Digjet vetura e gjykatëses Gabriela Gajdova nga Velesi

Nuk kanë ndalur sulmet dhe djegia e makinave të gjykatësve të Gjykatës Themelore të Velesit në Maqedoni.

Brend tre muajve kanë ndodhur tre akte të tilla, derisa parmbrëmë është djegur edhe makina e një gjykatësje.

Sipas portalit “Nova”, mbrëmë është përfshirë nga flakët makina e tipit “Opel Astra” e gjykatëses Gabriela Gajdova nga gjykata e Velesit.  Zjarri i është vënë makinës të shtunën rreth orës 21.00 në oborrin e shtëpisë.

Gjykatësja para mediave nuk ka dashur të deklarohet për motivet e këtij sulmi.  Ajo ka theksuar se në momentin kur ishte djegur makina, nuk ka qenë në shtëpi, ndërsa informacionin për djegien e makinës e ka marrë nga fqinjët e saj.

Por edhe përkundër ndërhyrjes së zjarrëfikësve, është djegur plotësisht pjesa e përparme e makinës dhe motori.

Gajdova është shefe e njësisë për raste penale pranë Gjykatës së Velesit dhe se ajo të mërkurën duhej të sillte vendimin për djegien e një ambulante në fshatin Oreshe dhe për një rast tjetër të një vrasje.

Por deri tani asnjë nga rastet e tilla të djegies së makinave të gjykatësve nuk është zbuluar. Në muajin prill është djegur makina e ish-kryetarit të gjykatës së Velesit, Jordan Lazarov, ndërsa para një muaji është djegur makina e gjykatësit shqiptar Shefket Ademi, po nga gjykata e Velesit.

Lajme të ngjashme

Back to top button