Rrëfimi i 18-vjeçarit: Ikja nga Kosova, tmerr që nuk mund ta harroj

Eksodit të madh të kosovarëve që po largohen nga Kosova për në Evropë, i është bashkuar edhe nxënësi i Shkollës së Mesme të Bujqësisë, Bedri Ahmeti nga komuna e Gjilanit. 18-vjeçari vjen nga një familje e madhe fshatare, ku me bashkë me prindërit jetojnë edhe pesë vëllezërit e dy motrat e tij.

Kushtet e këqija ekonomike dhe një e ardhme pa perspektivë në Kosovë, e detyroi Bedriun të marrë këtë rrugë, të cilën ai thotë se nuk do ta përsëris sërish.

“Idenë për të ikë nga Kosova e kisha qysh moti, po pasi kisha parë në lajme se shumë njerëz po ikin dhe se rrugëtimi po kushton më lirë, atëherë më në fund vendosa”, rrëfen Bedriu.

Më kushëririn e tij, që ishte vetëm një vit më i moshuar se ai, nxorën biletën e autobusit nga Prishtina për në Beograd, për 16 euro.

“Të hënën jemi nisë në mbrëmje. Kemi qenë rreth 40 persona në autobus. Kishte edhe gra me fëmijë të vegjël. Kurrë nuk kam pa diçka ashtu. A e di ti sa guxim duhet me e marrë këtë rrugë një grua me fëmijën ende në gji, me i kalu ato rrugë, ato male…”, thotë Bedriu duke e tundur kokën.

Me të arritur në stacionin e autobusëve të Beogradit, Bedriu me kushëririn e tij dhe dy të tjerë nga qyteti i Klinës, me të cilët ishte njoftuar në autobus, filluan të kërkonin ndonjë taksi që të mund t’i dërgonte deri në Suboticë. Nuk kaloi shumë kohë para se taksistët që ishin në pritje të kosovarëve të paraqiten.

“Na lypi 250 euro për me na çu deri në qendër të Suboticës. Edhe pse na u doke pak shtrenjtë, s’kishim kohë me u shty në pazar, po kryesorja me shku në Suboticë”.

Prej qendrës së qytetit të famshëm për kosovarët, Suboticës, ata morën një taksi tjetër për ta gjetur hotelin “Aleksandro”, që sipas Bedriut, ishte destinacioni i pothuajse të gjithë kosovarëve që nisen në këtë mënyrë për në Evropë.

Ata kishin gjetur hotelin dhe u ishte paraqitur një serb, i cili fliste pak në gjuhën shqipe. U kishte kërkuar nga 100 euro për person për t’i afruar deri tek kufiri, por më pas ai i kishte lënë në një fushë, dhe ua kishte treguar vetëm rrugën përmes maleve përmes të cilës mund të kalonin në territorin e Hungarisë.

“Kur na la ai në fushë, prej atyhit kemi bo edhe njo 5-6 orë rrugë. Jon kon dikun 25-30 km, që i kemi ecë në këmbë, deri në momentin kur e pashë vdekjen me sy”, rrëfen Bedriu, zëri i të cilit edhe gjatë rrëfimit përçonte frikë.

Pasi kishin kaluar një pjesë të madhe të rrugës, kishin hasur në xhandarmërinë serbe, e cila iu kishte kërkuar të ndaleshin, mirëpo këta kishin vazhduar rrugën duke ikur.

“Ne kemi ikë, edhe pse ishim të lodhur shumë, pa gjumë, pa hangër, pa pi… Mirëpo, në momentin që ata kanë gjujtë me armë, jemi ndalë të gjithë për toke, edhe i kemi çu duart lart. Ani pse ata kanë gjujtë ka qielli, pleqtë kanë thanë: serbit nuk i nxihet besë”.

Kur policët kufitarë ishin afruar, njëri nga shokët e Bedriut i kishte ofruar para për të mos i goditur. Mirëpo, ai as që ia kishte vënë veshin dhe kishte filluar t’i godiste fuqishëm me shkop gome, derisa ata kishin humbur fuqinë e nuk kishin mundur të rrinin më në këmbët e tyre.

“Prej atyhit na kanë çu te vendi i tyre, ku ata qëndrojnë në mal. Na kanë zhveshë dhe na kanë plaçkitë të gjithëve, po mu nuk mujtën me mi gjet edhe 150 euro tjera të cilat i kom pas të fshehta, te një xhep i improvizuar në trenerka”, tregon Bedriu.

Nga aty ata kanë hipur në kombin e policisë dhe janë dërguar për në stacionin më të afërt policor, emrin e të cilit Bedriu nuk e mban mend. Atyre ua kishin lidhur duart për një shtylle betoni dhe ishin goditur me shishe të mbushura me ujë, në gjoks e shpinë, për të mos i lënë gjurmë të rrahjes.

Dhimbjet që Bedriu kishte ndier aty, thotë se nuk i kishte ndier kurrë, dhe se këtë mënyrë dhunimi nuk e kishte parë as në filma.

“Ato dhimbje dhe atë fytyrë të policit a gardianit, që me ka goditë, derisa te vdes nuk ka me i harru”, thotë Bedriu, i cili tentonte ta ilustronte burgun dhe mënyrën se si i kishin goditur atë dhe shokët e tij.

Bedriu kishte punuar gjatë gjithë verës në një qebaptore në Gjilan, dhe të gjitha paratë që i kishte kursyer, e që ishin rreth 600 euro, i kishte shpenzuar gjatë këtij rrugëtimi, përvojën e të cilit ai tashmë ka filluar t’ua tregojë moshatarëve të tij, duke tentuar t’i bindë për të mos e marrë këtë rrugë për në Evropë.

“Mos ja lejoni vetes të bini në dorë të serbëve, ata janë gjakpirësa”, i këshillonte Bedriu shokët e tij.

Ani pse qëndrimi i tij në burg kishte zgjatur vetëm një ditë, ai thotë se i ishte dukur si një muaj. Aty ai kishte parë njerëz nga shumë vende. Thotë se ka parë njerëz edhe nga Siria e Iraku, mjekërgjatë, të cilët flisnin në gjuhën arabe dhe kryenin ritet e tyre fetare.

“Unë i lus të gjithë ata që kanë vendosë ose janë duke e mendu largimin nga Kosova, mos ta bëjnë këtë, jo pse në Kosovë është mirë e s’kemi nevojë me ikë prej ktuhit, po nuk ia vlen. Nuk ia vlen që edhe 15 vjet pas luftës, me i leju serbët me na rrehë e me na plaçkitë. Ju lutna mos u nisni. Unë tash ka me fillu me lyp punë këtu në Kosovë dhe kam me u mundu me të gjitha forcat me ndërtu sa ma mirë jetën tem këtu, me policë shqiptarë, taksista shqiptarë, e kojshi shqiptarë”, e përfundon rrëfimin Bedriu. /Bisedën e zhvilloi: Taulant Osmani/Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button