Autoritetet e Maqedonisë të paafta për ta luftuar korrupsionin

Përfaqësuesit e organizatve jo qeveritare të cilat në fokus kanë luftën kundër korrupsionit, theksojnë se 2014 si vit, mbyllet me shumë dështime nga ana e autoriteteve zyrtare të Maqedonisë për ta luftuar këtë dukuri, shkruan Radio Evropa e Lirë.

German Fillkov, nga qendra për komunikime me qytetarët, thekson se në Maqedoni tani një kohë të gjatë korrupcioni nuk luftohet me të gjitha kapacitetet institucionale.

“Ajo që para së gjithash duhet bërë në Maqedoni, është të pranohet hapur se në institucionet shtetërore është i pranishëm korrupcioni, që më pas në formë sistematike të luftohet kjo dukuri. Njëherësh nevojitet një angazhim më i madh sa i përket përforcimit të kapaciteteve të Komisionit Shtetëror për Antikorrupcion, si në aspektin e kuadrove, ashtu edhe në pavarsinë finaciare të këtij insitucioni”, thekson German Fillkov.

Ai në këtë drejtim fokuson edhe mos respektimin e ligjit për qasje të lirë deri tek informatat nga vet drejtuesit e institucioneve, në më shumë raste si në pushtetin vendor ashtu dhe atë qendror kur bëhet fjalë për shpenzimin e mjeteve nga buxheti.

Ndërkaq, Arif Musa ish anëtar i Komisionit për Antikorrupcion, vlerëson se kjo dukuri në asnjë mënyrë nuk mund të luftohet, gjersa institucionet siç është prokuroria dhe institucionet e tjera, nuk sjellin rezultate konkrete pozitive nga raste e caktura.

“Duke i përcjellur këto rastet që kanë të bëjnë me punën e qeverisë, përkatsisht punën e më shumë institucioneve të pavarura siç është prokuroria, gjykata, dhe komisioni shtetëror për të luftuar korrupcionin, është mëse evidente se efektet mungojnë, dhe përderisa efektet mungojnë duhet të konstatojmë se këto institucione që janë përgjegjëse për të luftuar korrupcionin, bëjnë vetëm punë rutinore pa efekte pozitive të dukshme” thekson Musa.

Edhe Sllagjana Taseva nga Transparency International, konsideron se mungon angazhimi i institucioneve si dhe ndërmarja e masave konkrete për zbardhjen e dilemave në ato raste të shfaqjes së korrupsionit që janë të lidhura me bartësit e pushtetit.

Sipas Taseves, fillimisht nevojitet të luftohet fenomeni që i bën të paprekshëm disa persona që përfshihen në raste korruptive.

Ajo në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka fokusuar projektin “Shkupi 2014”, përkatsisht shpenzimin e mjeteve të buxhetit në formë jo transparente.

“Më e keqja është se institucionet të cilat duhet të demostrojnë profesionalitet dhe përgjegjshmëri, nuk reagojnë fare në raste të caktuara sic është prokuroria dhe Komisioni Antikorrupcion, të cilat institucione në vazhdimësi injorojnë faktet që i kanë në duar për të ngritur procedura ndaj drejtuesve të institucioneve shtetërore për shpëdorimin e detyrës, kjo flet qartë sa i përket funksionimit të shtetit juridik”, nënvizon Taseva.

Ndryshe, gjatë vitit 2014 për herë të parë në formë direkte, ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers, ka shprehur shqetësime lidhur me korrupsionin në Maqedoni. Ai ka theksuar se nuk është qesharake, por përkundrazi shumë e dhimbshme ajo që në Maqedoni gjatë vitit të kaluar, përkatësisht në vitin 2013, nuk ka pasur asnjë të dënuar për korrupcion edhe përkundër faktit se Komisioni Antikorrupcion gjatë të njëjtit vit ka hetuar 228 raste, por epilogu i hetimeve mbetet zero raste të dënuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button