Ngecjet dhe arritjet shëndetësore më 2014

Shpërthimi më i keq i virusit vdekjeprurës Ebola, që nga shfaqja e tij gati katër dekada më parë, ka dominuar titujt e lajmeve në gjithë botën në vitin 2014.

Mbi 17,000 raste janë raportuar në tetë vende dhe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ato kanë rezultuar me më shumë se 6,000 të vdekur.

Tre vende në Afrikën Perëndimore kanë bartur barrën e sëmundjes: Gueina, Liberia dhe Siera Leone. Vetëm 34 raste dhe 15 vdekje janë raportuar jashtë tyre deri më datën 30 nëntor.

2014-ta është shënuar edhe me sëmundje të tjera ngjitëse, që ndryshe nga Ebola, mund të parandalohen me vaksina.

Por, ky vit ka sjellë edhe disa lajme të mira në shëndetësi, përfshirë arritjet në trajtimin e Hepatitit C dhe përdorimin e materies fekale si trajtim i mundshëm për infeksionet bakteriale.

Më poshtë ju sjellim një vështrim mbi ngecjet dhe arritjet shëndetësore më 2014.

Ebola

Shpërthimi i Ebolës ka goditur Guinenë, Liberinë dhe Siera Leonen keq, sepse shërbimet shëndetësore në këto vende janë të stërngarkuara, thotë Nick Beeching, mjek dhe ligjërues në Shkollën e Liverpulit për Mjekësi Tropikale.

“Në vendet si Guinea, Liberia dhe Siera Leone, sistemet e tyre shëndetësore janë të stërngarkuara dhe po ashtu ka shumë frikë te popullsia lolale, që jo gjithmonë pëlqen të qëndrojë në karantinë”, thotë Beeching për Radion Evropa e Lirë.

Ebola përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit, për dallim nga viruset e tjera, si gripi i derrave dhe SARS, që përhapen përmes ajrit.

Transmetimi i Ebolës po ashtu mund të ndodhë duke ngrënë kafshë të egra të infektuara me virus ose me kontakt të drejtpërdrejtë me një sipërfaqe të infektuar. Por, edhe ritet fetare në trajtimin e trupave të vdekur kanë luajtur rol në shpërthimin e sivjetmë.

Varrosja e trupave të viktimave të Ebolës ka shkaktuar 20 për qind të infektimeve në vitin 2014, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Virusi mund të jetojë brenda trupit të vdekur dhe praktikat e varrosjes që përfshijnë prekjen ose larjen e kufomës së infektuar, mund të lehtësojnë transmetimin e tij.

Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë në fillim të dhjetorit se mbi 70 për qind e viktimave të Ebolës janë varrosur në mënyrë të sigurt.

Afrika e Jugut ka pësuar më shumë se çdo rajon tjetër nga shpërthimi i Ebolës, por përhapja e virusit ka shkaktuar frikë në gjithë botën.

Disa shtete amerikane kanë praktikuar politikat e izolimit të punëtorëve të shëndetësisë, të cilët kanë qenë në kontakt me pacientët e Ebolës. Por, një hap i tillë është kritikuar nga ekspertët e shëndetit publik.

Një “ngjarje e pazakonshme”

Sëmundje të tjera ngjitëse, për të cilat vaksinat kanë ekzistuar për kohë të gjatë, kanë prekur edhe vendet e zhvilluara, edhe ato në zhvillim gjatë vitit 2014.

Rastet e fruthit në SHBA kanë arritur nivelin më të lartë në 20 vjet, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Sipas saj, kjo rritje është pasojë e individëve të pavaksinuar, të cilët kanë sjellë virusin në SHBA dhe kanë infektuar të tjerë.

OBSH-ja ka thënë se përpjekjet për të eleminuar sëmundjen kanë ngecur për shkak të mungesës së përparimit në rritjen e vaksinimit.

Në muajin nëntor, kjo organizatë ka raportuar se numri i të vdekurve nga fruthi në mbarë botën është rritur në 145,700 në vitin 2013, nga 122,000 sa ka qenë në vitin paraprak.

