Letrat e Enver Hoxhës dërguar maqedonasve

“Muerrem letrën e shokut Topi. Gjithashtu shoku Mito dhe shoku Dushan na banë të njoftun situatën tek ju. Na gëzohemi shumë për sukseset t’ueja dhe ju urojmë suksese edhe ma të mëdha në luftën e drejtë e të vështirë, deri në çlirimin e plotë të popullit shqiptar”, shkruan mes tjerash Enver Hoxha.

Burimet arkivore të kohës vënë në pah se forcat komuniste jugosllave e kishin të pamundur të shkelin në viset verilindore shqiptare pa ndihmën e brigadave komuniste, përkatësisht partizane shqiptare. Ishin pikërisht këto arsyet kryesore, që komunistët jugosllavë të kërkonin me këmbëngulje që në këto vise të vendoseshin brigadat partizane shqiptare. Dy dokumentet që po i botojmë në revistën “SHENJA” gjenden në Arkivin Qendror Shqiptar, fondi 41. Dokumenti i parë është letra e anëtarit të SHP të LNÇ-së të Maqedonisë, Cvetko Uzunovski –Abas, dërguar më 18 maj 1944 SHP të FNÇ-së të Shqipërisë, ku në të kërkohet bashkëpunimi i brigadave partizane maqedonase-shqiptare për, siç thuhet, përmbysjen e “Reaksionit shqiptar” në  Dibër, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Tetovë. Për rrjedhojë, Enver Hoxha – përmes letrës dërguar në qershor të vitit 1944 – e njoftonte SHP të LNÇM-së se udhëheqja e FNÇSH-së dhe personalisht ai, në tërësi pajtohen që zhvillimet ushtarake kundër forcave nacionaliste shqiptare: “..në sektorët e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës të bahen të kombinuara …”,

Dokumentet janë në gjuhën shqipe dhe të njëjtat botohen në tërësi dhe pa asnjë ndërhyrje drejtshkrimore:

1. “Shtabit të Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë

Të dashtun shokë

Muerrem letrën e shokut Topi. Gjithashtu shoku Mito dhe shoku Dushan na banë të njoftun situatën tek ju. Na gëzohemi shumë për sukseset t’ueja dhe ju urojmë suksese edhe ma të mëdha në luftën e drejtë e të vështirë, deri në çlirimin e plotë të popullit shqiptar.

Mbas bisedës me Miton dhe me Dushanin na kemi vendosë të rrimë në këtë terren, për arsye se:

1) Okupatori gjerman ka mundë që në terrenin e Dibrës, Strugës, Kiçevës, Gostivarit dhe Tetovës, të mobilizoi prej masave shqiptare për luftën kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ashtu dhe për kundër Ushtris Nacional-Çlirimtare Jugosllave.

2)  Ky terren i sherben si bazë okupatorit gjerman që të hudhi reakcionin prej Kosove në luftë kundër ushtrive nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Me ardhjen e divizionit t’uej në Shqipninë e mesme, me bamjen e planeve të përbashkëta aksionesh të njisitevet t’ueja dhe t’onave, na mundemi shpejt dhe me siguri me thyen reakcionin dhe okupatorin gjerman, i cili asht i dobët në kët terren. Masat shqiptare, të cilat sot i shërbejnë okupatorit, por të cilat përkulen, mbas situates së re të krijueme, do të kalojnë në anën t’onë. Thyemja e reakcionit në Shqipninë e mesme dhe në terrenin e Dibrës, Kiçevës, Strugës, Tetovës dhe Gostivarit, do të thotë me e izolue okupatorin gjerman dhe me e sulmue kur të duesh dhe si të duesh. Kjo do të thotë edhe më tutje: të krijosh kondita për me zhvillue luftën në Shqipninë e veriut dhe në Kosovë, dhe lidhjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipnisë me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë.

Na e shohim që për të qenë me sukses aksionet e përbashkëta, do të jetë e domosdoshme:

a) Porsa të mërrije divizioni i juaj, të kemi menjëherë nji mbledhje me shtabin e divizionit dhe me delegatin e Shtabit të Përgjithshëm të Shqipnis, i cili do të jetë me divizionin. Në këtë mbledhje do të bashin planin e plotë të aksioneve tona të përbashkëta. Në këtë drejtim do të duhej t’i epen të drejta radikale shtabit të divizionit mbi bashkëpunimin me ne dhe mbi aksionet e përbashkëta në këtë terren, sepse në qoftë se shtabi i divizionit asht i detyruem me pyetë përmbi çdo gja Shtabin e Përgjithshëm të Shqipnis, mund të ndodhë që të na humbin momente të favorshme. Lidhjen me ne për mbledhje shokët mund ta krijojnë gjithmonë me anë të organizatave të Dibrës dhe me anë të Esatit (zëvendës i Haxhiut).

Porsa të niset divizioni i juaj, me nji herë të dërgoni korrierin t’onë, të voglin Romel, që të na lajmëroj. Me anë të Romelit na lajmëroni, sipas mundësive, drejtimin ma të afërt ku do të kaloi divizioni.

Na e kemi humbë radio-stacionin, por me anë letre i kemi dërgue Tempos telegramet t’ueja, që kështu ai t’ia dërgoi Titos.

Lidhja në mes jush e nesh duhet të jetë e përhershme dhe e sigurtë, prandaj duhet që kët kanal që tani po krijohet me anë të liqenit, ta sigurojmë: ju nga ajo anë e liqenit dhe ne nga kjo anë.

Të fala shoqnore

ABAS

Pozitë, 18/V/1944”.

2

“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtris

Nacionalçlirimtare shqiptare                                                                     14 Qershor 1944

 

Shtabit Maqedonas i Ushtris Nacionalçlirimtare

Partizane dhe vullnetare të Jugosllavis.

