Ka ndihmuar palestinezët e plagosur, mjeku Mads Gilbert personaliteti i vitit në Norvegji

Mads Gilbert, mjeku norvegjez i cili në opinionin publik botëror njihet për përpjekjet e tij mbinjerëzore për të ndihmuar palestinezët e plagosur në spitalin Sifa në Gaza, u zgjodh “Personaliteti i vitit” në Norvegji, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta norvegjeze “Verdens Gang (VG)”, e shpalli mjekun Gilbert personalitet të vitit në atdheun e tij. Mjeku 67-vjeçar Gilbert, i cili aktualisht punon si mjek dhe anesteziolog në Klinikën Emergjente Mjekësore në spitalin “Universitetssyukehuset Nord-Noreg”, kaloi më shumë se pesëdhjetë ditë duke ofruar ndihmë shumicës prej 11.000 të plagosurve në sulmet izraelite në Rripin e Gazës. Gjatë sulmeve, mjeku norvegjez ka kritikuar ashpër Izraelin duke thënë se veprat e këtij vendi mund të quhen “terrorizmi shtetëror të nivelit më të lartë”.

Ndërkohë, Gilbert gjatë sulmeve të fundit izraelite dy javë qëndroi në Gaza ku së bashku me personelin mjekësor palestinez ndihmoi në shpëtimin e civilëve të plagosur. Ishte një figurë e shquar në kampin për ndihmë të viktimave palestineze gjatë operacionit të ushtrisë izraelite në Gaza ku kanë humbur jetën mbi 2.100 palestinezë. Gjatë sulmeve në Gaza, Gilbert shpesh ka dhënë intervista për mediat në lidhje me situatën në terren dhe me mungesat e furnizimeve mjekësore. Mjeku norvegjez po ashtu në vitin 2008 edhe 2012 ka ndihmuar në trajtimin e të plagosurve gjatë konflikteve në Gaza.

Megjithatë, Gilbert është bërë i njohur për opinionin botëror, pasi më 31 korrik 2014, ndiqte lindjen e një palestinezeje e cila nën “shiun e predhave” solli në jetë katër binjakë. Pak pas kësaj, Gilbert i ka dërguar një letër të hapur presidentit amerikan, Barack Obama, me anë të së cilës paralajmëroi botën për vuajtjet e civilëve të pafajshëm në Gaza duke iu drejtuar me pyetjen: “Z. Obama, a ke zemër ti?”. Në atë letër Gilbert i bëri thirrje administratës amerikane dhe presidentit Obama të ndalojnë sulmet izraelite në Gaza dhe, siç theksoi, të ndryshojnë historinë.

Ndërsa qeveria izraelite në nëntor të këtij viti mjekut norvegjez i ka ndaluar hyrjen në Gaza për, siç thuhet, arsye të sigurisë. Megjithatë, Gilbert theksoi se do të vazhdojë të ju vijë në ndihmë palestinezëve, pavarësisht përpjekjeve të Izraelit që ta pengojnë në punën e tij. Ai thotë se Izraeli ka marrë një vendim të tillë për shkak të kritikave publike të drejtuara kundër Izraelit.

Pas vizitës së fundit në Rripin e Gazës gjatë ofensivës izraelite dhe kthimit në Norvegji, ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pasi u bëri thirrje udhëheqësve arabë të “pezullojnë dërgesat e naftës për amerikanët derisa të shfuqizohet rrethimi dhe bombardimi i Gazës dhe deri sa palestinezëve nuk u garantohen të drejtat e tyre”.

Redaktori i VG Torry Pedersen ka thënë se mjeku Gilbert ka merituar çmimin personalitet i vitit në Norvegji. “Bëhet fjalë për një mjek të përkushtuar dhe sakrifikues i cili për të satën herë rrezikoi jetën e vet, u gjet në qendër të gjakderdhjes në Gaza dhe pati vetëm një qellim – që të shpëtojë sa më shumë jeta të fëmijë”, tha redaktori i gazetës.

Pas marrjes së çmimit, mjeku Gilbert tha se atë e sheh si një formë mbështetjeje për punën e tij. “Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për popullin palestinez i cili vuan për aq shumë kohë. Besoj se njerëzit duan të dinë të vërtetën dhe të dinë se çfarë në të vërtetë ndodhi në Gaza. Mundohem të luaj atë rol më së miri që mundem”, thotë ky mjek i cili mbi 30 vjet është duke ndihmuar të plagosurit në konfliktet ndërkombëtare, veçanërisht në Gaza.

Lajme të ngjashme

Back to top button