U hap solemnisht xhamia e re në Kërçovë

Përurohet solemnisht objekti i xhamisë së re të fshatit Popojan në Kërçovë. Ky objekt i kultit është ngritur me vetëkontributin e banorëve të fshatit si dhe me donacione të mërgimtarëve që jetojnë e punojnë gjithandej në diasporë.

Në fjalën e tij në emër të banorëve të Popojanit, Faik Osmani pasi falënderoi donatorët për ndërtimin e xhamisë theksoi se “ngritja e xhamisë së re ka qenë nevojë dhe tani besimtarët e këtij fshati do të kenë kushte më të mira që të kryejnë detyrimet e tyre fetare”.

Gjatë fjalimit të tij myftiu i Kërçovës h. Murat ef. Hyseni, theksoi se objektet e kultit, në këtë rast xhamitë, i kanë rezistuar kohës për shekuj të tërë dhe ato janë shenjë e rrënjëve tona të lashtësisë. Uroj që ky objekt t’i rezistojë kohës dhe të shërbejë këta banorë në lutjet e tyre drejtuar Zotit, për çka është edhe qëllimi i ndërtimit të këtyre objekteve” ka theksuar mes tjerash myftiu i Myftinisë së Kërçovës Murat Hyseni.

Vlera e objektit të ri ka kapur shifrat e 200 000 eurove, ndërsa mjetet janë mbledhur nga banorët e fshatit dhe donatorët e shumtë të cilët kanë qenë pjesë e investitorëve të këtij objekti të kultit.

Përndryshe fshati Popojan i ka rreth 450 banorë, të cilët merren kryesisht me punë të bujqësisë ndërsa pjesa më e madhe e tyre ndodhen në mërgim, duke mos dalluar aspak nga banorët e tjerë të fshatrave përreth. Në anën tjetër migrimi i popullsisë ka ndikuar që edhe në këtë fshat numri i nxënësve të jetë reduktuar në minimum dhe këta nxënës të ndjekin mësimin në fshatin Jagoll, pasi ky fshat që ka rreth 90 shtëpi ende nuk ka shkollën e vet. Pas faljes së mesditës, për mysafirët e pranishëm këshilli për ndërtimin e xhamisë dhe banorët e fshatit kishin shtruar edhe një drekë modeste.

Lajme të ngjashme

Back to top button