Maqedonia në Grupin C të EuroBasket 2015

U përcaktua në Paris rruga që do të ndjekin 24 skuadrat pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian të basketbollit për meshkuj që do të zhvillohet nga data 4 deri në 20 Shtator të 2015-s.

Ky Kampionat Evropian do të jetë i veçantë pasi do të zhvillohet në 4 shtete të ndryshme pas tërheqjes së Ukrainës për shkak të situatës së vështirë politike që po kalon ky vend.

Në grupin A ndeshjet e të cilit do të zhvillohen të gjitha në qytetin e Montpellier të Francës, janë shortuar kampionët në fuqi të Francës së bashku me Finlandën, Bosnje Hercegovinën, Poloninë, Izraelin dhe Rusinë.

Në Berlin do të zhvillohen ndeshjet e grupit B, ku përveç Gjermanisë bëjnë pjesë edhe përfaqësuese të tilla si Spanja, Serbia, Turqia, Italia dhe Islanda duke bërë këtë grup një nga më të vështirët e Kampionatit Evropian.

Një tjetër vend organizator është Kroacia dhe në Zagreb do të zhvillohen ndeshjet e grupit C , ku do të ndeshen me njëra tjetrën përfaqësuese të tilla si Kroacia, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Gjeorgjia dhe Holanda. Maqedonia ndeshjen e parë do ta luaj kundër Greqisë.

Në Riga të Letonisë do të zhvillohet Grupi D ku janë shortuar Letonia,Lituania,Ukraina, Estonia, Belgjika dhe Republika Ceke. Kampionati Evropian i vitit 2015 vlen edhe për kualifikimin e skuadrave për në lojërat olimpike që do të zhvillohen në Rio De Janeiro 1 vit më vonë.

Pasi të përfundojë faza e grupeve të gjitha përfaqësueset e kualifikuara për më tej do të zhvendosen në qytetin e Lilë në Francë aty ku do të zhvillohet faza finale e kompeticionit.

Lajme të ngjashme

Back to top button