Nxënësit e klasës së parë në shkollën “Emin Duraku”, bojkotojnë mësimin

Si pasojë e mos gjetjes së zgjidhjes nga Ministria e Arsimit, Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Bukoviç të Komunës së Sarajit, kanë vendosur që fëmijët e tyre ta bojkotojnë mësimin, transmeton Alsat.

Edhe pse ligji për arsim fillore parashikon që në një klasë numri i nxënësve të jetë nga 24-34, në klasën e parë të kësaj shkolle, procesin mësimor e ndjekin 39 nxënës.

“Jemi të pakënaqur nga ngecja e procesit për ndarjen e paraleles së klasës së parë e cila numëron 39 nxënës. Në bazë ligjore, kjo paralele i plotëson kushtet për ndarjen e saj. Prej sot, këshilli i prindërve ka marrë vendim që të bojkotojë procesin arsimor deri në sjelljen e pëlqimit nga Ministria”, deklaroi Zaim Mustafa, Këshilli i Prindërve.

Ndërkaq, drejtori i shkollës Besim Bajrami thotë se deri tani, ai ka dërguar dy kërkesa deri në Ministrinë e Arsimit përmes Komunës. Përgjigja nga dikasteri i Abdilaqim Ademit, sipas drejtorit të Shkollës, ka qenë se kërkesat janë në procedurë dhe pritet vendim nga Ministria e Financave.

“Momentalisht përgjigje deri më sot nuk kemi. Përgjigja e fundit është ajo e 14 nëntorit, ku si përgjigje është se kërkesa jonë është ende në procedurë dhe kur do të marrin përgjigje nga Ministria e Financave, atëherë do t’ju përgjigjemi. Kaluan më shumë se tre muaj dhe ne ende nuk kemi përgjigje për hapjen e paraleles”, tha Besim Bajrami, Drejtor.

Zv/ministri i Financave Ardian Xheladini tha se në dikasterin që ai përfaqëson, deri tani nuk ka mbërritur një kërkesë e tillë as nga Ministria e Arsimit, as nga Komuna dhe as nga shkolla. Prindërit paralajmëruan se në rast të mos zgjidhjes së problemi, mësimin do ta bojkotojnë të gjithë nxënësit e shkollës. Në këtë shkollë, mësimin e ndjekin gjithsej 374 nxënës në 17 paralele. Përveç nxënësve të klasës së parë, nxënësit e viteve tjera mësimin e ndjekin nëpër dy paralele.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button