Eurointegrimet, nga prioritet në dështim

Këshilli i Bashkimit Evropian për të gjashtën herë me radhë do ta refuzojë rekomandimin e KE-së për nisjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE.

Analistët vlerësojnë se kjo nuk është për tu çuditur fare, sepse partitë në koalicionin qeveritarë nuk kanë interes integrimin.

Analisti Mersel Bilalli thotë për Portalb se po të integrohet Maqedonia në BE, atëherë nuk mund të funksionojë krimi i organizuar, dhe kjo është arsyeja se pse koalicioni qeveritarë nuk tregon interes për këtë çështje.

“Faji shihet nga Hëna. Ky koalicion qeveritar VMRO-BDI nuk ka interes integrimin, pasi atëherë nuk mund të funksionojë krimi i organizuar. Nuk mund të shkelet mbi institucionet duke i privatizuar  dhe kriminalizuar të njëjtat. Tani kemi gjykatë në shërbim të krimit të organizuar. Nuk mund të shkelni mbi mediat e pavarura, po të jeni në proces  të bisedimeve”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se për këtë shkak u bë problemi i çështjes së emrit.

“Prandaj u shpik emri i cili nuk ishte pengesë më parë për procesin integrues. Kjo u bë me qëllim  që të minohet i gjithë procesi integrues. Në fakt këtyre as që u bëhet vonë pse ne nuk marrim më rekomandim për nisjen e bisedime”, tha Bilalli.

Sipas tij kjo situatë do të jetë edhe viteve në vazhdim sepse ky është qëllimi kryesor i partive në pushtet.

Drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane, Malinka Jordanova po ashtu vlerëson se përveç emrin, Maqedonia ka probleme tjera edhe më të mëdha brenda shtetit.

“Bllokimi nga ana e Greqisë normal që është një problem madh për eurointegrimet, mirëpo fatkeqësisht tani përveç problemit të emrin ka edhe shumë çështje tjera për të cilat Maqedonia sërish nuk merr datë për fillimin e negociatave si dhe raportet e Komisionit Evropian shkojnë duke u përkeqësuar sa i përket kritikave. Tani në pyetje janë themelet kryesore të demokracisë në vend”, tha për Portalb, Jordanova.

Ajo shtoi se nuk është optimiste për të ardhëm, sepse për të ndryshuar kjo situatë, qeveria do të duhet të ndryshojë për 180 shkallë mënyrën e funksionimit, andaj jemi larg fillimit të negociatave.

“Për të marrë datë për fillimin  bisedimeve dhe për të përmirësuar gjendjen aktuale, qeveria duhet të ndryshojë punën e saj për 180 shkallë. Të ndalon kontrollin mbi shoqërinë, dhe të mos fus gjithçka nën qeverisje, të punojë në marrëdhëniet e jashtme dhe mundësisht të krijojë më shumë miq sesa armiq”, tha Jordanova.

Nga ana tjetër zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, kohë më parë tha se Maqedonia me reformat e deritanishme të zbatuara, është e gatshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq deputeti evropian Riçard Houit, në fjalimin e tij të fundit në rolin e raportuesit të deritanishëm për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, ka theksuar se është i shqetësuar rreth bashkëjetesës në këtë shtet dhe se duhet të mbetemi akoma vigjilent në parandalimin e ndonjë zhvillimi që mund të çojë në rikthimin e konfliktit. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button