Rregullohet oborri i shkollës së mesme të mjekësisë në Gostivar

Në shkollën e mesme të mjekësisë “Gostivari” në Gostivar u bë promovimi i investimeve të bëra në rregullimin e infrastrukturës së jashtme të shkollës. Është bërë ndarja fizike me shkollën e mesme ekonomike, është bërë parapërgatitja e terrenit sportiv, gjelbërimi dhe ndriçimi i oborrit, është formuar komplet hyrja e shkollës si hyrje e re dhe është bërë komplet fasadimi i shkollës.

Promovimin e punëve e bëri kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, drejtori i SHMM “Gostivari”, Gostivar, Agron Alili, si dhe të punësuarit dhe nxënësit e shkollës.

“Ne bashkë me drejtorët, prindërit, donatorët dhe komunën kemi arritur ti ndryshojmë shkollat, t’ju japim një pamje kryesisht tjetër. Kësaj shkolle të re të pavarur i kemi krijuar kushte të mira që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim. Është bërë rrethoja dhe lyerja  e shkollës, ndriçimi dhe jemi në fazën e fundit të rregullimit të terrenit sportiv. Investimet që janë bërë arrijnë vlerën 36 mijë euro dhe ky është investim i komunës dhe i donatorëve”, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Ne si shkollë jemi munduar me ndihmën e komunës dhe të donatorëve të ndryshëm të bëjmë parapërgatitjen e kushteve infrastrukturore kështu që shkolla e mesme e mjekësisë në atë mënyrë që shkolla e mjekësisë ti plotësoje të gjitha standardet për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe mendojmë se shumica e punëve janë kryer, përveç se në pranverë ngel të bëhet asfaltimi i terrenit sportiv”, theksoi Agron Alili, drejtor i SHMM “Gostivari”, Gostivar.

Kryetari Bejta gjithashtu pa nga afër edhe kushtet ku mjekët e rinj bëjnë punën praktike dhe më pas bashkëbisedoi me vetë nxënësit për nevojat, si dhe ndoqi dokumentarin e përgatitur për historikun e shkollës së mesme të mjekësisë e cila filloj të funksionoje e pavarur nga ky vit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button