“Skylife”: Shqipëria, e bukura e Ballkanit

Revista turke “Skylife”, një organ mediatik i kompanisë “Turkish Airlines”, në numrin e saj të dhjetorit ka bërë një prezantim të shkëlqyer të Shqipërisë turistike.

“Me natyrën e saj me një pafundësi nuancash të të gjelbrës, bregdetin e bukur, trashëgiminë kulturore dhe kuzhinën me shumë shije, për të mos përmendur mundësitë ekonomike; Shqipëria është një vend i vogël plot histori në brigjet e Adriatikut. Për një udhëtim relaksues, por edhe energjik, a do të dëshironit të shkonit në Shqipëri?” Kështu shkruan revista turke “Skylife” për natyrën e Shqipërisë.

Një mundësi e bukur për të gjithë të huajt për t’u prezantuar me Shqipërinë turistike, në këtë artikull, që revista turke “Skylife”, në numrin e dhjetorit, ka realizuar për Shqipërinë si një destinacion shumë interesant për t’u vizituar nga pushuesit nga e gjithë bota.

Prezantimi turistik i Shqipërisë gjatë vitit 2014 ka qenë prezent në disa media të huaja të shkruara dhe vizive. Kjo tregon se tashmë Shqipëria është futur në tregun botëror të turizmit.

Turizmi i stinës dimërore sapo ka trokitur dhe pritet që të ketë shumë vizitorë të huaj e vendas në destinacionet dimërore si Voskopoja, Dardha, Thethi, Brezovica, Valbona etj… Nga informacioni i marrë nga këto zona, shërbimet hotelerike dhe siguria janë në gatishmëri të plotë.

Vendi në lulëzim i Ballkanit

Shqipëria shtrihet në udhëkryqin e Evropës si rezultat i vendndodhjes së saj gjeostrategjike. Me një regjim tregtar tërësisht të liberalizuar dhe i hapur ndaj investimeve, ky vend është tërheqës për investitorët falë stimujve të taksave dhe përjashtimeve të ofruara në sektorë kyç.

Ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Genc Muçaj, sqaron se të gjithë sektorët janë të hapur për investimet e huaja, duke theksuar se Shqipëria është një vend shumë i sigurt për të bërë biznes.

Përveç zhvillimeve të shpejta infrastrukturore në energji, telekomunikacion dhe transport; popullsia e re e mirëarsimuar e Shqipërisë dhe përparimet e saj në fushën e artit dhe kulturës janë gjithashtu duke e kthyer Shqipërinë, e cila renditet e 4-ta në listën “52 vende për t’u vizituar në 2014-n”, publikuar nga prestigjiozja amerikane “The New York Times”, në një qendër të madhe. /trt/

Lajme të ngjashme

Back to top button