“Xhi si do i thaush” versus “xhi si mos i thaush”

Më duhet që në fillim të jem paksa më i hapur dhe i sinqertë dhe të pranoj se para se me ardh këtu pata pak zahmet për si me e përcjell këtu para jush atë që doja ta them për këtë temë dhe këtu para jush. Në fakt ajo që dua ta them nuk është edhe aq e komplikuar dhe mund edhe shkurt të thuhet: edhe minimumi i manifestimit të dashurisë ndaj ndonjë përkatësie përkon me aksion. Kjo mund kështu të duket e ndërlikuar si mua titulli i këtij debati që më shkaktoi zahmet; po në fakt është diçka shumë e kuptueshme nëse vazhdojmë ta shtjellojmë më tej. Së pari për përkatësinë; çka janë ato vija identitare që janë të rëndësishme si përkatësi dhe si në manifestimet e tyre duhet patjetër të ketë aksion; pra në përkatësitë si qytetar i Maqedonisë, tetovar, shqiptar, mysliman, student, intelektual e tregtar, dhe çka do tjetër që kemi si përkatësi dhe vijë identitare. Si dashuria dhe lidhja ndaj tyre ka një manifestim i cili është vepër dhe aksion.

Tani pasi isha i sinqertë dhe pranova se pata vështirësi për përgatitjen këtu para jush më duhet të tregoj edhe si e hoqa atë zahmet. Duke qenë se jam i modës së vjetër, nuk mu kujtu menjëherë të bëj search në google, por bëra një si search në leximet që kam pas e që janë shndërruar tani në kujtime dhe u drejtova ka disa rafte nëpër shtëpi ku kam libra që i kam lexuar. E para që gjeta në kujtesë për dashurinë manifestimin e përkatësisë ishte se mu kujtua një varg i shkurt por që shumë shpjegon këtë relacion që dua ta shpjegoj: Shumë sosh thuan se e duan Lejlën, por pak prej tyre për Lejlën punon. Lejla si e dini është versioni oriental i Julisë, e dashura e Mexhnunit që është diçka si Romeo te Shekspiri. Po tash në globalziëm, sidomos me “Një mijë e një netët” dhe së fundmi edhe me Eric Clapton-in, “Lejla” njihet më universalisht si; kible e dashurisë. Ajo është; herë vendi, herë kombi, herë e dashura dhe i dashuri, por edhe më lart; ndonjëherë edhe Zoti vet, Atij i kofshim falë.

Gjëja tjetër që gjeta mandej kur u drejtova ka raftet që duken si bibliotekë ishte një libër i moçëm nga Voltaire; Zadig ose libri i fatit. Është ky një libër jo aq i njohur i Voltaire, por mbetet prej librave më me ndikim të tij e në fakt njëri prej më të rëndësishmëve në historinë e njerëzimit e që flet për fatin. Librin unë e kam lexuar në gjuhë tjera, por me sa dij është i përkthyer edhe në shqip, kurse në frëngjisht dhe anglisht lehtë gjendet i tërësishëm në internet për ta lexuar; pasi fuqishëm ua rekomandoj për lexim. Tani pse e përmend këtë libër përveç rëndësisë së tij të madhe është një fragment i shkurtë nga aty; që zgjodha ta tregoj për të sqaruar krejt sistemin, ende më gjerë se eko sistemi, sistemin njerëzor të jetës, dashurisë dhe aksionit. Aty në atë fragment një femër vajton pas të dashurit të vet që ka vdekur e të cilin e ka varrosur pranë një përroi. Ajo kryesisht vajton me një zotim, se do vazhdojë me vajtimin deri sa uji dhe përroi të kalojnë aty pranë atij varri. Për më shumë njëmend duhet të lexoni këtë libër, kurse episodin e dytë të fragmentit e lë për në fund që të më ndihmojë për paraqitjen time këtu.

Unë pra mendova dhe zgjodha të flas për sistemin ende më të gjerë se eko sistemi, në fakt më gjerë si  shprehje, pasi edhe ky eko sistemi ka ndërlidhje mjaft të gjerë. Sistemin që përfshin edhe përkatësitë tona, manifestimin e dashurive ndaj tyre dhe si ato konsistojnë në aktivizëm. T’ia nisim prej më së larti, apo prej më së thelli, nga feja; që është komponentë e rëndësishme e asaj që kemi si sistem funksionimi civilizues dhe kulturor. Këtu do ju përcjelli tre tradita myslimane; hadithe apo porosi pejgamberike, që thellë na shpjegojnë dhe na mësojnë për aktivizmin dhe brengën ndaj mjedisit.

1)       Secilit mysliman që mbjell një fidan apo një pemë prej së cilës hanë njerëzit, kafshët dhe shpezët, do t’i llogaritet sadaka.

