Nitti Bronx dhe DJ Pancho, dyshja më e re e estradës

Reperi Nitti Bronx dhe DJ Pancho kanë vendosur që karrierën e tyre ta vazhdojnë me realizimin e përbashkët të këngëve. Pjesë e grupit të tyre do të jetë edhe producenti Elvir Behrami. Kështu së paku ka konfirmuar vet DJ Pancho, i cili në një intervistë për gazeten Tribuna ka folur edhe rreth idesë së bashkëpunimit si dhe për planet e tyre të mëtutjeshme

Talenti dhe suksesi i deritanishëm i reperit Nitti Bronx ka bërë që shumë producentë, kompani muzikore dhe DJ të ndryshëm të interesohen që të punojnë më të. Por Nitti tashmë ka zgjedhur se më kë t’i realizojë këngët e tij. Është DJ Pancho ai që me punën e tij e ka bindur reperin se ja vlen që të punojnë së bashku. Edhe profesionalizimi i producentit Elvir Behrami ka bërë që këta tre djem të bëhen së bashku dhe të sjellin projekte të reja muzikore. Në një bisedë për gazetën Tribuna, Dee Jay i këtij grupi ka shpalosur shumë detaje për funksionalizimin e punës së tyre.

Tribuna: Pse keni vendosur që të bashkëpunoni me reperin Nitti Bronx?
DJ Pancho: Nittin e njoh qysh moti dhe në shumë koncerte kemi qenë së bashku, por arsyeja kryesore e bashkëpunimit ka qenë takimi në klipin e fundit të tij ‘1 Milion probleme’. Që nga aty kam parë që Nitti ka shumë talent prandaj ka ardhur ky bashkëpunim. Në fakt, neve na ka takuar producenti Elvir Behrami i cili tashmë është bërë edhe pjesë e grupit tonë dhe prej atij klipi kanë vazhduar bisedimet mes nesh që të vazhdojmë tutje.

Tribuna: Deri kur do të zgjasë ky bashkëpunim mes jush?
DJ Pancho: Nuk kemi menduar që të kemi kontratë që do të caktonte deri sa do zgjasë bashkëpunimi. Deri tani çdo gjë është duke ecur mirë dhe mendojmë që ky bashkëpunim të jetë afat gjatë sepse kemi plane të mëdha dhe nuk mendojmë me u ndal. Madje, nuk do ta quaja bashkëpunim mes nesh, sepse ne jemi një grup i vërtetë që i ka munguar Mitrovicës dhe gjithë Kosovës.

Tribuna: Si do t’i ndani përgjegjësitë?
Dj Pancho: Përgjegjësitë vetëm i kemi nda, Nitti do merret me tekstet, incizimet ndërsa unë do merrem me realizimin e ‘beatve’ dhe miksimeve, kurse Elviri do t’i realizojë klipet. Sa u përket përfitimeve s’do të flisja tani për to, pasi që gjithçka do jetë si grup dhe gjithçka do ndajmë si grup.

Tribuna: A do t’ju lejohet të keni bashkëpunime me këngëtarët tjerë të estradës?
DJ Pancho: Po gjithsesi që do të bashkëpunojmë edhe me këngëtarët tjerë të estradës, por fillimisht do të fillojmë me projekte vetëm të grupit. Po ashtu, duhet që të bisedojmë mes vete, pastaj nëse jemi dakord si grup pse mos të ketë bashkëpunime me kolegët tjerë.

Tribuna: Cilat janë planet tuaja konkrete?
DJ Pancho: Planet tona janë që të startojmë menjëherë me përgatitjen e projekteve, duke filluar kështu nga një klip i cili do të fillojë të realizohet në ditët në vazhdim dhe që pritet të publikohet në fundi të muajit dhjetor.

Tribuna: Po koncertet e para kur do t’i filloni?
PJ Dancho: Koncertet e para do t’i nisim në fund të muajit apo thënë më mirë për festat e fundvitit për të cilat kemi oferta të shumta. Koncertet fillimisht do të nisin në Kosovë, por nuk i dihet, mbase do të vazhdojmë edhe jashtë vendit.

Tribuna: A do të merrni pjesë në ndonjë festival?
DJ Pancho: Për fillim kemi menduar që të merremi vetëm me krijimin e këngëve dhe klipeve, po ashtu edhe me pjesëmarrje në koncerte. Tani për tani nuk kemi plan që të marrim pjesë në ndonjë festival që organizohet në vend, por me kalimin e kohës do merremi edhe me ketë çështje dhe do të shohim se si do t’ia bëjmë.

Lajme të ngjashme

Back to top button