Punëtorët vendas – pa të drejta dhe në harresë

As në temperaturat që arrijnë 36 gradë celsius nuk mund t’i ngrohin gishtat që iu ngrinë dimrin e kaluar duke përpunuar kërmijtë e ngrirë në fabrikën e ushqimeve të ngrira në Negotinë. Femrat punëtore të cilat punuan me përkushtim që nga një nëntori e deri më 13 dhjetor të vitit të kaluar, tetë muaj më vonë u mblodhën para gjykatës së Velesit. Treguan ditët e kaluara në punë dhe si mbetën pa rrogë. Ndërkohë ato kërkuan ndihmën e institucioneve të shtetit, por deri më sot nuk e fituan ndihmën e kërkuar.

Pjesa më e madhe e punëtorëve janë femra që kanë kaluar moshën 50 vjeçe. Ato jetojnë vitet para daljes në pension dhe vijnë nga familje pa të ardhura mujore. Për BIRN këto femra tregojnë se varfëria i detyroi të punojnë për mëditje. Sipas tyre, një pjesë e kolegeve pranuan të punojnë vetëm e vetëm të sigurojnë para për barnat.

Punëtorja me emrin Aleksandra Bogdanova rrëfen historinë tragjike të një kolegeje, e cila ndërroi jetë pa e marruar betejën e rrogës.

„Na gënjejnë vazhdimisht. Na thonë do merrni rrogat në fillim të muajit. Pas kalimit të fillimmuajit na thotë që do marrim rrogat më datë 15. Megjithatë, deri më sot nuk kemi marrë rrogat. Më vjen shumë keq për një kolegen tonë. E shkreta vinte në punë në gjendje të rëndë shëndetësore për të siguruar paratë që i duheshin për ilaçe. Për fat të keq ajo ndërroi jetë pa arritur të marrë paratë e rrogës“, thotë Aleksandra.

Rrogat ndërkohë presin tetëdhjetë femra që punuan në fabrikën në Negotinë. Të gjitha ato kanë nënshkruar kontrata në vepër, të cilat sipas avokatit që e kanë angazhuar për të mbrojtur të drejtat e tyre para institucioneve nuk janë të vlefshme.

Duke nisur kërkimin e të drejtave të tyre, femrat punëtore fillimisht i trokitën derës së Inspektoratit shtetëror të punës në Veles, punonjësit e të cilit nisën t’i çojnë nga një derë në një derë tjetër, sikur të ishin një paketë që nuk do ta pranojë askush.

– Në Inspektoratin shtetëror të punës në Veles na thanë të drejtohemi në inspektoratin e Kavadarit sepse ai qenka përgjegjës për çështjen tonë. Inspektori i Drejtorisë së të hyrave publike në sugjeroi të dërgojmë një letër të rekomanduar në drejtorinë e Shkupit, por deri më sot nuk kemi fituar përgjigje. Ndërkohë avokati ynë na sugjeroi të dërgojmë një paralajmërim, me të cilin do t’ua bëjmë me dije se do të ngremë një padi penale. Për këtë punë juridike na kërkuan nga katër mijë denarë, por për fat të keq ne nuk jemi në gjendje të paguajmë këtë shumë”, tha Bogdanova.

Ku është Inspektorati i punës?

Në Maqedoni puna pa pagesë është bërë përditshmëri për një numër të madh punëtorësh, megjithëse në fakt kemi të bëjmë me shkeljen e dispozitave ligjore. Sipas Ligjit të marrëdhënieve të punës (neni 109), rroga mujore duhet paguar brenda intervaleve kohore që nuk mund të jenë më të gjata se një muaj, më së voni deri më datën 15 të muajit të radhës, ndërsa në raste e ndryshimeve të caktuara, që mund të ndodhin në ditën e realizimit të pagesës, punëdhënësi ka për detyrë të njoftoj me shkrim punëtorët me ndryshimet konkrete. Në rastet e veprimit në një mënyrë tjetër punëdhënësi rrezikon të gjobitet me një gjobë prej dy deri në tre mijë euro, ndërsa me 500 deri në 1000 euro do të gjobitet drejtori i subjektit juridik (neni 265).

Ndërkaq, sipas ligjit, Inspektorati i punës ka për detyrë të kontrollojë subjektin juridik, nëse një gjë të tillë do të kërkojnë punëtorët, të cilëve u janë shkelur të drejtat e punës dhe të sanksionojë pronarët që nuk kanë respektuar të drejtat e punëtorëve.

