FGSH-objektiv parësor ka angazhimin në një vijë të realizimit të platformës së PDSH-së

Forumi i Gruas Shqiptare pranë PDSH-së –dega në Strugë, dje në ambientin e Hotel “Drim” në Strugë realizoi aktivitetin kushtuar shëndetit të gruas. Me këtë rast e ftuar ishte edhe Prim.Dr.Flora Doko Lumani, e cila zhvilloi ligjëratën në lidhje me problemet e ndryshme në obstetrikë dhe gjinekologji, si dhe parandalimin e tyre.

FGSH vendosi që aktivitetin e saj ta orientojë në këtë drejtim, me qëllim për të ngritur vetëdijen te femrat për rëndësinë e vlerës së pakontestueshme jetësore – shëndetit dhe të sjellë më afër njohuri dhe këshilla për ruajtjen dhe përmirësimin e tij.

“Ky takim u organizua në suaza të kornizës programore të FGSH-së, që ka për synim vetëdijen dhe emancipimin e gruas, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive që duhet ti gëzojmë, mundësit e barabarta në arsimim, punësim, si dhe avancim në çdo aspekt. Këto takime janë shumë të dobishme dhe të rëndësishme për ti trajtuar çështjet dhe temat që na tangoje dhe na brengosin, e që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, luftën kundër devijimeve shoqërore dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Ne si forum duhet të bëjmë përpjekje maksimale për kujdesin e gruas shqiptare, për shkak se na mungon mbështetja dhe trajtesa institucionale”, deklaroi kryetarja e FGSH Merale Ferati.

Të pranishmeve iu drejtua edhe Kryetarja e FGSH – dega Strugë, Astrite Kaba:

“Këto aktivitete jo vetëm që do t’i shumëfishojmë, por do të organizojmë edhe të tilla me të cilat do të prekim tema të reja, mjaft të rëndësishme jo vetëm për femrën, por edhe për gjithçka që e rrethon atë, gjithmonë duke pasur parasysh avancimin e saj në çdo segment”  – tha mes të tjerash Kryetarja e FGSH – dega Strugë, Astrite Kaba.

FGSH – Dega në Strugë, në shenjë falënderimi i ndau doktoreshës Flora Doko Lumani mirënjohje për gatishmërinë e shprehur për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

Lajme të ngjashme

Back to top button