Jankullovka: Nuk ka pasur asnjë lajmërim për keqpërdorimin e dokumenteve personale

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska e quan vepër të opozitës dhe njerëzve të saj, aferën e publikuar në të përjavshmen “Fokus”, lidhur me falsifikimin e pasaportave të Maqedonisë. Sipas Jankullovskës, Maqedonia nuk përpunon pasaporta, e aq më pak që të jetë e përfshirë në skandale që kanë të bëjnë me votues të paligjshëm.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor i cili është kompetent për organizimin e zgjedhjeve nuk ka paralajmëruar për ndonjë rast kur ka pasur tendencë për keqpërdorimin e dokumentit personal, gjatë vërtetimit të identitetit, por as edhe çfarëdo tjetër institucioni nuk ka paralajmëruar se ka pasur tendencë që dikush të identifikohet me dokument të falsifikuar apo të rrejshëm”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Jankullovska shtoi se deri tani nuk është raportuar as edhe për ndonjë rast kur dikush ka tentuar të kalojë kufirin me dokument të falsifikuar, në këtë rast me pasaportë të Maqedonisë. E pyetur se afera e publikuar në javoren Fokus, mund të jetë njëra nga bombat e paralajmëruara nga Zoran Zaev, Jankullovska ironizoi.

“Unë nuk merrem me Zaevin. Kam punë shumë më të rëndësishme dhe më serioze. Gjithkush i qaset publikut me atë që beson se duhet të paraqitet dhe me atë që beson se mund të fitojë besimin e qytetarëve”, u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Ndërkaq, ekspertët juridikë vlerësojnë se në rast se punishtja e përpunimit të pasaportave, është e vërtetë, atëherë imazhi i vendit do të dëmtohej rëndë. Osman Kadriu vlerëson se një rast i tillë do e shtonte më tej humbjen e besimit të qytetarëve tek institucionet shtetërore.

“Në rast se ndodh që vërtet ekziston një veprimtari e tillë, në brendinë e këtyre veprimtarive do të hasemi në vepra të rënda, jo vetëm falsifikim por edhe cenim të sovranitetit të shteti. Prandaj, këndvështrimi i shqyrtimit, goditjes dhe dënimit do të ketë natyrisht një peshë të veçantë, por përsëri me një rezervë që duhet ta shfaqin edhe tash se vallë a është e vërtet apo bëhet fjalë për ndonjë montim eventual”, deklaroi Osman Kadriu, Ekspert Juridik.

Lajme të ngjashme

Back to top button