Loja me universitetin

Nuk është asgjë e re! Ka filluar vite më parë. Filloi atëherë kur nga një institucion serioz me përvojë tridhjetëvjeçare e i dëshmuar për ngritjen e kuadrove shkencore të nivelit jo vetëm evropian,  nisi lufta për ta shndërruar në institucion eksperimental. Kjo ndodhte për të kënaq oreksin e mediokriteteve e karrieristëve pa fijen e kapitalit shkencorë të nivelit universitarë. Kjo bëhej nën parullën” urra, burra në reformim të universitetit se kështu e kërkon Evropa… “! Dhe ja, ky është rezultat i “rre-formave” , lexoje mirë: RRE -forma, që do të thotë forma të rrejshme… ! nuk ke si e pagëzon ndryshe! LOJA PULQORR ME UNIVERSITETIN!

Kjo është e thënë më së buti! Sepse, po të shpreheshim me atë që e meritojnë këto sjellje të faktorëve, kinse elitare e meritore të Kosovës ndaj Universitetit, do të  duhej përdorur tjetër terminologji.

Me shumë çka është bërë dhe po bëhet lojë në Kosovë. Nga shumëkush, vendorë dhe jo vendor! Përgjegjësia kryesore për këto lojëra u bie vendorëve. Le të përpiqen sa të duan të maskohen dhe t `ua hedhin fajin jo vendorëve, këtë kurrë nuk mund t`ia shesin askujt, përjashtuar ndonjë matrapaz që është i prirë t`i iki përgjegjësisë individuale për të ndërtuar karrierë apo përfitime materiale. Të gjithë duke u thirrur në reformat e karakterit evropian, pa e shikuar fare gjeografinë as historinë e Evropës dhe atë të Kosovës.

Më e reja dhe që është aktuale është kjo loja me Universitetin publik të Prishtinës – jo të Hasan Prishtinës. Nuk po e quaj me emrin e tij, me qëllim që të mos e fyej Hasan Prishtinën, i cili shkriu pasurinë për ardhmërinë  dhe lirinë e vendit dhe të popullit të vet, edhe për ngritjen e njerëzve  me dije… , ndërsa sot, atë liri që është arritur falë vizionit të Hasan Prishtinës, përfshi këtu edhe Universitetin, përpiqen ta shkrinë për qëllime individuale, klanore, apo parti politike , të nxitur nga epshi materialist, karrierist, e ku ta dish se për çka… tjetër… por për Kosovën dhe popullin e saj, jo!

Kjo nuk diskutohet fare!

Ani kush po i prinë kësaj loje, se…?! ani çfarë rruge kanë zgjedhë se…. ? !

Të strukur nën ombrellën e UÇK-ës, lexoje mirë e ngadalë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të ambalazhuar me mbiemra ndaj të cilëve ka respekt çdo qytetar i Kosovës.

A nuk është kjo një lojë prej atyre më të fëlliqurat?!

Si mund të emërtosh ndryshe veprimet e dikujt që ka qenë në gjendje të shes donacionet e  ardhura në Kosovë për vlerat e UÇK-ës, e ky i shet për nevoja të vetat! Ç` kuptim ka veterani…i UÇK-ës, kur nën këtë ombrellë gjejnë vend të strehohen fëmijët e baballarëve biznesmenë, të nënave funksionare me përgjegjësi publike për të ardhmen e Kosovës, mbesat e tezeve apo të dajave… që nuk ia dinë skajin kapitalit të fituar kush e di se si, në emër të luftës së UÇK-ës… ?!

Ç`kuptim ka marrë sot lufta e UÇK-ës? Luftë për çlirimin e Kosovës, apo luftë  për përfitimin e diplomave universitare… dhe këtë në emër të tezeve e dajave apo të xhaxhallarëve dëshmorë të UÇK-ës? Ani të universitetit publik të Prishtinës… ? Ka lojë më të ndytë se kjo? ! Të shkelësh mbi gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës vetëm me arsyetimin se e ke mbiemrin e filan dëshmorit…, se e ke dajë, axhë apo teze, e kushëri të babës akëcilin patriot që flijoi jetën për ardhmërinë e Kosovës – sigurisht jo për matrapazët materialistë e karrieristë, të cilët për të arritur te qëllimi nuk zgjedhin mjete!  Çfarë çmimi ka vallë futja në listën e fëmijëve të dëshmorëve e të veteranëve të luftës së UÇK-ës?! Këtë dikush e din dhe nuk duhet ta mbajë nën rrogoz, nëse ia do të mirën Kosovës dhe nëse e çmon gjakun  e dëshmorëve e të rënëve tjerë për Kosovën e lirë! Nëse e ndien vetëm  pak, krejtësisht pak, barrën që mbajnë në zemër nënat që akoma presin të varrosin bijtë e tyre që nuk u flijuan për indekse e diploma universitare,  jo as për xhipat e shoqatave të veteranëve të sotëm, por për lirinë e Kosovës.

