Stema përçan deputetët dhe ministrat e BDI-së?

Deputetët e BDI-së, nuk do pranojnë “patatet e skuqura” të ministrave të cilët miratojnë me lehtësi çdo dëshirë të Gruevskit. Disa nga deputetët e BDI-së, deklarojnë për Portalb se që tani janë të prerë në vendimin e tyre për të mos e votuar stemën e re pavarësisht se cili do të jetë vendimi i kryesisë qendrore që do të marrë.

Njëri ndër deputetët e BDI-së, deklaron për Portalb se në mesin e deputetëve të BDI-së ka të atillë të cilët që tani e kanë prerë mendjen për stemën e re dhe se për ta është i mjaftueshëm fakti që duket nga larg për stemën që më tepër është simbol partiak.

Deputeti sqaron për Portalb se i gjithë ky proces për stemën e re të propozuar nga qeveria deri sa të dalë për votim në parlament do të zgjasë dy muaj.

Ministrat e BDI-së të cilët mbajnë kapitalin dhe projektet nuk kanë arritur të ndalojnë asnjë propozim ligj të dalë nga kancelaria e shefit të tyre, vlerësojnë analistët. Kësaj radhe shprehen ata, deputetët janë para një sprove të madhe dhe nuk besojnë se do të luajnë rolin e gomarit që mund tu ngarkohet mali vetëm për të mbrojtur interesat e ministrave që i janë nënshtruar verbërisht Gruevskit.

Ministrat e BDI i nënshtrohen verbërisht Gruevskit

Analisti Alajdin Demiri, thotë për Portalb se shtrohet çështja se a ka fuqi BDI që të kontrollojë ministrat e vetë?

Sipas tij, struktura e ministrave të BDI-së, parasë gjithash për interesa të veta verbërisht i nënshtrohet Gruevskit dhe jo Ali Ahmetit.

“Fakti që propozimi për nderimin e stemës vjen nga qeveria do të thotë se edhe ministrat e BDI kanë votuar për këtë ndryshim. Tash ngelet parlamenti të votojë. Mirëpo që tani paraqiten zëra të deputetëve se këtë ligj nuk do ta votojnë. Me këtë sipas parimit të Badenterit dhe shumicës së dy të tretave, ligji bie dhe nuk kalon”, thotë Aladin Demiri.

Demiri thotë se tani problemi është se a ka fuqi BDI-ja dhe a i kontrollon ministrat vet dhe a do të ketë fuqi të kontrollojë edhe deputetët.

“Besoj se pesha e ligjit për ndryshim të stemës është shumë rëndë duke pasur parasysh se një simbol partiak bëhet stemë shtetërore atëherë është e mundur pa dëgjueshmëri a deputetëve dhe pengimi I këtij ligji. Se diktatura partiake që ushtrohet në BDI në këtë rast është kafshatë që nuk do të kapërdihet nga disa deputet që kanë ego kombëtare dhe njerëzore”, thotë Alajdin Demiri.

Njerëzit e BDI-së që kanë ideal janë poshtë në hierarki

Publicisti Xhelal Neziri thotë për Portalb se në BDI i kemi njerëzit që kanë një ideal dhe besojnë se nëpërmjet politikës mund të përmirësojnë këtë gjendje, e që janë poshtë në hierarkinë partiake, dhe njerëz që duan të shfrytëzojnë politikën për interesa personal, e që janë lartë në hierarki.

“Çdo vendim që i sjell dëme kësaj partie kalon pa asnjë kundërshtim nga ata që janë lartë në parti dhe qeveri, që më pastaj si gështenjë e nxehtë tu lëshohet këtyre që janë poshtë. Kështu, gabimet e ministrave dhe kreut partiak duhet t’i përligjin anëtarët e kryesisë, duhet t’i arsyetojnë zëdhënësit, t’i mbrojnë para elektoratit kryetarët e degëve, të flasin për pseudo-histori drejtorë institutesh e historianë tjerë. Për një grusht njerëzish që nuk kundërshtojnë asgjë që vjen në qeveri e që i shkakton dëm kësaj partie, mobilizohen dhe anatemohen apo njollosen të gjithë funksionarët dhe anëtarët e BDI-së. Megjithatë, përderisa pranojnë të luajnë këtë rol unë mendoj se faji i tyre është më i madh sesa faji i kreut partiak apo ministrave. Nëse vërtetë janë të sinqertë në idealet e tyre, ato duhet të iniciojnë shkarkimin e të gjithë ministrave aktual dhe të kreut të partisë, dhe ta marrin vetë ne duart e tyre misionin që ia kanë dhënë vetes”, thotë Xhelal Neziri.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button