BIRN bëri përpjekje për të kontaktuar me Inspektoratin e punës dhe të kërkojë sqarime lidhur me reagimin e vetë inspektoratit dhe masat që janë marrë në rastin konkret. Megjithatë institucioni në fjalë nuk e pa të arsyeshme t’u përgjigjet pyetjeve tona që u parashtruan në përputhje me Ligjin e qasjes së lirë në informatat, pyetje këto që u dërguan më 7 korrik dhe as pyetjeve të mëvonshme që i dërguam në formë elektronike.

Deri më sot inspektorati përkatës nuk ka dhënë përgjigje lidhur me masat që janë marrë pas denoncimit që kanë bërë punëtorët kudër fabrikës së ushqimeve të ngrira. Pas kalimit të 30 ditëve që janë paraparë me ligj ushtruesi i detyrës drejtor i Inspektoratit të punës nuk iu përgjigj as pyetjeve që i dërguam me postë elektronike.

Arsyetimin e veprimit të tillë, nëse mund ta quajmë ashtu, e fituam me një bisedë telefoni me këshilltarin e koordinimit, pranë Ministrisë së Punës dhe politikës sociale, Zorica Xhingova, e cila njoftoi se informatat lidhur me rastin konkret nuk mund të fitohen sepse në proçesverbalet përkatëse paraqiten numrat personal të punonjësve, publikimi i të cilave është ndaluar me ligj.

Në kohën kur inspektorati përkatës kujdeset shumë për numrat personal të punëtoreve, ato vazhdojnë të presin rrogat. Sot ato punojnë në firma të tjera, ndërsa ish punëdhënësi i tyre vazhdimisht kërkon punëtor të rinj sezonal.

Pronarët mund të rinë rehat

Punëtorët me të cilët kontaktoi BIRN tregojnë se si nuk është e mundur të jetosh pa para një muaj e jo më një vit. Rreth pesëdhjetë femra që kanë punuar si shitëse buke, punonjës furrash, magazinierë dhe shumë pastruese mbetën rrugëve, duke pritur 12 deri në 14 rrogat që nuk i fituan në kohën e duhur.

Me një stazh pune prej 28 vitesh 55-vjeçarja Todorka S. mbeti pa punë dhe pa para. Firma në të cilën punoi ajo sot i detyrohet 13 rroga. Ajo sot merr një pagesë si tepricë teknologjike, por sqaron se vetëm ajo e di se si ka arritur të mbijetojë pa para për një vit me radhë.

– U ankuam tek kryetari i komunës, në sindikatë dhe në Inspektoratet e punës. Zyrtarët e inspektoratit të punës mua më sqaruan se unë si një individ nuk mund të bëj asgjë. Më sugjeruan të mblidhemi më shumë vetë, që ankesa të ketë efekt”, tha Todorka.

Ne ndërkohë kërkuam përgjigjen e Inspektoratit shtetëror të punës lidhur me tolerancën e treguar për pronarët e “Zhito Vardar”, të cilët nuk paguan rregullisht punëtorët. Megjithatë, përgjigje nuk fituam as në këtë rast.

Duke u nisur nga mosangazhimi i inspektorëve të punës në këto raste, mund të kuptohet mosrespektimi i ligjit nga ana e pronarëve dhe menaxherëve të fabrikave dhe pse ato nuk frikësohen nga gjobat. Me një sjellje të tillë të institucioneve ato mund t’i lejojnë vetes të shkelin ligjin. Ndërkaq jo çdo punëtor është i gatshëm të denoncoj shkeljen e të drejtave në vendin e punës. Në rastet e denoncimit të shkeljeve, ekziston mundësia që inspektori përkatës të mos sanksionojë pronarin, ndërsa në rastet e sanksionimit gjobat janë të ulëta.

Gjoba maksimale që është paraparë për punëdhënësit është 4.000 euro, ndërsa në rastet e detyrimeve ndaj më shumë punonjësve gjobat janë shumë më të larta. Sipas sqarimeve të Zdravko Saveskit, një aktivist që merret me të drejtat e punëtorëve, për katër mijë euro ia vlen të rrezikohet.

– Inspektorët e punës nuk kanë shumë kompetenca, gjobat që i shqiptojnë ato janë relativisht të ulëta, ndërsa midis vetë punëtorëve ekziston mendimi se inspektorët janë të korruptuar dhe se pranojnë paratë ose dhuratat e punëdhënësve. Dhe si mund t’u besojnë inspektorëve kur për to ekziston një mendim i tillë?”, sqaron Saveski.

Statistika dhe të vërteta të ndryshme

Gjatë kohës së heshtjes së Inspektoratit të punës, sindikata rajonale në Veles konfirmon që kemi të bëjmë me shkelje drastike të të drejtave të punëtorëve.

