Meta një javë kohë Bashës për të shpëtuar mandatet

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Parlamentit, Ilir Meta, i kanë dhënë edhe një javë kohë liderit të opozitës, Lulzim Basha, për të shpëtuar mandatet e Partisë Demokratike, çka jo vetëm do të ishte vetëvrasje politike për opozitën, por mund të provokonte dhe tensione politike në vend.

Edhe pse 18 dhjetori ishte caktuar si fundi i këtij sesioni parlamentar, Rama dhe Meta kanë vendosur t’i shtyjë punimet e Kuvendit deri në datën 24 dhjetor. Teksa faktori ndërkombëtar është vënë në lëvizje për të kthyer PD në Kuvend, mazhoranca qeverisëse, pasi i plotësoi kërkesat e PD, ka ndërmarrë një tjetër lëvizje për t’i dhënë më shumë kohë dyshes Berisha-Basha për të menduar mbi fatin e mandateve të deputetëve të PD. Kështu, në rendin e seancës së sotme do miratohet një tjetër kalendar i punimeve të Kuvendit për periudhën 12-24 dhjetor 2014.

Ky vendim vjen pas negociatave intensive midis opozitës dhe mazhorancës, për të kthyer PD në Kuvend, para skadimit të afatit 6 mujor që djeg mandatet e deputetëve. Ndërkohë, aleatët dhe deputetët e PD kanë ushtruar presion mbi dyshen Berisha-Basha për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit. Së fundmi, edhe Dash Shehi dha sinjalin se do të ndërmerren vendime personale sa i takon bojkotit. Kreu i LZHK-së theksoi se shpreson në një kompromis për kthimin në bllok të opozitës në Kuvend, pasi në të kundërt, nëse gjërat shkojnë në ekstrem, vetë ai, por edhe të tjerë do të detyrohen të marrin vendime personale, për të mos djegur mandatet e deputetit, duke u kthyer në Kuvend.

Ai tha se LZHK se nuk do të mbetet peng i vendimeve politike të opozitës, përsa kohë këto vendime nuk shërbejnë për të përmbushur një mision të caktuar. “Bojkoti është si greva e urisë, greva nuk është për të vdekur, por për të sensibilizuar”, tha Shehi. Ai vlerëson dhe hapat që mazhoranca ka ndërmarrë në plotësimin e kërkesave të opozitës, për rikthimin në Kuvend, ngritjen e dy komisioneve dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Deputetët dhe aleatët Dyshja Berisha-Basha ndodhen në një situatë tepër komplekse sa i takon bojkotit të Kuvendit. Synimi i tyre është të djegin mandatet e deputetëve, si e vetmja mënyrë për të krijuar trazira në vend dhe për të dobësuar pozitat e qeverisë.

Por, në fakt plani Berisha-Basha nuk gjen mbështetjen e pjesës dërrmuese të deputetëve demokratë dhe të aleatëve. Deputetët si Bedri Hoxha, Roland Keta, Mesila Doda, Igli Cara, Majlinda Bregu, etj, janë shprehur kundër bojkotit të Kuvendit dhe kurrsesi nuk do të lejonin djegien e mandateve të tyre. Gjithashtu, edhe aleatët e PD si kreu i LZHK, Dashamir Shehi, kreu i PDK, Nard Ndoka, deputetët çamë, Republikani Fatmir Mediu kanë paralajmëruar se nuk do të shkojnë në djegien e mandateve. Ndoka dhe çamët në fakt e kanë thyer me kohë bojkotin e Kuvendit, pasi kanë marrë pjesë rregullisht në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare. /sotnews

Lajme të ngjashme

Back to top button