FLAKA

Bora që ra m’i kujtoi vitet e dikurshme, m’i kujtoi ato kohë që nuk e kishim këtë smog që e mbështjell qytetin duke e mbajtur jetën tonë në përqafim të hekurt, por kishim borë. Ishte ndryshe atëherë. Vërtetë kishte varfëri, por ky popull ishte i mbledhur e i bashkuar rreth fjalës së ngrohtë shqipe e rrinte larg lakmisë për pushtet. Ishim më pranë njëri-tjetrit. Sa më rrallë kalonin veturat pranë dritareve tona ku të qetë e shikonim visoren e paprekur nga dhuna e të ashtuquajturit industrializim dhe nuk dinim çfarë janë grindjet për kolltukë partiakë…

Po megjithatë nuk mund të them se këto gjëra ma nxitën ndonjë nostalgji të veçantë. Është njëfarë nostalgjie, por jo e veçantë ose do të kisha thënë aq e madhe sa më nxit nostalgji diçka tjetër. Bora u bë shkaktare e një shiriti të tërë filmi të kujtimeve. Një listë e gjatë kujtimesh. Ka shumë nga ato kujtime të cilat do të kisha dashur të fshihen nga kujtesa. Po ka nga ato që mbeten sepse ato kanë bërë jetën time shteg përpjekjesh, shteg lufte me humbje e me fitore. Është flaka që më mësoi se po të luftosh ndoshta do të humbësh, por po të mos luftosh me siguri je i humbur përgjithmonë.
Pak para se t’i mbaroj studimet erdha në “Flakë”. Në fillim “Flaka” më dukej e largët, e pakapshme, e paarritshme, zenit, Olimp, ku nuk ka vend për njerëzit e rëndomtë. Dhe, si pasojë më bëhej se jam në ndonjë ëndërr që u gjeta aty. Po në këso situatash gjithmonë është e pranishme një energji që të çon përpara të ecësh përpjetës. Ndërkaq në këtë energji vlojnë mendimet të cilat të ndihmojnë të dalësh nga ngushtica. Ato pastaj kthehen në ide, imazhe, pra bëhen suplemente, almise ndihmëse që ta shtrijnë dorën të ecësh përpara. Dhe, kur t’i shtohet kësaj ndihma që e mora nga kryeredaktori i atëhershëm, por edhe nga krijuesit letrarë që i kishte mbledhur kryeredaktori i atëhershëm, Lutfi Rusi të punonin në redaksi, i thashë vetes se ia vlen t’i përvesh krahët, i vetëdijshëm se duhet shumë punë.
Sepse unë tashmë isha në një institucion. Mirëpo “Flaka” ishte më shumë se një institucion të cilin mundte ta kontrollojë censura dhe syri policor. Ajo ishte institucion ku fjala mund të kontrollohej, por ishte edhe një kështjellë ku krijohej një traditë e fuqishme e shqipes së shkruar në Maqedoni. Ishte një kështjellë, që s’kishte qenë e mundur të frymonte në kohë të kralit, por që njerëzit e mirë e të guximshëm kishin mundur ta hapin në kohët e komunizmit. Përveç kësaj “Flaka” bashkë me revistat për fëmijë e “Jehonën”, u bë aleat me rininë intelektuale të kohës për arsyen e thjeshtë sepse ishte një katapult prej të cilit shpërndaheshin fjalët e shkruara shqipe në çdo qytet e në çdo fshat shqiptar.
“Flaka” u bë tempull që duhej ruajtur, siç e ruajtën serbët “Politikën” e tyre. “Flaka”, me të mirat e me të këqijat që ka pasur, megjithatë, ka qenë një ditar i madh i e i pazëvendësueshëm i popullit shqiptar i shkruar në gjuhën shqipe. Prandaj më duhet ta theksoj se “Flaka” zë vend të parë në listën e kujtimeve të mia si e veçantë, “Flaka” prin në nostalgjinë time. Dhe, këtë nostalgji timen dua ta kthej në protestë:
Pse e shkatërruan, pse s’e lanë të ruhet tradita e nisur e të shkruarit të shqipes në shtypin e këtushëm, menjëherë pas Luftës së dytë botërore! Dhe, të shtoj: kthejeni “Flakën”! Dhe, mbështeteni me mjete financiare, njësoj siç i mirëmbani me qindra përmendore me paratë e buxhetit ku kontribuojnë edhe taksapaguesit shqiptarë.
Duhej të ruhej ajo botë e “Flakës” (me revistat) e cila ka qenë një kështjellë me një dritare të madhe prej nga nxënësit shqiptarë, rinia intelektuale, mësuesit (se nëpunës shqiptarë thuajse nuk ka pasur) e shikonin atë që po ndodh rreth tyre, e merrnin informacionin në gjuhën shqipe, duhej të ruhej sepse “Flaka” ishte edhe shkollë në faqet e së cilës e provuan penën e tyre emra të rëndësishëm të letërsisë dhe të dijes shqiptare, ishte shkollë ku fëmijët e shijonin fjalën e shkruar shqipe, ishte, po ashtu edhe një derë prej nga të rinjtë hynin në botën e artit e të dijes.

Duhej të ruhej me çdo kusht “Flaka”.
Duhej të ruhej me para të buxhetit, ashtu siç ruhen sot gjithë ato përmendore gjithandej. Duhej të ruhej bashkë me dy katet e ndërtesës që ishin pronë të saj. Dhe, sot, krahas “Kohës” dhe shtypit tjetër do ta kishim edhe atë tempull gazetarie që e mbante vulën e nismës dhe të një tradite më shumë se gjysmëshekullore.

Por politika e papërvojë shqiptare e shkatërroi. E ndërpreu dhunshëm një traditë. Shkeli nëpër shenjtërinë e gjuhës së shkruar shqipe. Preku në ditarin popullor të shqiptarëve.
Tash te ndërtesa e dikurshme e “Flakës” fjala shqipe është e ndaluar. Aty nëpunësit e pushtetit i kanë vendosur kolltukët e tyre. Tash aty është një pamëni tjetër. E zymtë.
Tashmë nuk më kalohet andej pari. Nuk është më vend ku bisedohej për të ardhmen e gjuhës shqipe, por vend ku ushtrohet presion ndaj saj.
Më duhet t’u them pushtetarëve tonë se “Flaka” ka qenë përmendore jona, më duhet t’u them pushtetarëve tonë se kanë bërë gabim që e rrënuan. Se kanë bërë mëkat që s’falet lehtë.
Megjithatë shpresa për “Flakën” mbetet.

Në pushtet sërish janë të njëjtit ata partiashë që ia vunë kazmën e rrënimit në themele “Flakës”. Duke qenë tash në pushtet, ata e kanë një shans ta përmirësojnë gabimin dhe ta zbutin sado pak dëmin e madh që kanë bërë – ta kthejnë “Flakën”. Dhe, mos të nxirren me NATO-n BE-në e demokracinë, sepse “Flaka” nuk lidhet me asnjërën. “Flaka” është një çështje madhore kombëtare e shqiptarëve, siç janë UT-ja dhe UEJL-ja. “Flaka” është ditar kombëtar, siç janë edhe mediat tjera, përveç organeve partiake. Ajo duhet të jetë një e përditshme e lirë. Dhe, bashkë me të duhet të shkojmë në BE. Jo pa të e pa mediat tjera të lira.
Më mirë e kanë pushtetarët të ngrenë iniciativa të tilla se sa ta pranojnë ligje që synojnë rrënimin e arsimit superior shqiptar dhe ligje për stema e të tjera gjera që na mohojnë neve si qytetar të Maqedonisë me identitet shqiptar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button