ZDF: Harmonia mahnitëse ndërfetare shqiptare (Video)

Televizioni publik gjerman, ZDF është mahnitur nga harmonia ndërfetare që ekziston në mesin e shqiptarëve, aty ku myslimanët ndërtojnë vende faljeje për bashkëqytetarët katolik dhe ku këta të fundit festojnë festat fetare myslimane së bashku me myslimanët shqiptarë, transmeton Indeksonline.

‘Popullata mbi 3 milionëshe shqiptare është 10 % katolike, 20 % ortodokse dhe shumica prej 60 % janë myslimanë. Por (në Shqipëri) mezi gjen ndonjë grua që bart shami myslimane, ndërsa përpjekjet për radikalizëm dështojnë gjithmonë. Vendi gjithmonë ka qenë me fe të ndryshme, por asnjëherë i ndarë nga fetë”, raporton kanali i dytë i televizionit publik gjerman.

Kronika gjithashtu kujton edhe lajmin që në një fshat të vogël të Shqipërisë, i përbërë kryesisht nga popullatë myslimane, këta të fundit iu kanë ndërtuar shqiptarëve katolikë një kishë të vogël që të kenë mundësi të falen, transmeton Indeksonline.

‘Myslimanët festojnë me ne të krishterët pashkët dhe krishtlindjet, ndërsa ne festojmë festat myslimane së bashku me ta. Ne gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira”, thotë Dave Gjini, banore e krishterë e këtij fshati shqiptar, raporton ZDF.

‘Kur njeriu e bën një shok këtu nuk pyet nëse është katolikë apo myslimanë. Ne jemi vëllezër dhe motra, të gjithë njëlloj”, i thotë televizionit gjerman, Erdi Gjini një djalosh shqiptar, banor i këtij fshati.

‘Erdi dhe miqtë e tij janë e ardhmja e një vendi që nuk njeh kurrfarë konflikti fetar. Shqipëria, ky vend i vogël, por përjashtim i madh në rajon”, e përfundon kronikën ZDF. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button