Shkup, “Luftë kundër politikave të shtypjes, përjashtimit dhe injorimit”

Organizatorët e protestave kundër ligjit për honorarët kanë dalë me një kumtesë për media ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat e paralajmëruara të studentëve, nesër më 26 dhjetor, ora 14, para Qeverisë së RM-së.

Ja se çka shkruajnë organizatorët në kumtesën e tyre:

Ne sindikatat, organizatat dhe aktivistët e aktivistet, organizatorë të protestës kundër pagesës së kontributeve për honorarët, shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë me studentët, dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për të marrë pjesë në protestën e studentëve këtë të premte, 26 dhjetor 2014, në ora 14:00 para Qeverisë së RM.

Ne dhe studentët në disa muajt e fundit i jemi ekspozuar politikës të njëjtë të shtypjes, injorimit dhe përjashtimit nga ana e autoriteteve kompetente në lidhje me ndryshimet e propozuara dhe të miratuara ligjore për provimin e shtetit dhe për pagesën e detyrueshme të kontributeve për sigurimeve shoqërore për honorarët. Për më tepër, këto politika dhe praktika të pushtetit aktual rrezikojnë dhe mohojnë të drejtat e njeriut, jo vetëm të grupeve që preken drejtpërdrejt (studentëve dhe punëtorëve të angazhuar me honorar), por të të gjithë subjekteve të tjerë të prekur në mënyrë të tërthortë – profesorëve universitarë dhe punonjësve të tjerë akademikë, të punësuarve në marrëdhënie të rregullt pune në të gjitha degët, nxënësve të shkollave të mesme, prindërve, pensionistëve.

Metoda me të cilën pushteti miraton dhe zbaton vendimet ligjore është jodemokratike dhe çkyçëse – në mungesë të dialogut me qytetarët më të prekur, në dëm të të varfërve dhe të provuarve nga të drejtat, e në bashkëpunim me të bindurit dhe të dëgjueshmit në organet dhe institucionet kuazi-të pavarura, si LSM dhe Parlamenti Studentor, me qëllim të pasurimit ende më të madh të më të pasurve, dhe rrjedhimisht, forcim i pozitave vetanake të pushtetit dhe privilegjeve. Për më tepër, janë të tmerrshme informatat për futjen e përshpejtuar të masave të mbikëqyrjes të forcuar dhe dënimeve rigoroze lidhur me shkeljet e legjislacionit tashmë të miratuar, qëllimi kryesor i të cilit në thelb është rritja e atmosferës së frikës, kërcënimeve dhe kushtëzimeve, dhe moslënies së hapësirës .

Prandaj, ne, organizatorët e protestës kundër pagesës së kontributeve për honorarët, apelojmë për solidaritet masiv dhe mbështetje për studentët në luftën për arritjen e të drejtave të tyre dhe rivendosjen e autonomisë së universiteteve, sepse kjo luftë është edhe e jonë, e përbashkët – luftë kundër politikave të shtypjes, përjashtimit dhe injorimit. Kjo është luftë e njëjtë, lufta për të drejtat e njeriut, luftë për shtet më të mirë juridik, luftë për drejtësi sociale dhe barazi.

Në këtë luftë, nuk ka alternativë tjetër për ndryshim, përveçse solidaritetit masiv në demonstrim të rezistencës pa dhunë!

Lajme të ngjashme

Back to top button