Maqedoni, historia (mos të) shkruhet nga autorë anonimë dhe paragjykues!

Vite me radhë evidentohen gabime të shumta faktografike, përmbajtësore por edhe gjuhësore në tekstet shkollore të fushës së historisë, të cilat shpesh prodhojnë edhe paragjykime etnike. Dioptria e trajtimit nga historiografia shqiptare dhe maqedonase e së kaluarës së afërt dhe të largët të dy popujve të ndryshëm gjithmonë është e ndryshme.  Si të tejkalohet kjo gjendje dhe të mos përsëriten gabimet në tekstet shkollore të lëndës së historisë në arsimin fillor dhe të mesëm? Profesori i historisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës(USHT), Zeqirja Rexhepi ka ide autentike lidhur me tejkalimin e problemeve etnike në shkrimin e historisë.

Historia e Ballkanit duhet rishikuar dhe rishkruar nga historianë neutral joballkanas për shkak se praktika e deritashme ka treguar qartë se historiografia e popujve ballkanas është e “robëruar” nga interesat e kombit vetanak, andaj është e pafuqishme të shpalos realitetin historik. Me realitetin e rishikuar dhe rishkruar historik duhet të edukohet dhe të frymëzohet brezi i ri, përmes sistemit arsimor të reformuar, me tekste të cilat do të ishin të detyrueshme për të gjithë “pretendentët” drejt Evropës së Re të shekullit XXI”, u shpreh historiani Rexhepi.

Sipas tij rrjedhojë e rishikimit dhe rishkrimit të historisë së popujve ballkanikë do të ishte eliminimi i gabimeve të shumta shkencore në tekstet e historisë, të cilat vende-vende janë skandaloze.

Historianë neutral

Rexhepi ka argumente e shtesë rreth idesë së tij. Ai mendon se shkruesit e historive kombëtare të popujve ballkanikë janë të barikaduar pas mitit kombëtar, prandaj ata shkruajnë dhe flasin për të kaluarat e “lavdishme”, ndërsa disa prej tyre shkojnë edhe më larg duke shkruar “historinë kombëtare antike”! Sipas historianit Rexhepi aktualisht, frymëzimi historik i brezit të ri është krejtësisht në kundërshtim me frymën e re të bashkëpunimit të popujve, pra në kundërshtim edhe me proceset bashkëkohore euro-integruese.

Historianët maqedonas janë kategorikisht kundër idesë që historinë shkollore ta shkruajnë autorë të huaj përkatësisht evropianë. Katerina Todorovska ështëhistoriane dhe profesore në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup (IHN)“Autorët e huaj mund të shkruajnë libër të bukur mbi historinë, të cilin mund ta shfrytëzojnë vetë ata. Neve assesi. Nga shkaku i thjeshtë se ne jetojmë në këtë hapësirë, ndërsa paraardhësit tanë e kanë jetuar historinë tonë”, mendonTodorovska. Ajo ofron zgjidhje që në fillim të vitit që vjen kuadrot shkencore por edhe praktikantët, maqedonas dhe shqiptarë të fillojnë me punë me qëllim që të hartojnë tekste solide nga lënda e historisë. Edhe profesoresha e historisë nga Fakulteti Filozofik të Universitetit të Shkupit, Violeta Açkovska nuk mbështet idenë e profesorit Rexhepi. “Gjithçka që është e huaj nuk është më e mirë. Ne duhet të përshtatemi në kushtet dhe nevojat tona, sepse çdo shtet përgatit libra për vete dhe për atë që i përgjigjet” thotë Açkovska.

Qasje të ndryshme historiografike

Sevdail Demiri, punonjës shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH) u shpreh se tekstet shkollore në shqip nga lënda e gjuhës e letërsisë shqipe, historisë dhe muzikës duhet të shkruhen ekskluzivisht nga profesionistë të mirëfilltë shqiptarë, të cilët janë pjesë e arsimit apo institucioneve shkencore shqiptare në Republikën e Maqedonisë:

Këto autorë apo programe mësimore, duhet të koordinohen ngushtë me autorët apo programet mësimore nga lëmitë e njëjta në Shqipëri e Kosovë dhe natyrisht me përmbajtje specifike edhe për realitetin e këtushëm në Republikën e Maqedonisë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të tejkalojmë këto probleme njëherë e përgjithmonë”, mendon Demiri.

