Liderët e Serbisë ishin në dijeni për eksplozivin?

Eksperti i sigurisë Naim Maloku mendon se liderët politikë serbë, presidenti Tomislav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandër Vuçiç kanë qenë në dijeni të serbit që e kishte me vete eksplozivin.

Maloku ka sqaruar se aksioni që ka ndërmarrë serbi ka qenë i pamundur pa fjalën e liderëve të Serbisë.

“Në këtë rast kur kemi të bëjmë me një aksion jashtë territorit të Shtetit të Serbisë. Edhe pse Serbia e ka Kosovën ne Kushtetutën e saj ajo e din që këtu janë segmentet ndërkombëtare të sigurisë dhe gjyqësisë KFOR dhe EULEKS. Një aksion i tillë duhet patjetër me e marrë edhe pëlqimin politik të nivelit më të larte të shtetit. Pra për këtë aksion kanë qenë në dijeni patjetër Presidenti Nikoliq dhe Kryeministri Vuqiq. Shkalla e sekretit dhe caku i aksionit jashtë territorit të Serbisë nuk lejojnë që të jenë në dijeni nivele më të ulëta politike. Pra ky aksion nuk ka munde as të niset pa aprovimin politik të këtyre dy niveleve politike”, tha Maloku për Bota Sot.

Ai ka shtuar se ka disa faktorë se përse duhet besuar se liderët serbë qëndrojnë pas serbit të kapur me tritol.

“Eksplozivi C4 është eksploziv plastik me fuqi tejet të madhe shkatërruese. Që nga prodhimi e deri të përdorimi dhe asgjësimi i tij i nënshtrohet kontrollit strikt duke e përcjellë në çdo moment sasinë, numrin serik të prodhimit dhe vendndodhjen e tij. Pra nuk ka shanse që sasi sado e vogël e tij të përfundon në treg apo te njerëz të paautorizuar me autorizime të veçanta. Ky lloj eksplozivi ruhet strikt në depo të specializuara ushtarake dhe tërheqja e çfarëdo sasie të tij bëhet me të ashtuquajturin ” çelës i dyfishtë” urdhëri i strukturës komanduese të ushtrisë i cili kalon duke u verifikuar së paku në 4 nivele dhe urdhëri apo leja përcjellëse nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë. Të dy këto urdhëresa lëshohen në bazë të kërkesës për sasinë e nevojshme e cila në detalet më të vogla shtjellon arsyen e tërheqjes së tij, detyrën që duhet realizuar, vendin se ku do të përdoret, kohën dhe mënyrën e transportit si dhe personelin përgjegjës për tërë këtë”, thekson ai. /Botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button