Lypja, mbijetesë apo biznes i pistë?

Lypsarët janë bërë pamje thuajse të pashmangshme në shumicën e qyteteve europiane, ballkanike dhe të atyre në Maqedoni. Dhe derisa një pjesë e tyre mbijetojnë në këtë mënyrë, të tjerët prej lypjes kanë krijuar një biznes shumë fitimprurës.

Shtrohet pyetja se, a është lypja nëpër rrugët e qyteteve të ndryshme pasqyrim i varfërisë, biznes i majmë kriminel apo realitet shoqëror? Si, përse dhe kush i organizon lypjet? Çka bëjnë institucionet përkatëse në parandalimin e lypjes së organizuar të të miturve? Si të ndalohet kjo “punë” e detyrueshme e fëmijëve?

Janë këto pyetje të cilave assesi nuk mund t’u jepet përgjigjja.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, shtetet nënshkruese e njohin të drejtën e fëmijëve që të jenë të mbrojtur nga format e diskriminimit, keqpërdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik, si dhe nga çfarëdolloj pune, potencialisht, të rrezikshme që mund ta dëmtojë edukimin dhe zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe social.

Por, realiteti është krejt ndryshe!

Në rrugët e qyteteve ballkanike, sidomos në ato të vendit tonë, posaçërisht gjatë verës, lypjen që e bëjnë fëmijët, zakonisht ata të moshës së njomë, është shumë e theksuar.

Është për t’u habitur se, vendet që më së tepërmi vërshohen  nga viktimat e kurthit janë zakonisht zonat përreth udhëkryqeve, xhamive, spitaleve, varrezave, tregjeve etj. Përse pikërisht këto hapësira? Sepse thjesht, janë vendet më të frekuentuara dhe për këtë vendosin ”punëdhënësit” e këtyre “punëtorëve” të vegjël.

Edhe pse duket e çuditshme, lypja edhe në Perëndim është bërë një biznes i vërtetë. Individë të caktuar kanë fituar aq shumë saqë kanë ndërtuar shtëpi luksoze, ndërsa një numër jo i vogël kanë llogari bankare të konsiderueshme.

Natyrisht, shumica e lypsarëve gjenden në prag të ekzistencës financiare dhe morale, por ka edhe prej tyre që u lulëzon “tregtia”.

Thuhet se në Nju Jork është themeluar një shkollë për lypje ku nxënësit mësojnë artin e të lypurit. Në Amerikë si lypsarë të popullarizuar njihen: Breadline Charlie, George Gray, Robert Ingels, Rose Dym etj. Fitimi ditor i këtyre personave është më i lartë se paga mujore e shumë inxhinierëve, profesorëve, mjekëve apo ekspertëve të lëmive të ndryshme.

Dhe në fund parashtrohet  pyetja: A është lypja vepër penale dhe a ka ligj që parashikon mundësinë për heqjen e lypsarëve nga rruga?

Nuk e di  se kush do të ishte më i udhëzuari për një përgjigje të mirëfilltë!

E shkrova këtë artikull, jo se dua t’i qortojë të varfrit – ngase ata vërtetë janë në gjendje shumë të vështirë dhe ndihma për ta është e padiskutueshme, ndërsa mënyra se si të bëhet kjo me siguri e dinë institucionet që duhet ta dinë – por që të gjithë ne të bindemi se fjala “LYPJE” gjithnjë  e më tepër po shndërohet në shkencë të pavarur, me rregullat dhe yjet e saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button