Për të kërkuar ndihmën e sindikatës, kësaj organizate më shumë i drejtohen punëtorët të cilëve nuk u janë paguar kontributet për punën jashtë orarit të punës, kontributet për angazhimin e tyre gjatë fundjavave ose gjatë festave, për angazhimin e tyre gjatë turnit të tretë dhe ato të cilëve nuk u janë paguar sipas rregullit kontributet e rrogës, më saktësisht ato që sigurohen me rrogë minimale, pa dallim të kualifikimeve ose arsimit që kanë mbaruar. Gjithashtu, ekzistojnë edhe raste kur firmat nuk u paguajnë punëtorëve kontributet e sigurimit shëndetësor dhe pensional për periudhën e pushimeve vjetore.

„Gjithçka fillon me kontratën e punës, të cilën nuk u jepet pjesës më të madhe të punëtorëve. Punëtorët firmosin një letër të bardhë, që në shumë raste rezulton me shkelje”, thotë kryetari i Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë për Velesin, Sebedin Shaqirov.

Statistika e Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë tregon se gjatë periudhës mars-qershor të këtij viti nga ana e punëtoreve të fabrikës së ushqimeve të ngrira kanë ngritur 64 padi, me të cilat kërkojnë t’u paguhen rrogat.

Për të njëjtën gjë padi kanë ngritur edhe tre ish punëtorë të “Drekslmajer”, ndërsa dhjetë kolegë të tyre ankohen për marrjen e vendimeve për përjashtim nga puna pa afatin ligjor që është paraparë për këtë çështje. Gjithashtu, me ndihmën e gjykatës rrogat i kërkojnë edhe 14 punëtorë që kanë punuar në “Zhito Vardar”.

Si rezultat të presioneve të pronarëve për të mos protestuar, dhjetë punëtorë të fabrikës së tekstilit “Dimko Mitrev” dhe dy punëtorë të tjerë të fabrikës së automjeteve me shina “Kolska”, që funksionojnë në Veles, kanë ngritur padi penale, që do të thotë se për të drejtat e tyre do të vendos gjykata.

Një punonjës i Institucionit shëndetësor publik Spitali i përgjithshëm në Veles, i moshës 59 vjeçe, me ndihëm e sindikatës arriti të vërtetojë se ai nuk mund të punojë turnin e tretë si rezultat të shëndetit të dobët. Në rastin e tij gjykata veproi në përputhje të Ligjit të marrëdhënieve të punës, duke vendosur që punëdhënësi ka për detyrë të marrë parasysh moshën e punonjësit dhe ta pyes atë nëse ndihet i aftë për të punuar natën.

Këto raste nuk mund të gjenden në evidencat e Inspektoratit shtetëror të punës, që janë publikuar në ueb faqen zyrtare të vetë institucionit. Në “listën e zezë” të inspektoratit gjendet vetëm fabrika e ushqimeve të ngrira në Negotinë. në raportin e muajit shkurt të këtij viti është shënuar se kjo firmë ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e marrëdhënieve të punës, më saktësisht në kundërshtim të nenit 258 dhe se kundër saj është ngritur një procedurë kundërvajtjeje.

Për çështjen në fjalë inspektorët sugjerojnë të kontrollohen statistika edhe shifrat e publikuara në ueb faqen e Ministrisë së punës dhe politikë sociale. Sipas të dhënave që përmbajnë shumë shifra, gjatë tre tremujorëve të parë të vitit të kaluar janë realizuar 20.791 kontrolle, të rregullta dhe me kërkesë të punëtorëve, janë zbuluar 774 punëtorë të paparaqitur dhe janë ngritur 470 kërkesa për nisjen e procedurave të kundërvajtjes. Ndërkaq, mungojnë të dhënat lidhur me rezultatet e procedurave përkatëse, por duke vlerësuar sipas zhvillimeve brenda kantiereve dhe ndërmarrjeve nuk është e vështirë të supozohet se masat e disiplinimit ose sanksionimit nuk kanë japin asnjë efekt edhe në rastet e shqiptimit të tyre.

Protestat lejohen vetëm në letër

Përditshmëria e punëtorëve vendas tregon se me to sillen njësoj si pronarët vendas, po ashtu edhe pronarët e huaj. Të gjithë ato gjejnë boshllëqet ligjore të Ligjit të marrëdhënieve të punës dhe nuk respektojnë kontratat kolektive. Kompania “Zhito Vardar” është një kompani vendase, fabrika e ushqimeve të ngrira në Negotinë është një subjekt me kapital të përzier, ndërsa “Drekslmajer”, e cila funksionon në Kavadar, është një kompani me kapital të huaj.

