Prindërit kryejnë obligimet e Ministrisë!

Nxënësit dhe prindërit e shkollave fillore dhe të mesme kryejnë punën e Ministrisë se Arsimit dhe Shkencës (MASH), pasi që këshilli i prindërve paguan sigurimin e shkollës, të cilën gjë duhej ta paguante vetë MASH-i.

Drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku thotë se nxënësit janë ata që paguajnë sigurimin dhe punësimi i këtyre personave ishte iniciativë e vetë prindërve.

“Në shkollën tonë kemi sigurim të cilin e paguajnë nxënës nga 150 denarë në çdo katër muaj. Punësimi i këtyre personave ishte iniciativë e vetë prindërve pasi që rinia shkon duke devijuar e kanë parë të arsyeshme që të jetë dikush që t’i mbikëqyrë ata”, tha për Portalb, Sadiku.

Prindërit e disa nxënësve të shkollës fillore “25 Maji” ankohen se kushtet ekonomike vështirësojnë mundësinë që të paguhet sigurimi nga vetë nxënësit.

“Nuk është që paguhet ndonjë shumë e madhe, por kur nuk ke mundësi, nuk mund t’i paguash as ato. Disa herë na ftojnë në mbledhje prindërore dhe ceket pagesa por tani nuk dimë çfarë të bëjmë edhe ne. duam sigurinë e fëmijëve tanë por për atë duhet të kujdeset MASH, sepse kjo shkollë nuk është shkollë private”, tha Afrim T., prind.

Zënkat janë bërë përditshmëri, fatkeqësisht, por disa prej tyre përfundojnë edhe në mënyrë tragjike, andaj është më se e nevojshme rritja e sigurisë në shkollë, pasi aty kalojnë më shumë se gjysmën e ditës, thonë prindërit.

“Edhe pse disa shkolla kanë sigurim, prapë ndodhin gjëra të tmerrshme. Mu në këtë shkollë humbi jetën një nxënës i klasës së tetë nga bashkëmoshatari i tij pas një zënke fëmijës. Ku ishte sigurimi në atë kohë? Pse paguhen ata? E njëjta ndodhi edhe në në një shkollë të mesme profesionale kohë më parë, e shumë e shumë raste të tjera për të cilat ne nuk kemi dëgjuar. Siguria në shkolla duhet të jetë më e lartë”, tha një prind tjetër.

Edhe pse këto shkolla janë shtetërore, sërish iu ngjajnë atyre privateve sepse vetë prindërit duhet të kujdesen për sigurinë si të shkollës si të vetë nxënësve pasi që MASH-i deri më tani nuk ka marrë iniciativë për këtë çështje.

Ndërkaq sa i përket kësaj çështje, redaksia Portalb nuk arriti të merr një prononcim nga MASH, se pse nuk paguhet sigurimi nga ky institucion. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button