“Interstellar”, një film që sfidon imagjinatën
Regjisori i njohur Christopher Nolan e çon audiencën përtej galaktikës sonë me dramën e tij të re filozofike fantastiko-shkencore “Interstellar”. Kasti i tij me aktorë të njohur, pamjet marramendëse, cilësia e përkryer e videos dhe kolona zanore e mrekullueshme e bëjnë edhe më të bukur historinë që shpalos mundësitë e pamata të eksplorimit në hapësirë në një ekran tridimensional. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou intervistoi yjet e filmit dhe na sjell materialin.
Cooper, një pilot i zhgënjyer i kthyer në fermer, sheh sesi po vdes shpirti i njerëzimit në një planet që po jep shpirt. Në një kohë në të ardhmen e afërt, ndryshimi i klimës ka shkaktuar një krizë bujqësore, duke sjellë si rezultat një krizë urie.
Profesor Brand, mentori i hershëm i Cooperit, e rekruton atë për një program sekret eksplorimi në hapësirë, për të gjetur planete të banueshme përtej galaktikës sonë.
Cooper është në dilemë. Ai nuk do që të largohet nga fëmijët e tij që i do aq shumë, por pikërisht pse i do aq shumë nuk mund të rrijë dhe t’i lërë të vdesë.
Regjisori Christopher Nolan i dërgon astronautët në ngricën e panjohur. Ata duken aq të vegjël në sfondin e hapësirës së pamatë. Por misioni i tyre për të shpëtuar njerëzimin, kapërcen distanca të paimagjinueshme. Ata janë pionierë të një ere të re. Nolan thotë se frymëzimi i tij më i madh ishte një tjetër pionier.
Drama filozofike fantastiko-shkencore e Stanley Cubrick “2001: Një Odise në Hapësirë”.
“Shkova ta shihja kur isha 7 vjeç. Babai më çoi ta shihja në ekranin e kinemasë. Ajo përvojë m’u ngulit në mendje dhe me ka ndjekur gjatë gjithë karrierës, më mësoi se si ndikojnë filmat, se si përmes ekranit të madh mund të përshkosh universin. ‘Interstellar’ është pa dyshim përpjekja ime që t’u përçoj fëmijëve të sotëm diçka të ngjashme”.
“Interstellar” i çon audiencat përmes tuneleve në tokë dhe vrimave të zeza të hapësirës, me një shpejtësi marramendëse.
Por sado madhështor të jetë ky film për hapësirën, në thelb të tij është dashuria mes një babai dhe vajzës së tij.
Matthew McConaughey sjell një interpretim me nuancë të personazhit Cooper, me ndjenja kontradiktore, që e di që mund të mos i takojë më kurrë fëmijët e tij.
“Bëhet fjalë për guximin e të eksploruarit, zbulimin dhe kurajon. Dhe na kujton se aftësitë tona janë shpsh më të mëdha sesa besojmë me. Si specie ne kemi aftësi të jashtëzakonshme dhe ky film na vë në provë por njëkohësisht shfaq besimin tek ne”.
Anne Hathaway interpreton Amelian, vajzën e profesorit Brand, një nga astronautët në këtë udhëtim pa kthim. Ajo thotë se roli i saj, ishte i vështirë nga ana emocionale dhe fizike.
“Unë nuk para kam frikë dhe nuk më pëlqen të pranoj kur diçka është e vështirë për mua, por kjo ishte vërtet e vështirë. Kostumi ishte i rëndë, unë jam e vetmja vajzë për kilometra të tëra dhe djemtë ankoheshin se kostumet ishin të rënda”.
Jessica Chastain interpreton vajzën e Cooperit, Murph kur ajo është e rritur. Ajo është bërë shkencëtare dhe po punon për të shpëtuar njerëzimin.
“Është një personazh i dikujt që është e zgjuar, e zonja, aktive në botën e saj dhe në botën që e rrethon, dikush që është emocionale. Shpesh femrat janë të zgjuara dhe të zonjat por pastaj sikur nuk është e pranueshme të jenë edhe emocionale”.
Christopher Nolan, regjisori që u ka sjellë shikuesve edhe filmat “Memento” dhe “Inception” i kushton të njëjtin kujdes çdo detaji. Ndërsa ekuipazhi i tij eksploron pëlhurën misterioze të universit, ne bëhemi pjesë e udhëtimit të tyre emocionues por aspak të parashikueshëm. “Interstellar” është një film me përmasa të jashtëzakonshme.