Doping, ‘tërmet’ në peshëngritjen shqiptare, Godelli e Pulaku pozitiv në testin e parë
Peshëngritja shqiptare po pëson një ‘tërmet’ të vërtetë. Pas Romela Begajt dhe Hysen Pulakut, edhe kampioni shqiptar i botës në peshëngritje, Daniel Godelli, ka rezultuar pozitiv në testin e parë antidoping të bërë pas Botërorit të Kazakistanit.
Zyrtarisht në adresë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka ardhur përgjigja e analizave, sipas të cilave edhe kampioni i botës, Daniel Godelli rezulton pozitiv. Federata Botërore e Peshëngritjes në faqen e saj zyrtare raporton se “testi i marrë nga Daniel Godelli, ka evidentuar gjurmë të substancës së ndaluar stanozolol dhe si rrjedhojë sportisti është pezulluar pasi mund të ketë thyer rregullat e anti-dopingut.”
Daniel Godelli u shpall kampion bote në peshën 77 kg, duke marrë 2 medalje ari dhe 1 argjendi në kampionatin Botëror të Kazakistanit.
Vetëm disa ditë pas lajmit se Kampionia e botës në peshëngritje, Romela Begaj kishte rezultuar pozitive në testin e parë anti-doping, një ditë më parë edhe nënkampioni i Europës për moshën nën 23 vjeç Hysen Pulaku rezultoi pozitiv. Në kampionatin e 23-të europian për U- 23 që u zhvillua në Limasol të Qipros, Pulaku fitoi tri medalje: dy argjendi dhe një medalje ari. Në shkëputje, 22-vjeçari do të nderohej me vendin e dytë kontinental; kampion Europe në stilin e shtytje dhe në dygarësh merr medaljen e argjendtë me 369 kg të ngritura në total. Në stilin e shkëputjes Pulaku ka qenë superior në të tria provat. Vetëm një ditë më parë këtij sportisti iu akordua nga Këshilli i Qarkut të Elbasanit dhe një certifikatë “Mirënjohje e Qarkut Elbasan”, e cila iu dorëzua nga kreu i këtij qarku, Eugen Isaji.
FSHP: PRESIM TESTIN B. NË RAST SE VËRTETOHET DOPINGU, MASA NDËSHKIMORE
Zëdhënësi i Federatës Shqiptare së Peshëngritjes, (FSHP) Agron Haxhihyseni ka reaguar lidhur me lajmin se dhe dy peshëngritës të tjerë kanë rezultuar pozitivë me substancën antidoping. FSHP shprehet se duhet të pritet deri në daljen e rezultateve përfundimtare të testit B, dhe në rast se vërtetohet dopingu, do merren masa si ndaj sportistëve, por dhe vetë komitetit drejtues të këtij sporti.
“Në lidhje me lajmin e përfshirjes dhe dy peshëngritësve të tjerë, pjesëmarrës në kampionatin botëror të peshëngritjes
në Kazakistan, në listën e të dyshuarve për doping, FSHP garanton mbështetje për cdo peshëngritës të ekipit kombëtar, për punën dhe angazhimin e tyre, me të cilën ndër vite i kanë dhënë shumë medalje Shqipërisë. FSHP shpreh angazhimin se pas daljes përfundimtare të analizave të testit B, të sportistëve të dyshuar, do të bëjë të mundur, transparencën, hetimin dhe daljen e përgjegjësive, duke filluar nga vetë FSHP, dhe kryesisht nga komiteti drejtues i FSHP”.
ROMELA BEGAJ POZITIVE NE TESTIN E PARE
Ende në delirin e historisë që bënë në Botërorin e të rriturve në Almati të Kazakistanit, erdhi lajmi shokues nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF): Romela Begaj me doping. Në një njoftim të bërë në faqen e saj online në vetëm pak rreshta (http://www.iwf.net/ 2014/12/04/public-disclosure-5/ ) dhe të vënë në dijeni për palën shqiptare më 1 dhjetor, IWF-ja ka bërë të ditur se peshëngritësja shqiptare ka rezultuar pozitive në testin e antidopingut me substancën stanozolol. Gjithashtu në njoftim, Federata Botërore bën të ditur se si rezultat i kësaj prove peshëngritësja do të pezullohet për momentin në pritje të kryerjes së testit B dhe seancës dëgjimore përballë panelit ndërkombëtar. Mes të tjerash, federata shtoi se nuk do të ketë asnjë deklaratë tjetër mbi këtë çështje deri në përfundimin e çështjes në fjalë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka dyshimet e tij se kjo mund të ketë ndodhur përgjatë ditëve të qëndrimit në Almati të Kazakistanit. Sipas tij, i gjithë ekipi kombëtar, në një periudhë 6- mujore stërvitje në Greqi, kishte realizuar tre kontrolle antidoping. “Kontrolli i fundit u bë dy ditë përpara Botërorit të Kazakistanit dhe rezultoi negativ. Nëse ka ndodhur diçka, atëherë është bërë në Almati”.
Çfarë është substanca e stanozololit
Analizat antidoping, të cilave u është nënshtruar Romela Begaj, kanë zbuluar se peshëngritësja shqiptare ka përdorur substancën e stanozololit. Kjo substancë është sintetike dhe përdoret kryesisht për kurimin e anemisë, si dhe disa sëmundje të tjera. Stanozololi ndihmon në rritjen e masës muskulore, shtimin e rruazave të kuqe në gjak dhe forcimin e kockave. Përdorimi i kësaj substance te njerëzit lejohet që prej vitit 1962, ndërkohë që prej vitit 1974, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) e ka vlerësuar atë si një substancë të ndaluar për sportistët. Ky lloj dopingu nuk është një risi në botën e sportit, pasi në të kaluarën shumë sportistë kanë paguar pasojat e përdorimit të tij. Me përdorimin e substancës së stanozololit kanë rezultuar pozitivë në të kaluarën dhe kampionë të mëdhenj si Ben Xhonson, që humbi titullin olimpik në garën e 100 metrave në Olimpiadën e “Seul 1988″, apo rusja Ivanova, e cila u pezullua për dy vjet në vitin 1997 dhe ju hoq medalja e argjendtë në Botërorin e Atletikës në garën e 10000 m. (BalkanWeb)