I vetmi im
Duarlidhur nëpër shëllunga tymi
të përhumbur në dashuri
Nën dritat e pasionit
vitrinat e kuqe janë vetëm iluzion
E vërteta ime je ti.
Dora ime përvidhet mes gishtave të tu
Nën hënën që dremit si nuse
buzëqeshjet ushtojnë kalldërmave
Shpirti më çmallet me tëndin
Dashuria ime është një lum i rrëmbyeshëm
Sa mendon që mbytesh,
Del në sipërfaqe më fuqishëm.
Rendim bashkë duke shkundur dyshimin..
Prit pak! Më puth!
—Yjet bëhen pjesë e tokës..
Vazhdojmë..
Vetëm ne dy.
As qyteti nuk na zë për të madhe.
‘Të du be’
Më çmend, më hallakat.
Je vetëm i imi..
Të takoj vetëm ty!
Për ty do kaloja ditë në ferr dhe netë pa gjum.
Vetëm për ta dëgjuar buzëqeshjen më melodike në botë.
Vetëm për një çast kur hap sytë e shoh si duart e tua shpleksin flokun tim.
Për një prekje drithëruese..
Ia vlen gjithçka.
Dashuria ime është edhe si liqeni
E qetë, e butë dhe e pandryshuar
Pasqyrë e shpirtit të dashuruar
Ulu dhe vëzhgo si përhapen rrathët ritmike
Sa herë që në mua depërton shpirti yt.
Magjia jote përmbush zemrën time
Eci nëpër ëndërr me valixhen perlë
Në të, vetëm kujtimet lundrojnë.
Sa të bukura që janë.
Shumë.
Poezi nga Jeta Bardhi