Grushtshtet ndaj medias së lirë, arrestime masive të gazetarëve në Turqi

Prokuroria turke ka lëshuar mbrëmjen e djeshme urdhërarrest për 37 gazetarë dhe policë, si dhe urdhër për bastisje të gazetës më të madhe turke Zaman me tirazh 1 milion kopje të shitura në ditë dhe televizionit Samanyolu, që njihen si mediat opozitare më të fuqishme ne Turqi.

Vendimi i prokurorisë turke vjen dy ditë pas deklaratës së presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili deklaroi se ai është i vendosur për të luftuar Lëvizjen e mendimtarit mysliman që jeton në SHBA, Fethullah Gylen, që e sheh si përgjegjës për aksionet anti-korrupsion të Prokurorisë dhe policisë turke të 17 dhe 25 dhjetorit të kaluar, ku u arrestuan disa biznesmenë dhe u akuzuan 4 ministra të qeverisë së atëhershme, të cilët më vonë dhanë dorëheqje nga postet e tyre, transmeton Reuters.

Mediat turke njoftojnë se gazetarët akuzohen për “rrezikim të sistemit shtetëror” ndërsa kryeredaktori i Gazetës Zaman dhe drejtori i Tv Samanyolu, kanë pritur arrestimin gjatë gjithë mbërmjes së djeshme në zyrat e tyre në mediat që ata drejtojnë.

Sipas mediave turke, mes të arrestuarve janë edhe gazetarët, Kryeredaktori i Gazetës Zaman, Ekrem Dumanli, Drejtori i Përgjithshëm i televizionit Samanyolu, Hidayet Karaca, ndërsa pas pak pritet të arrestohen edhe kryeredaktori i gazetës në gjuhën angleze, Todays Zaman, Bulent Korucu, gazetarët Emre Uslu, Mehmet Baransu, etj.

Gjatë operacionit janë arrestuar edhe skenaristja e serialit “Tek Turkiye”, Makbule Çam Alemdag, producenti i serialit “Sungurlar”, Salih Asan si dhe regjisori i po të njëjtëtit serial, Engin Koç, seriale këto që transmetohen në televizionin Samanyolu.

Ndërkohë, menjëherë pas vendimit për arrestimet e gazetarëve kanë qenë të shumta reagimet. Pjesa e dërmuese e gazetarëve në Turqi kanë dënuar aktin e qeverisë ndërsa kundër arrestimeve janë shprehur njëzëri të gjitha partitë opozitare, të majta dhe të djathta.

Aksionet policore kundër përkrahësve të mendimtarit Gylen janë shtuar kohëve të fundit, ndërsa shoëria civile dhe opozita i cilëson këto aksione si të paligjshme dhe të kurdisura nga qeveria për të zbehur zërin opozitar të Lëvizjes në Turqi. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button