Ahmeti: Integrimi në BE do të relaksonte marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë Komisioneren e Lartë të OSBE për komunitete, Zonjën Astrid Thors.

Ahmeti dhe Thors diskutuan rreth zhvillimeve politike në vend, rolin e opozitës, integrimin EuroAtlantik, marrëveshjen e Ohrit, arsimin dhe marrëdhëniet ndër fqinjësore.

Kryetari Ahmeti ritheksoi se vendi i opozitës duhet të jetë në Kuvend dhe kjo duhet të ndodh sa më shpejt. BDI do ti mbështes të gjitha nismat konstruktive të opozitës në Kuvend. Maqedonia ballafaqohet me sfida të rëndësishme dhe opozita ka përgjegjësi të madhe në këto procese që përcaktojnë të ardhmen e vendit.

Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, Kryetari Ahmeti theksoi se ato më së miri mirëmbahen nëpërmjet të integrimit në NATO dhe fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Ky proces relakson marrëdhëniet midis dy komuniteteve shumicë dhe mundëson anëtarësim të menjëhershëm në NATO, ndërsa reformat dhe standardet do të adresohen gjatë rrugëtimit tonë drejt BE.

Kryetari Ahmeti gjithashtu foli për marrëveshjen e Ohrit dhe dallimet midis partive politike shqiptare dhe ato maqedonase në drejtim të zbatimit të Kushtetutës në lidhje me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, por edhe me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, zbatueshmërinë e ligjeve të miratuara, etj.

Bashkimi Demokratik për Integrim është përcaktuar për të ngritur cilësinë në arsim në të gjitha nivelet dhe ky proces zë vend shumë të rëndësishëm në agjendën tonë. Në këtë proces duhet të kyçen të gjitha palët në mënyrë që të sigurojmë zgjidhje cilësore për sfidat e arsimit në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button