(këtu pra llogaritet sadaka; dhënie, sakrificë dhe përpjekje e merituar për shpërblim edhe vetëm mbjellja e fidanëve dhe gjelbërimi.)

2)       Shtatë personave nuk u ndërpriten shpërblimet edhe në jetën e varrit pasi të vdesin: atij i cili mëson dikend dituri, kush sjell (në ndonjë vend) lumin (ujin), atij që gropon ndonjë bunar, që mbjell ndonjë pemë, që ndërton xhami, që lë trashëgimi mus`haf, dhe atij i cili pas tij lë një fëmijë i cili lutet për të pas vdekjes së tij.

(këtu pra: sjellja e ujit, mbjellja e pemës dhe gropimi i një bunari janë kategorizuar në të njëjtën gradë me fëmijën e hairit, shpërndarjen e dijes dhe ndërtimin e xhamisë)

Dhe e treta që mendoj se është një fjalë ende më ashiqare e përkrahjes së aktivizmit në manifestimet tona të dashurisë:

3)       Po qe se bëhet Kijameti, e në duart e ndonjërit prej jush ndodhet një farë e pemës, dhe mund ta mbjellë atë para se të ndodhë, le ta mbjellë!”

Se pse kjo  e treta më duket më sqaruese për krejt atë që dua ta përcjell është se aktivizmi, mundi dhe përpjekja ka dy probleme të mëdha nëpërmjet të cilave hyn indiferentizmi dhe apatia.

E para prej këtyre është përgjegjësia për suksesin e mundit, sakrificës dhe aksionit. Këtu pra ajo na hiqet si dert e zahmet, si shqetësim për suksesin e aksionit; edhe atë në mënyrë më eklatante; pra duke na sqaruar se edhe në pa ardhmëri, në kiamet, duhet bërë aksionin; se ne jemi të urdhëruar për aksionin dhe jo suksesin dhe ardhmërinë, të cilat nuk varen prej neve. Manifestimi i dashurisë është në aksionin tonë e jo në suksesin dhe të ardhmen. Kjo është një gjë që vazhdimisht do duhej të na binte ndër mend; pasi e kundërta është gabim; sikur dikush të mos shfaqte dashurinë, të mos thoshte asnjëherë se e don dikë, vetëm pse mendon se ajo gjë nuk do funksiononte, nuk do sjelle sukses e as ardhmëri. Ose si thonë këtu te ju: “E xhi si do i thaush?”

Problemi i dytë, e që shpesh është keqkuptuar se vjen nga feja, e në fakt është gabim që bëjnë njerëzit kudo dhe kurdo; është gracka e fatalizmit; arsyetimi me të ardhmen të determinuar, e pa pjesëmarrjen tonë në të. Se kjo është gabim dihet qartë nga liria dhe përgjegjësia jonë që kemi si njerëz. Nëse jemi të lirë dhe përgjegjës për veprimet tona si mund të arsyetohemi me robërinë dhe papërgjegjësinë. Në fe kjo është kështu; nëse ne kemi fidanin dhe tokën dhe duart për ta mbjellë atë si mund që të mos jemi përgjegjës  për këtë mbjellje dhe në rast kur e bëjmë atë mbjellje të jemi edhe të shpërblyer.

Të kthehemi tani te dashuria dhe aktivizmi në manifestimin e saj, por edhe që në fund tua përcjelli episodin e dytë nga fragmenti prej librit të Voltaire; që ju mbeta borxh: mandej thotë treguesi në libër për atë se çka ka bërë ajo gruaja më pas: atë grua herën tjetër e pash duke u munduar që të ia ndryshojë rrjedhën atij përroi; kjo pasi ishte zotuar se do vajtonte deri sa përroi të rrjedhë pranë atij varri?!

Kjo edhe është se si fatalizmi demantohet vetvetiu. Vetëm me mosvazhdimin e tij; kjo sidomos në gjërat që janë të domosdoshme njerëzore si jeta, liria dhe ajri i pastër; ashtu askush nuk mund të thotë: vdis, robërohu ose mos merr frymë; vetëm duke kujtuar se aksioni nuk sjell ndonjë rezultat ose ardhmëri. Pra; përgjigjja për: “e xhi si ti thaush?” është gjithmonë “e xhi si mos ti thaush?”, Të robërohemi? Të vdesim apo të mos marrim frymë fare?

Ramadan Ramadani

(teksti është pjesë e redaktuar e prezantimit në tribunën “Ndotja e ajrit dhe ndikimi i tij në eko-sistem”, e mbajtur në UEJL Tetovë me 09 12 2014, në organizim të Parlamenti studentor dhe Eco Guerilla)

Lajme të ngjashme

Back to top button