Përhapja e poliomelitit më 2014 ka përbërë po ashtu një ngjarje të pazakontë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila ka regjistruar 306 raste – 260 nga të cilat në Pakistan. Virusi, i cili është i parandalueshëm përmes vaksinimit, mund të shkaktojë paralizë të përjetshme.

Zyrtarët pakistanezë e kanë lidhur rritjen e rasteve të poliomelitit me rastin e një mjeku pakistanez, i cili është akuzuar për përdorimin e një programi të rremë të vaksinimit të Hepatitit B, për të konfirmuar lokacionin e liderit të Al Kadiës, Osama bin Laden, i cili është vrarë në maj të vitit 2011 nga komandot e Shteteve të Bashkuara në Abotabad të Pakistanit.

Militantët talibanë në Pakistan kanë ndaluar vaksinimin dhe kanë sulmuar puëntorët për imunizim, duke thënë se ata veprojnë si spiunë për Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë ka thënë në muajin maj se CIA nuk do të përdorte programe të rreme vaksinimi si mbulesë për spiunazh.

Edhe Sindroma e Lindjes së Mesme të Rrugëve të Frymëmarrjes (MERS), një sëmundje pa kurë apo vaksinë që shkakton simptoma të ngjashme me pneumoninë, ka parë rritje në Arabinë Saudite në vitin 2014.

Sëmundja besohet se ka origjinën në deve dhe kontakti me këto kafshë është parë si faktor i rrezikshëm.

Megjithatë, disa viktima të MERS-it thuhet se nuk kanë pasur kontakt me deve.

Hemisfera perëndimore është goditur edhe nga shpërthimi i Etheve Chikungunya më 2014. OBSH-ja ka regjistruar mbi 776,000 raste të sëmundjes në Karaibe që nga shpërthimi fillestar i saj në ishullin francez të Shën Martinit, dhjetorin e kaluar.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se 152 njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje, e cila shkaktohet nga një virus i mushkonjave dhe zakonisht ndodh në Afrikë dhe Azi. Nuk ka ende vaksinë të njohur për të.

Trajtimet e reja

Dy barna të rinj kanë bërë përparim në trajtimin e Hepatit C, por me një kosto të konsiderueshme.

Sovaldi, i cili kushton 84,000 dollarë për trajtim të plotë, është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Medikamenteve e SHBA-së në dhjetor të vitit të kaluar. Një medikament i ngjashëm, Harvoni, është miratuar në tetor dhe kushton 94,500 dollarë në Shtetet e Bashkuara.

Çmimet kanë shkaktuar panik edhe te kompanitë private të sigurimeve, edhe tek ato publike, por barnat kanë më pak efekte shëndetësore, janë më efektive dhe mundësojnë cikël më të shkurtër të trajtimit sesa medikamentet e vjetra.

Në një tjetër zhvillim, një studim i kryer nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit ka treguar se 15 tableta të materies së ngrirë fekale, të marrë për dy ditë nga njeriu, shërojnë 14 deri në 20 pacientë që vuajnë nga Constridiumi, një bakter që shkakton diarre dhe mund të çojë në çrregullime të rënda të zorrëve.

Dieta me më pak karbohidrate, jo yndyra

Një studim i publikuar në muajin shkurt në revistën mjekësore “JAMA Internal Medicine” ka konstatuar se amerikanët që konsumojnë më shumë se 25 për qind të kalorive nga sheqeri, kanë tre herë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundjet e zemrës se ata që marrin më pak se 10 për qind të kalorive nga sheqeri.

Ndërkaq, një studim njëvjeçar i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA dhe i publikuar në muajin shtator, ka zubluar se dieta me më pak karbohidrate është më efektive për humbje të peshës dhe për zvogëlimin e rrezikut kardiovaskular sesa dieta me më pak yndyrë.

Në zhvillimet që lidhen me alkoolin, një raport i publikuar nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në muajin nëntor, ka gjetur se 90 për qind e atyre që pinë me qejf, nuk janë të varur nga alkooli./ REL

Lajme të ngjashme

Back to top button