Basha: PD është përtërirë por jo tjetërsuar

Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Kryetari Lulzim Basha u shpreh se kjo forcë politike është përtërirë pas humbjes së zgjedhjeve, por nuk është tjetërsuar.

Ai u bëri thirrje drejtuesve të rinj që të jenë çdo ditë pranë qytetarëve për t’i dëgjuar, për t’i mbështetur, që ata të ndjejnë se nuk janë vetëm në braktisjen e  madhe që u ka bërë dyshja Rama Meta.

“Partia ka bërë analiza, por nuk ka bërë harakiri. Partia është përtërirë, por nuk është tjetërsuar. Një plejadë drejtuesish të rinj në mbarë vendin janë zgjedhur me vote të lirë. Anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, që nuk janë deputetë, apo drejtues të degëve, janë zgjedhur me votë të lirë nga Kuvendi më i madh në historinë e PD-së dhe çdo partie tjetër shqiptare. Sekretarët dhe krerët e departamenteve do të zgjidhen sot me votë nga Këshilli Kombëtar. Detyrë e dorës së parë e gjithë të zgjedhurve, e drejtuesve të çdo niveli, e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbetet ajo që kam nënvizuar në takimin me kryetarët e rinj të degëve dhe dua ta përsëris sot me forcë: Përtëritja duhet të vazhdojë, hapja duhet të vazhdojë. Hapja si mendësi duhet t’u dëshmohet jo vetëm atyre që duan të anëtarësohen në Partinë Demokratike, por mbarë simpatizantëve, qytetarëve, intelektualëve, shoqërisë në tërësi. Hapja është një koncept shumë i gjerë, është një sjellje, komportim njerëzor dhe demokratik,  hapja është të njohësh gjendjen e vendit, të jetosh me shqetësimet e qytetarëve; hapja është të  dëgjosh qytetarët, të reflektosh dhe të reagosh në bazë të shqetësimeve të tyre të drejta, të kërkosh dhe të vësh në lëvizje zgjidhje për qytetarët. Për këtë hapje kam folur. Për këtë hapje flas sot me theks akoma më të fortë, duke parë  me sy e  prekur me dorë hendekun e jashtëzakonshëm  që është  krijuar midis qeverisë  oligarkike Rama –Meta dhe qytetarëve shqiptarë pa dallim”- u shpreh Basha. /Ikub/

Lajme të ngjashme

Back to top button