Shteti, për dikë nënë, për dikë njerkë!

Familja Murati vazhdon të endet shtëpive të të afërmve të tyre pasi që tani më dy muaj janë pa çati mbi kokë. Përderisa për disa familje që pësojnë fatkeqësi të ndryshme, shteti mund të reagojë me “shpejtësinë e dritës” për disa të tjera dukshëm që nuk shfaq ndonjë interesim. Ndryshe nga familja Murati, familja Arsovski menjëherë pas fatkeqësisë u vizitua nga Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, i cili u solli ndihma si dhe u premtoi ndërtimin e shtëpisë si dhe u siguroi atyre ndihmë sociale.

Për Portalb, e zonja e shtëpisë, Imrane Murati shprehet për Portalb, se janë në kushte të mjerueshme, pasi që me djegien e shtëpisë së tyre, i janë djegur edhe rrobat dhe gjithçka që ata kishin.

“Jemi në gjendje të mjerueshme, s’kemi rroba, s’kemi asgjë, të gjitha na u dogjën. Tani më po bëhet gati se dy muaj që kur jemi duke u endur nga shtëpia në shtëpi, një herë isha te motra tani te vëllai, nuk kemi ku tjetër të shkojmë, jemi pa çati mbi kokë. Sidomos tani që është shumë ftohtë, ndihemi shumë keq, iu kemi bë barrë njerëzve, iu kemi prishur rehatinë. Jemi nën mëshirën e Zotit”, tha për Portalb, Murati.

Ajo shtoi se disa kushërinj janë duke u ndihmuar, duke ju dhënë veshmbathje, por prapë shton se nuk mund të jetohet kështu.

“Na kanë ndihmuar disa kushërinj, na kanë dhënë veshmbathje e gjerat elementare, mirëpo kështu nuk jetohet. Nga komuna e Çairit ende nuk na kanë dhënë asgjë, asnjë ndihmë. Ne ende jemi në pritje pasi që kemi bërë kërkesën për ndihmë dhe na është thënë se do të na ndihmohet me aq mundësi sa kanë”, tha Murati.

Nga komuna e Çairit, Rami Qerimi kohë më parë tha se ankesa është marrë dhe se tani është bërë kërkesë që këshilli të shqyrtojë mundësinë për ndihmë.

“Kërkesa i është dorëzuar këshillit të Komunës dhe ata do të vendosin që sipas mundësive t’i ndihmohet këtyre familjeve të cilat kanë pësuar dëme të mëdha materiale”, tha për Portalb, Qerimi.

Sa i përket shtëpisë së djegur, Murati bën të ditur se kanë filluar të kërkojnë ndihmë për të filluar ndërtimin e saj.

“Ashkush nuk na ka vizituar, bashkëshorti im ka filluar të kërkojë ndihmë për ndërtimin e shtëpisë. Shpresojmë që ndokush do të tregohet human dhe do të na ndihmojë që së paku një dhomë ta ndërtojmë, një vend ku do ta fusim kokën ne së bashku me fëmijët”, tha Murati. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Fajet i ka shteti BDI, qe nuk ia ndin pèr Milet. Sa per shteti Vmro , ata punojne per te vetèt.

Back to top button