Policia arrestoi liderin shqiptar të ‘Banda me Kallashnikovë’

Vrisnin, vidhnin dhe qëllonin pa mëshirë. Kjo do të mund të ishte në mënyrë koncize veprimtaria e një bande të pamëshirshme dhe të rrezikshme, që u emërtuan nga media dhe policia greke, “Banda me Kallashnikovë”. Dhe kjo për faktin se arma kryesore e tyre ishte Kallashnikovi, me të cilën kryenin krimet, shkruan Gazeta Shqiptare.

Por, policia ka mundur të arrestojë 2 nga pjesëtarët e bandës, një 26-vjeçar dhe një 29-vjeçar në Gifadha dhe Pangrati. Të dy janë shtetas shqiptarë. Lider i bandës ishte 26-vjeçari, i cili armatoste pjesëtarët e tjerë të bandës, organizonte operacionet dhe ishte prezent në të gjitha aktet e dhunshme të bandës. Ndërsa në muajin mars u arrestuan edhe 5 anëtarë të tjerë.

Në katërvjeçarin e fundit kanë në historikun e tyre një vrasje, 17 grabitje të armatosura në banesa, 18 grabitje me armë në sipërmarrje, magazina e banka, një grabitje banke, 7 përleshje të armatosura, nga të cilat gjashtë me policinë, gjashtë grabitje dhe thyerje banesash dhe dyqanesh floriri dhe 17 grabitje makinash.

Banda, e cila përbëhet nga tetë shtetas shqiptarë, kishte fushë veprimi dhe mbretëronte në lagjet jugore të Atikës, Kesariani, Pangrati, Virona, Nea Zmirni, Neo Kozmo, Paleo Faliro, Iliupoli, Argjirupoli, Glifadha dhe Eliniko…

Kur hynin nëpër banesa për të vjedhur neutralizonin banorët, i lidhnin, u mbulonin fytyrat me çarcafë, kuverta apo peshqirë, që të mos i njihnin.

Në mënyrë që të mos njiheshin nga fytyra apo edhe nga tatuazhet që kishin në duar apo trup, banditët vishnin gjithmonë bluza me mëngë të gjata, futer, apo edhe kasko, që të mbulonin fytyrën.

Sipas policisë, e cila është e rezervuar në dhënien e informacioneve, shumë shpejt do të arrestohen edhe personat e tjerë të bandës, idenditeti i të cilëve është mësuar tashmë.

Lajme të ngjashme

Back to top button