Të dashur shokë,

Në luftën e përbashkët që i bëjmë okupatorit Gjerman dhe shërbëtorëve të tij, jemi të mendimit që veprimet t’ona ushtarake në sektorin e Dibrës, Peshkopis, Librazhdit, Strugës, Kiçevës, Gostivarit dhe Tetovës të bëhen të kombinuara dhe të përcaktohen nga nji shtab i përbashkët operativ i përbërë prej delegatve të shtabit t’uej dhe të shtabit të Divizionit të I-rë sulmues t’onit. Një mënyrë veprimi e tillë do të jetë një grusht i rëndë për okupatorin dhe tradhtarët, do ti shpartalloj këta dhe do të mobilizoj popullin rreth ushtris s’uej dhe t’onës. Nga ana tjetër do të jetë faktori kryesor e çelnikosjes (mendohet për betonimin – Q.L.) të vëllazërimit të popujve të Jugosllavisë veçanërisht të popullit Maqedonas me atë të Shqipëris. Me këtë mënyrë bashkëpunimi i parashtruar përpara shtabit t’onë prej shtabit kryesor Maqedonas (me anë e një letre të komisarit politik të atij shtabi), prej shokut Mite dhe prej letres të shokut Abas me datë 18/V/1944, jemi krejtësisht dakord dhe për këtë gjë i kemi dhënë urdhër shtabit të Divizionit të I-rë sulmues t’onit të marij kontakt me ju dhe të hartoni plane veprimi të përbashkëta në zonat e naltpërmendura.

Divizioni i I-rë i joni është duke kaluar në Shqipnin e veriut dhe të mesme për të ndërmarë veprime ushtarake dhe politike. Kjo pjesë e Shqipnis paraqitet mjaft me kondita të vështira për luftën t’onë, sepse ofensiva e madhe e dimrit e shpërthyer nga okupatori kundra ushtëris s’onë mundi të dobësojë pushtetin t’onë por pa mundur me e zhduk krejtësisht. Pas goditjeve të para njësitet t’ona, rifilluan grumbullimin dhe lëvizjen por këta s’kanë qenë në gjendje për me përballue organizimin e reaksionit nën flamurin e Legalitetit e të Zogut e të reaksionarëve të Dibrës e të Çermenikës. Divizioni i I-rë ka marë përsipër barën e rëndë të goditij armikun në ato sektore dhe të spastroj terrenet nga tradhtarët reaksionare vegla të armikut, të zgjerojë luftën ne Shqipërin e veriut dhe të mesme dhe të rikrijojë dhe forcojë pushtetin t’onë.

Në sektorin e Dibrës dhe të Peshkopis forcat t’ona do të ndeshen me gjermanët dhe reaksionarët dhe për likuidimin e tyre duhet bashkëpunimi i ngushtë ushtarak dhe politik i të dy palëve. Për këtë arsye i janë dhënë shtabit të divizionit të I-rë elementat konkrete për këtë bashkëpunim. Nuk mbetet veç se të bëni kontaktin me nën Kolonelin Esat Ndreun i cili tu vere në lidhje me shokun Kolonel Dali Ndreun, komandantin e Divizionit ose me ndonjë anëtar tjetër të shtabit.

Kemi bindjen se ndërmarjet e përbashkëta do të japin rezultate të mira, do ti japin hov të ri luftës në ato sektore do të mobilizojnë popullin a atyre krahinave reth frontit nacionalçlirimtar të Jugosllavis dhe të Shqipëris dhe këto veprime të përbashkëta do të kenë reperkusione të thella në Kosovë, ku do të hapen perspektiva lufte të gjera dhe pjesëmarrje më aktive në luftë të popujve të Kosovës në frontin nacionalçlirimtar tuajin dhe në ushtrin Glorioze të popujve të Jugosllavis e udhëhequr me aq brio prej komandantit t’uaj të madh Marëshalit Tito.

Fitorjet t’ona janë të përbashkëta, janë fitore e gjith popujve të rrobëruar dhe vëllazërimi dhe bashkëpunimi i ngushtë i ushtris nacionalçlirimtare Jugosllave e asaj Shqiptare, janë bazat e shëndosha të një konkretizimi të shpejt të vëllazërimit të popujve të Ballkanit.

Këto kohët e fundit që prej datës 18/V/1944 okupatori dhe kuislingat shpërthyen në vendin t’onë në një offensive me stil të madh. Që prej datës 18/V/1944 do farë dy divizione gjermane me ballista dhe kuislinga të tjerë sulmuan forcat t’ona në jug/ Luftime të ashpra u zhvilluen dhe armiku pati humbje të mëdha. Divizioni i jonë që kishte marë urdhër të kalonte u përpoq me kollonat armike dhe në shumë vende dëmtuen në masë armikun. Në sektorin e frashërit (Përmet) dhe në Tomoricë e Korçë janë zhvillue luftimet. Ne kemi pas pak humbje. Ofensiva ende ska marë fund pse kollonat e armikut janë drejtuar nga Bregdeti dhe tash po luftohet në krahinën e Gjirokastrës e të Kurvelieshit. Mundet që gjermanët të ruajnë bregdetin t’onë duke dashur të mbrohen nga një sulm eventual armik. Një ofensive e tillë Gjermane dhe njëkohësisht t’onën është signaluar edhe në Greqi. Nuk kemi hollësira se forcat e FAAIT e Greqis kanë luftuer.

Të fala shoqnore

Komandant i Përgjithshëm i Ushtris

Nacional Çlirimtare Shqiptare

Enver Hoxha

Gjeneral Kolonel”.

Marrë nga: SHENJA.MK

Lajme të ngjashme

Back to top button