Thaçi, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës

Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës, brenda tre muajve të ardhshëm. Lajmi është dhënë gjatë mbledhjes së qeverisë nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i  Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Thaçi, i cili raportoi për vizitën e tij të fundit në Bruksel, tha se Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret.

Hashim Thaçi thekson:

“Prej 47 shtetesh të Këshillit të Evropës, 34 prej tyre e kanë njohur shtetin e Kosovës, pra dy të tretat. Kosova ka plotësuar angazhimet dhe kriteret për aplikim dhe anëtarësim. Shpresojmë se në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë të aplikojmë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Duam të besojmë se aplikimi ynë nuk do të ngjallë ndonjë debat të panevojshëm në Këshill të Evropës, sepse është një procedurë paksa e gjatë prej aplikimit deri në anëtarësimi, duke marrë parasysh edhe përvojat e vendeve tjera të Evropës Juglindore.”

Thaçi përmendi edhe takimet e tij me shefen e diplomacisë europiane Federika Mogerini dhe eurokomisionerin për Zgjerimin Johanes Han, me të cilët ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave, vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe krijimin e Gjykatës Speciale.

“Është diskutuar edhe për nevojën e nxjerrjes së legjislacionit për formimin e Gjykatës Speciale dhe ligjin për pjesëmarrjen në luftërat e huaja, për çka si qeveri e kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës.”

Kabineti i drejtuar nga Isa Mustafa, në këtë mbledhje ka miratuar gjithashtu edhe disa projektligje në fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të qeverisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button