Takimi në Bruksel, Maqedonia shqetësimi i BE-së që nuk ndryshon

Njohësit e çështjeve evropiane vlerësojnë se Maqedonia për të 6-in vit me radhë nuk do të arrijë dot të marr datën për fillimin e negociatave me BE-në, jo vetëm për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit, por edhe dështimit në përmbushjen e reformave, transmeton Alsat.

“Të gjitha këto raporte janë dështuese dhe dëshmojnë për punën e cila duhet të bëhet akoma dhe nuk është realizuar. Këtu mund të trajtojmë më shumë aspekte; Aspektin e raporteve ndëretnike, çështjen e raportit ndër-fqinjësor, politizimin e administratës, ndikimin e politikës në sistemin gjyqësor, korrupsionin etj”, deklaroi Abdulla Azizi, profesor.

“Këshilli javën e ardhshme do t’i përsërit këto konkluzione dhe do ta jep alarmin e kuq se Maqedonia duhet urgjentisht të tregojë progres me qëllim që të mbetet në rrugën evropiane… rekomandimi për fillimin e negociatave u dha për progresin e përgjithshëm të arritur në 6 vitet e fundit dhe u theksua se nëse dëshirojmë ta ruajmë këtë rekomandim vitet në vijim duhet të arrijmë progres që do të garantojë kontinuitet dhe qëndrueshmëri të reformave…por raportet e 2 vitet e fundit të KE-së tregojnë kthim prapa në procesin reformues”, deklaroi Aleksandar Jovanovski, Qendra për politikë evropiane.

Në kushte të tilla sipas profesorit Abdulla Azizi, faktori shqiptar në qeveri i cili pretendon t’i ketë qëllim strategjik integrimet evropiane, duhet të shqyrtojë pjesëmarrjen në qeveri. Ai madje thekson se çdo subjekt shqiptar politik do të duhej të kushtëzonte pjesëmarrjen në qeveri me kërkesat bazë nga të cilat varen integrimet e vendit.

“Të përcaktohet afati kohor për zgjidhjen e emrit…implementimi i Marrëveshjes së Ohrit në të gjitha karakteristikat e saj, assesi të gjendet mirëkuptim për vënien në jetë të saj. Plotësimi i  detyrave që dalin nga statusi shtet kandidat dhe trajtimi serioz i vërejtjeve që dalin nga raporti i progresit të KE-së..”, theksoi Azizi.

Sipas Jovanovskit madje pushteti nuk mund të arsyetohet për ngecjet as për shkak të kontestit me Greqinë.

“Përpjekjet për demokratizim të brendshëm, për evropeizim të brendshëm duhet të vazhdojnë edhe pa zgjidhur çështjen e emrit. Ne asgjë nuk na pengon që parimet dhe normat evropiane që vlejnë për këto reforma kyçe t’i zbatojmë në Maqedoni edhe pa filluar negociatat..”, vlerëson Jovanovski.

Samiti i BE-së, në të cilin do të vendoset edhe rruga e mëtejme e Maqedonisë për sa i përket integrimeve do të mbahem më 18 dhe 19 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button