Hedhurinat bllokojnë rrjedhën e lumit Shkumbin fare pranë Spitalit të Tetovës

Rrjedha e lumit Shkumbin në Tetovë fare pranë spitalit të Tetovës, është bllokuar nga hedhurinat që përmbajnë qese plastike, shtylla të thyera betoni dhe mbeturina të tjera.

Një pjesë e madhe e mbeturinave inerte, të hedhura nga firmat e ndërtimit, qëndrojnë aty prej vitesh, ndërkohë që të tjera mbeturina vazhdojnë të hidhen edhe në parkun në anën e djathtë. Banorët e lagjes përreth, pavarësisht rrezikut për përmbytje apo për epidemi, e arsyetojnë këtë sjellje me mungesën e koshave të mbeturinave, transmeton Alsat.

Drejtori i Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi ka kërkuar nga banorët që të përdorin koshat e spitalit se sa t’i hedhin mbeturinat në lum, pasi papastërtitë jo vetëm që dëmtojnë imazhin e institucionit shëndetësor, por rrezikojnë edhe vetë jetën e tyre.

“Mbeturinat që përmendët ju, vërtet e pengojnë mjaft spitalit, pamjes së spitalit. Papastërtia apo mbeturinat që hidhen në lum, ndalojnë në atë pjesë aty dhe i japin një pamje shumë të keqe spitalit apo kampusit, shtëpisë së shëndetit dhe Institutit për shëndet publik. I lus dhe u lë porosi qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm mbeturinat t’i hedhin në vendet e posaçme, dhe jo në lum sepse ndalen në pjesën e spitalit”, deklaroi Florin Besimi, Drejtor i SKT-së.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” i cili ndodhej jashtë shtetit, shprehet se kosha ka, por banorëve iu duket më afër shtrati i lumit për t’i hedhur mbeturinat. Ai tha se po të jetë nevoja, mund të dërgojë kosha të tjerë mbeturinash. Por, siç shihet nga pamjet, koshat e mbeturinave janë 500 metra më larg.

Lajme të ngjashme

Back to top button