Panariti: Marrëveshje me tregtarët që të ulin çmimet për festat

Ministri i Bujqësisë i Shqipërisë Edmond Panariti dhe drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj janë takuar sot paradite me bizneset vendase për të diskutuar mbi uljen e çmimeve të produkteve të ndryshme ushqimore në prag të festave të Vitit të Ri.

Panariti tha se është rënë dakord me bizneset që për ditët e festave të aplikohen çmime promocionale të favorshme për konsumatorët. Mbi të gjitha sipas ministrit kjo i shërben një klime besimi midis biznesit dhe konsumatorit. Shitësit e niveleve të dyta dhe të treta nuk do të lejohen të abuzojnë me çmimet, dhe për këtë ministri së bashku me inspektorët do të jetë vetë në terren javën që vjen.

“Apeli ynë ishte i qartë – ne u kërkuam këtyre bizneseve që përballë afrimit të festave të fundvitit, të jenë sa më miqësorë me konsumatorin, në radhë të parë duke aplikuar çmime promocionale, të favorshme siç ndodh në të gjithë botën. Bizneset iu përgjigjën ftesës sonë për të qenë sa më miqësorë me konsumatorin, për të mos rritur çmimet dhe për të aplikuar në masë të konsiderueshme çmime të reduktuara. Shitësit e niveleve të dyta dhe të tret,a të ashtuquajtur shitës me pakicë, nuk do të lejohen në asnjë lloj rrethane të aplikojnë çmime abuzive dhe spekuluese. Ne këtë përqasje do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen duke kërkuar që bizneset nëpërmjet rritjes së ofertës; nëpërmjet rritjes së vëllimit të mallrave që qarkullojnë të jenë në gjendje të aplikojnë dhe çmime favorizuese për konsumatorët”, tha Panariti.

Ai paralajmëroi tregtarët se në rast se do të konstatohen abuzime, atëherë në bashkëpunim me pushtetin vendor Ministria do të ngrejë tregje alternative në qendër të qyteteve, ku do të tregtohen produkte me çmime të shumicës.

Ndërsa Briseida Shehaj, drejtoreshë e Tatimeve në Shqipëri, iu bëri apel konsumatorëve që të bashkëpunojnë me tatimorët duke denoncuar çdo rast abuzimi që konstatojnë me rritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme në tregje.

“Kjo është detyra jonë dhe ne do ta bëjmë. Tatimet e kanë nisur që në datë 1 dhjetor monitorimin e tregjeve. Kemi pasur disa momente nëpër rrethe, në Tiranë nuk kemi evidentuar akoma, por ajo që do thosha unë është që të gjithë konsumatorët të bëjnë denoncime dhe jo thjesht në shifra rritur 40 % dhe 50 % por të bashkëpunoni me ne dhe besoj se në ueb-sajtin e tatimeve i keni të gjitha kontaktet e mundshme. Do mundohemi që duke bashkëpunuar edhe me biznesin që të paktën të shpalosim kudo që të jenë këto çmime promocionale që, sido që të jetë situata, edhe ne ta promovojmë biznesin, atë biznes që do jetë në krah të konsumatorëve këtë vit”, tha drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj. /Telegrafi

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button