 A nuk është kjo një lojë që fyen rëndë një plejadë të tërë luftëtarësh që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës dhe ka familjarë të atyre që nuk gëzojnë as kujdesin më të vogël, për atë çka kanë flijuar! A nuk është kjo një lojë prej më të egrave që luhet  mbi fytyrën e një brezi të tërë që mezi e shpëtuan Universitetin për t`ia lënë brezave që meritojnë jetë e shkollim me dinjitet në vendin e vet?

A nuk mendojnë pak, ata që i kanë hy kësaj loje, se në Kosovë akoma ka të gjallë që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-ës, të UÇPMB-ës edhe të UÇK-ës(M) dhe i njohin, si paren e kuqe -se kush kanë qenë në luftë të UÇK-ës dhe se kush i ka blerë uniformat e UÇK-s me 13, 14… qershor, 1999 në Prizren e gjetiu për 10(dhjetë) marka… sa për të dalë në fotografi dhe për të uzurpuar ndonjë pozitë, me meritë a pa meritë, në shpinë të atyre që të dërrmuar nga lufta, më 12 qershor 1999 akoma u ushtonin veshët nga krismat e armëve dhe as gjumin nuk e bënin të qetë nga ëndrrat duke bartur shokët e plagosur a të vrarë mbi shpinë për t`i tërhequr nga territori i okupuar nga armiku?!

Këta ishin që e bënë luftën! Gjaku i tyre e çliroi Kosovën – jo për diploma universitare të fëmijëve të tyre, as për bijtë e motrave apo të vëllezërve të tyre, por për jetë me dinjitet të tërë fëmijëve të Kosovës. Këta ishin ata që luftuan për lirinë e Kosovës, jo për regjistrim kuturu të nipave e mbesave në universitet, sikur të ishte Universiteti sallon dasmash ku duhet të zënë vend të preferuarit e të zotit dasmës!

Nuk skuqen pak kur e përmendin luftën e UÇK-së?! Nuk u vjen pak turp nga hija e mixhallarëve apo t afërmve tjerë që kanë dhënë jetën për liri, e prindërit e tyre mbajnë pozita e biznese në Kosovën e lirë, kurse këta kontrabandojnë e manipulojnë me lista të falsifikuara për të marrë një indeks në Universitetin publik!

Të gjallëve u takon ta konstatojnë me sinqeritet dhe drejt, janë 17000 , 27000,  apo 70000 luftëtarë të UÇK-së.! Nëse heshtin i pafshin hairin bashkë hajdutërisë në emër të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës!

Edhe kjo lojë me universitetin do të gjejë fundin e vet! Çfarë çmimi do të paguaj varet nga disa faktorë.

Mbetet hapur pyetja deri kur do të lejojë njeriu i Kosovës lojërat e tilla? Kur do të krijojë mekanizma parandaluese të këtyre lojërave? Kur do të marrë guximin që secilit fenomen t`i vejë emrin e saktë? A kanë fund këto lojëra?

E di vetëm një rrugë për eliminim e gjithë këtyre.

Ajo është humanizimi i sistemit edukativ arsimor dhe secili individ apo institucion që thirret në emër të Kosovës, të marrë mbi vete përgjegjësinë që i takon. Rektori të vazhdojë punën e vet për ta shpëtuar Universitetin, bajraktari i shoqatave të veteranëve të UÇK-ës t’i kthehet angazhimit për ta shpëtuar LUFTËN E USHTRISË ÇLIMITARE TË KOSOVËS nga luftëtarët e pasluftës!

Lajme të ngjashme

Back to top button