Në entet shëndetësore do të realizohen kontrollet dhe intervenimet e caktuara

Në të gjitha entet shëndetësore sot do të realizohen kontrollet dhe intervenimet e caktuara edhe krahas mbajtjes së aksionit vjeshtor të “Ditës së drurit”.

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se të gjitha kontrollet e caktuara në ambulancat specialistekonsultative, në kabinetet për xhirime dhe procedura të tjera diagnostike, si dhe intervenimet  kirurgjike nuk do të shtyhen dhe për atë qëllim enteve u është urdhëruar që t’i ndërmarrin të gjitha masat organizative që këto kontrolle dhe intervenime të kryhen pa pengesa.

Pas analizës së të dhënava nga sistemi elektronik Termini im, është konstatuar se për nesër tashmë janë caktuar rreth 10.000 pacientë në termin të rregullt për kontroll dhe mbi 100 intervenime kirurgjike. Në interes të pacientëve është që kontrollet të kryhen në ditën e caktuar, me qëllim që pacientëve t’u ofrohet me kohë shërbimi shëndetësor.

Nga Ministria informojnë se shërbimet e tjera nëpër entet të cilat nuk janë të lidhura me termine të caktuara do t’i bashkangjiten aksionit “Dita e drurit” dhe këtë ditë plotësisht do ta punojnë, në pajtim me udhëzimet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button