MPB-ja kërkon ndryshime në Ligjin për polici

MPB-ja filloi procedurën ligjore me të cilën do t’iu lejojë policëve të gjuajnë drejt njerëzve edhe me plumba gome. Arma është e re në arsenalin e ruajtësve të rendit publik, sepse në ligjin aktual plumbat e gomës nuk ekzistojnë si mjet detyrimi. Sipas propozim-ndryshimeve të Ligjit për policinë, ato do të përdoren në rast të prishjeve të rendit publik. Ministria e Brendshme thotë se kjo armë, pavarësisht se përvojat kanë treguar që ajo mund të jetë vdekjeprurëse, në rast të goditjeve në kokë apo në afërsi, praktikohet gjithkund në botë. Përveç plumbave të gomës, MPB-ja në arsenalin e saj ka shtuar edhe paralizuesit elektrikë. Ndryshe nga ligji i vjetër, risi janë edhe mjetet shpërthyese si shok-bombat, e cila në fakt ngre shumë dilema të tjera. Pavarësisht se ligji aktual nuk përfshin shok-bombat, por vetëm lëndët kimike; pra vetëm bombat lotsjellëse, atëherë në bazë të cilit ligj u përdorën shok-bombat gjatë protestave ndaj procesit gjyqësor ‘Monstra’. Zëdhënësi Kotevski, i pyetur sot nga Alsat, theksoi se pavarësisht se përdorimi i shok-bombave nuk është i definuar, prapëseprapë ka bazë ligjore për to. 

PROPOZIMI I RI

Neni 91 ndryshohet dhe thotë:

(1)    Gjatë prishjes së rendit dhe qetësisë publike në masë më të madhe, zyrtari i policisë është i autorizuar t’i dërgojë mesazh grupit të personave të shpërndahen.

(2)    Nëse grupi nuk shpërndahet, lejohet përdorimi i mjeteve për detyrim si:

1)    forcë fizike
2)    shkop gome të policisë
3)    paralizues elektrik
4)    mjete kimike
5)    plumba gome
6)    qen  policie
7)    makina speciale për rendin dhe qetësin publike
8)    mjete shpërthyese-piroteknike 

LIGJI AKTUAL 

19.8 Përdorimi i mjeteve për detyrime ndaj një grupi

Neni  91

(1)    Gjatë prishjes së rendit dhe qetësisë publike në masë më të madhe, zyrtari policor është i autorizuar ti dërgojë urdhër grupit të personave të shpërndahen.

(2)    Nëse grupi nuk shpërndahet, lejohet përdorimi i mjeteve për detyrim si:

1)    forcë fizike
2)    shkop gome
3)    mjete kimike
4)    topa uji dhe
5)    qen policie

(3) Mjetet e paragrafit 2 të këtij neni mund të përdoren vetëm me urdhër të zyrtarit policor që udhëheq me aksionin.

Një tjetër risi e madhe në propozimin e ri ligjor është se vendimi nëse duhet të gjuhet me plumba gome ndaj turmës së dhunshme, e merr komandanti i njësitit policor që udhëheq aksionin. Me fjalë të tjera, nuk ka obligim ligjor të merret aprovim nga struktura më të larta. Të gjitha këto ndryshime janë në fazën e propozimit, që do të thotë se drafti është në fazën e komentimit nga qytetarët, para se të debatohet dhe të marrë pëlqimin në Qeveri.

Lajme të ngjashme

Back to top button