Berisha, ministrave të Ramës: Jeni njerëz që s’dini as të lexoni

Kryeministri Sali Berisha në ditët e fundit në mbajtjen e kësaj detyre ka zgjedhur të japë “leksione” për ushtrimin e këtij posti nga pasardhësi i tij.

Duke folur për uljen e kreditimit të biznesit, Berisha e justifikoi këtë me deklaratat e papërgjegjshme – siç theksoi ai – të Kryeministrit të ardhshëm. Berisha tha se, sulmet e kreut të PS-së ndaj koncesioneve dhe biznesit në përgjithësi kanë trembur investimet, transmeton tribuna.

“S’kanë si marrin kredi kur nga mëngjesi deri në darkë sulmon biznesin dhe koncesionet. Një njeri që pas dy javësh apo kur i takon, do të ulet në këtë karrige vjen dhe sulmon nga mëngjesi deri në darkë koncesionet, aktet tregtare, transaksione, natyrisht biznesi thonë mos të hyjmë në borxh. Zoti na ruajt çdo të jetë ky njeri. Po nuk është normale. Asgjë nuk trembet më shumë se sa paraja, është e njohur ajo”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë.

Pak diversion

Kryeministri në largim vazhdojë më tej duke folur për “konfliktet” brenda PS-së dhe i kërkoi Ramës të jetë më i kujdesshëm në luftën politike.

“Ky ka marrë ka nxjerr shpatën, po merret me të vetët. Bregu mavi që u festua para dy vjetësh po na del bregu mavri tani. Dy vjet më parë festuar nga Velipoja në Ksamil tani na del se është fatkeqësia e bregut. Kjo është lule në krahasim me ato që do të dalë shumë shpejt. Ndaj dhe i bëj thirrje të jetë i kujdesshëm luftën politike me kundërshtarin ta bëjë si të dojë, por luftën politike të mos e shtrijë në fushën e biznesit, se biznesi është vende pune është të ardhura, pa të cilin makineria e shtetit paralizohet”, u shpreh ai.

Për financat

Më tej, Berisha sulmoi ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani që në qeverinë e re pritet të mbajë postin e Ministrit të Financave.

“U çon mesazhe punonjësve të bankës ku e keni makinerinë që pret para për qeverinë. Ai ka një ish-guvernator në ekip, por koha e tij duket se është kur ishte zv.kryeministër i Partisë së Punës së Shqipërisë se atëherë duket priteshin paratë me urdhër të partisë. Dhe tani kërkon makinën që pret paratë për qeverinë. Makina që pret para për qeverinë or zotëri janë disiplina e administratës, mbledhja e të ardhurave në dogana në tatime dhe në shitje këto janë burimet. Janë gjëja më transparente që ekziston. Sa rrinë kërkon poshtë e përpjetë makinë ku priten paratë më mirë të mësojë burimet ligjore të krijimit të të ardhurave. Injoranca nuk është asnjëherë argument”, tha Kryeministri në largim.

Për qeverinë e re

Në fund Berisha dha edhe porosinë e fundit për anëtarët e Këshillit të Ministrave. Ai u kërkoi ministrave që të dorëzojnë në mënyrë korrekte detyrën duke thënë se për pasardhësit e tyre duhet lënë dosja e projekteve që nuk janë finalizuar ende.

“Kërkoj që pasardhësve tuaj t’u lini në tavolinë listën e të gjitha projekteve në vazhdim. Mos harroni se në këtë karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet dhe thonë pastaj nuk gjetëm dosje, prandaj ju do merrni një kopje me vete të dosjes dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse. Por, kjo do bëhet ne kemi detyre ndaj qytetarëve. Ata i kanë votuar dhe ne i respektojmë. Po të duan t’u venë vizë, kryq çfarë të duan por kjo është puna jonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button