Nikoliq: Përderisa unë jam president, nuk do ta njohim shtetin e Kosovës!

Presidenti i Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq, me rastin e festave të fundvitit ka zbuluar për mediat serbe shumë çka rreth karrierës së tij politike, të arriturat dhe dështimet e qeverisë serbe.
Gjithashtu, presidenti serb ka folur edhe planin e tij të paralajmëruar rreth statusit, sipas tij, përfundimtar të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të përshpejtohet dhe Serbia duhet të jetë gati për këtë. Si gati? Pra, Kuvendi sërish duhet të miratojë një program të masave, ndërsa unë nuk do të qëndroj larg. Jam i gatshëm për propozime, Qeveria është e gatshme të marrë pjesë në këtë plan të ri”, tha Nikoliq.

Nikoliq tha se platforma e re e shtetit serb për statusin përfundimtar Kosovën parasheh maksimumin e asaj që është e arritshme në ditët e sotme, por Serbia nuk duhet të kalojë “vijën e kuqe”.

“Platforma do të parashikojë maksimumin e arritshëm sot dhe do të përfaqësojë atë, që sipas së cilës, Serbia nuk do të ndahet plotësisht e kënaqur, por e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Unë e kam krijuar planin e parë në vitin 2012, por ai u refuzua, për shkak se qeveria kishte thënë haptas se ka gjëra që nuk mund të zbatohen. Unë nuk mund të sugjeroj diçka që Qeveria nuk mund të zbatoj”, ka thënë Nikoliq.

I pari i shtetit serb përsëriti edhe njëherë se për shkak të këtij plani nuk do të ketë edhe ndryshime kushtetuese, pasi që Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës përderisa ai është në postin e presidentit.

“Kjo nuk do të ndodhë, sepse vetëm njohja e pavarësisë së Kosovës kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, ndërsa ky akt nuk do të bëhet derisa unë jam president i Serbisë. Çdo gjë tjetër tashmë gjendet në Kushtetutën, e cila quhet autonomi substanciale dhe ne e respektojmë”, tha presidenti serb.

Nikoliq është i bindur se Serbisë do t’i kërkohet njohja e Kosovës në këmbim të hyrjes në Bashkimin Evropian.

“Unë nuk them asgjë të re, por vetëm e përsëris atë që ma the në fytyrë Johannes Hahn. Ju e dini se unë këtë e kam thënë edhe në konferencën për shtyp me përfaqësuesin evropian – se BE-ja do të kërkojë ta njohim Kosovën… Hahn nuk tha asgjë. Nuk reagoj aty, por nuk e tha asnjë fjalë as në ditët në vijim. Unë jam i bindur se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së brenda një muaji, nëse vendosë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, tha ndër tjerash Nikoliq.

Lajme të ngjashme

Back to top button