Historiani Rexhepi nga ana tjetër vlerëson se përgjegjësi për gabimet e shumta në librat e historisë duhet të kërkohen nga institucionet që porosisin tekstet dhe nga autorët. Sipas tij ka qasje të ndryshme historiografike mbi historinë e Ballkanit.

E vërteta për historinë e kombeve të Ballkanit i takon shek. XIX dhe XX. Gjithçka që ndodhi para kësaj periudhe  ishte histori e sundimeve dhe administrimeve perandorake. Në periudha të shkurtra kanë ekzistuar edhe shtete të sundimtarëve, të cilët nuk e njihnin shtetin-kombëtar. Ndërkaq, dihet mirëfilli se, perandoritë brenda sistemit të vet “integronin” bashkësi të ndryshme etnike. Kështu ishte Perandoria Romake, Bizantine, Osmane, Habsburge etj”, u shpreh Rexhepi.

Ndërsa profesorja Violeta Açkovska u shpreh se që të tejkalohen gabimet në hartimin e librave nuk duhet të ketë konkurse anonime, të cilat maksimalisht janë keqpërdorur.

Shpesh janë zgjedhur libra jocilësorë, të cilat kanë interpretime joshkencore, të thata, pa aparat përkatës profesional dhe didaktik, pa ide se si të promovohen komponentet edukative (morale, edukimi patriotik, respektimi i dallimeve, lufta për të drejtat e njeriut, zgjidhja e konflikteve përmes rrugës paqësore dhe para së gjithash pa mendim kritik. Duhet të formohen ekipe nga një ekspert i metodikës së mësimit të historisë, 3 ekspertë kompetent nga fusha dhe një praktikues mësimor. Të gjithë të kenë emër dhe mbiemër”, tha Açkovska.

Gabime gjuhësore dhe shkencore

Sipas Açkovskës një pjesë të përgjegjësisë për hartimin e teksteve shkollore mbajnë edhe recensentët. të cilët shpesh janë formalë dhe nuk lexojnë fare librat, në të cilat figurojnë si “recensentë”, prandaj shteti duhet të formojë ekipe profesionale dhe më pas dy recensentë të kontrollojnë librin, në kuptimin e përmirësimit dhe finalizimit.

Demiri konsideron se gabimet e teksteve shtrihen kryesisht në dy rrafshe, njëri është gjuhësor e tjetri profesional.

Problemet gjuhësore kanë të bëjnë me përkthime shumë të dobëta në gjuhën shqipe nga njerëz jokompetentë, kurse ato profesionale janë edhe më të komplikuara. Shumë bashkautorë apo recensentë shqiptarë që figurojnë nëpër këto libra shkollore, rëndomë nuk janë pyetur apo konsultuar për asgjë që kanë të bëjnë me përmbajtjen e atyre teksteve. Këta shqiptarë të papërgjegjshëm, janë mjaftuar dhe vetëkënaqur vetëm me honorarin e fituar, kurse fare nuk kanë çarë kokën për atë se çka kanë nënshkruar, apo se çfarë pasojash do të kenë gjenerata të tëra nxënësish shqiptarë në perspektivë”, u shpreh Demiri.

Librat e historisë nuk duhet të shkruhen me porosi

Ndërkohë historianja Todorovska vlerëson se librat e historisë nuk duhet të shkruhen me porosi, sepse historia është ajo që i mëson fëmijët të dallojnë ngjarjet pozitive nga ato negative.

Ngjarjet pozitive duhet të jenë tregues për hapërimin drejt së ardhmes. Mospajtimet mund të tejkalohen me organizimin e takimeve të përbashkëta midis kuadrit shkencor dhe arsimtarëve të shkollave fillore dhe të mesme, duke i përfshirë edhe nga brendia e Maqedonisë.

 Nëse duam të jetojmë së bashku duhet të punojmë diçka edhe për fëmijët tanë, që janë ardhmëria e këtij shteti. Gabimet tona nuk duhet t’i paguajnë gjeneratat e ardhshme.Ne duhet të ballafaqohemi me to dhe t’i korrigjojmë aq sa është e mundur”, u shpreh Todorovska.

Ndërkohë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi premtoi se tekstet shkollore do të korrigjohen në mënyrë sistemore dhe do të kërkohet përgjegjësi nga autorët dhe recensentët e librave, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

Para dy viteve u formua Komisioni për korrigjimin e teksteve të historisë, por nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret sa i përket përmirësimit të cilësisë së librave nga fusha e historisë. /Inbox-7

Lajme të ngjashme

Back to top button