime të ndryshme për orare të ndryshme të ditës.

Fondet

Në të kaluarën është deklaruar se kostot e një projekti të tillë mund të arrijnë deri në 1 miliardë dollarë, megjithëse një shifër me e saktë do të merret pasi Ministria e Energjisë të përfundojë vlerësimin ekonomik. Gjithsesi, paraprakisht qeveria thotë se burimet e financimit mund të sigurohen nga kredia e Bankës Botërore; hua nga donatore të tjerë dhe rritja e performancës së kompanisë. Nga një përllogaritje, sipas çmimeve të tregut për matësat inteligjentë që kushtojnë 2.5-5.8 dollarë, vlera e blerjes së tyre varion nga 2,75 milionë dollarë deri në 6,38 milionë. Ndërkohë këto janë vlera për një blerje me çmim pakice. Ndërsa për të blerë 1.1 milionë matësa inteligjentë, me çmim shumice, sigurisht që vlera do të jetë edhe më e ulët. Nuk bëhet e ditur zyrtarisht, nëse konsumatorit do t’i blejnë këto matësa apo do të shkëmbehen me sahatët e vjetër që ata zotërojnë. Sipas burimeve është ende herët për të folur për të.

Premtimi kryeministror

“Ne do ta fillojmë që këtë vit, por deri në fazën e implementimit ne do të bëhemi vendi i parë i Europës që do të kemi instaluar 1.1 milionë matës inteligjentë. Vendi i parë i Europës, jo se jemi të parët, por se në Gjermani nuk i ndërron njeri sahatet se nuk i shkon njeriu mendja të vjedhë dhe sahati gjerman nuk “vrapon” kur gjermani ka ikur me pushime. Këto janë shpikje të teknologjisë për shoqëri dhe për vende si ne. Ne do t’i vëmë ato të gjitha në dispozicion të konsumatorëve. Sigurisht do të kemi një sistem shpërndarjeje inteligjent, që është në gjendje të kontrollojë në mënyrë të centralizuar, në kohë reale, 1.1 milionë burime shpërndarjeje dhe që merr sinjal nga çdo burim shpërndarje në momentin kur burimi goditet apo në momentin kur kalon masa e parapaguar, ose për një arsye tjetër, dhe që lëviz flukset e shpërndarjes së energjisë sipas nevojës./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button