– Dua të theksoj se pjesa më e madhe e pronarëve të firmave nuk lejojnë organizimin e punëtorëve në formën e një sindikate. Pikërisht ky moment vështirëson punën tonë sepse në këtë mënyrë ne nuk jemi në gjendje të ndihmojmë punëtorët kur ato drejtohen tek ne për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre. Në një rast të tillë ne kemi mundësi t’u ofrojmë vetëm ndihmë juridike falas”, sqaron Shaqirov.

Ndërkaq, në rastet kur mllefi që ka të bëj me shkeljen e të drejtave do të arrijë kulmin dhe do të rezultojë me protesta, ekziston mundësia e shkeljes së dispozitave të ligjeve përkatëse që rregullojnë të drejtën e protestës nga ana e vetë punëtorëve, moment ky i cili nga ana e punëdhënësve mund të shfrytëzohet për ndëshkimin e vetë punonjësve, përveç në rastet kur ato janë ekspertë ligjor!

Për sa i përket Ligjit të marrëdhënieve të punës ai parasheh një sërë detyrimesh që duhen plotësuar nga ana e punonjësve gjatë kohës së organizimit ose zhvillimit të një proteste. Megjithatë ky ligj nuk është i vetmi i këtij lloji. Ekzistojnë edhe të paktën 13 ligje të tjera, me më shumë ose më pak rëndësi, që rregullojnë të drejtën e protestës në një fushë të caktuar.

– Dhe pastaj na thonë se e drejta e protestës ose grevës është garantuar me Kushtetutë! Ndoshta është paraparë me Kushtetutën e vendit, por rregullimi i kësaj të drejte me ligjet përkatëse të krijon përshtypjen se ka pasur një synim për ta bërë sa më pak të rëndësishme të drejtën e protestës, një e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë, ndërsa punonjësit të kenë vetëm të drejtë deklarative për të ngritur zërin kundër shkeljeve”, thotë Saveski.

Revolta e Dean S., me banim në Veles dhe Stojna T., banore e Kavadarit, ish punonjës të “Drekslmajer” kulminoi me një protestë. Ato të dy kërkojnë t’u paguhen mëditjet për ditët e punuara gjatë festave, mëditje këto që u janë premtuar nga ana e punëdhënësit. Të dy janë pjesë e punëtorëve të nderimit të natës që protestuan dhe mbetën duarbosh. Pas protestës ato mbetën pa punë. Ndërkohë u ankuan në Inspektoratin e punës, por gjashtë muaj më vonë ato nuk kanë fituar asnjë njoftim të vetëm nëse inspektorët kanë kontrolluar ish punëdhënësin e tyre. Të gjithë punëtorët e larguar nga puna kanë nisur një proces gjyqësor kundër firmës.

– I kam paditur sepse më larguan nga puna pa e respektuar afatin ligjor që është paraparë për këtë çështje dhe sepse morra pjesë në protestë, që në fakt bie ndesh me Ligjin e marrëdhënieve të punës. Paraprakisht unë kërkova edhe ndihmën e Avokatit të Popullit, por institucioni në fjalë mu përgjigj se nuk mund të intervenojë sepse bëhet fjalë për një investitor të huaj. Megjithatë Avokati i Popullit premtoi se do të kërkojë informacionet e nevojshme nga Inspektorati shtetëror i punës lidhur me rastin konkret. Deri më sot unë nuk kam fituar një përgjigje konkrete lidhur me përgjigjen ose informatën që e ka dhënë inspektorati për nevojat e Avokatit të Popullit lidhur me rastin tim dhe të kolegëve që u larguan nga puna”, thotë Deani.

– Unë kam një dokument të lëshuar nga vetë fabrika, me të cilin është paraparë që pas kalimit të tre muajve mua me automatizëm të më vazhdohet marrëdhënia e punës për një vit. Këtë dokument do ta jap si provë në gjykatë dhe do të nis një procedurë me të cilën do të vërtetojë se nuk mundet të më largojnë nga puna”, sqaroi Stojna, banuesja e Kavadarit.

Deani dhe Stojna janë të gatshëm ta çojnë deri në fund “betejën” e nisur kundër punëdhënësit dhe institucioneve vendase, ndërsa në rastet e dështimit brenda vendit do të drejtohen në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strazburg.

Teksti është përgatitur si pjesë e Projektit për gazetari hulumtuese dhe bashkëpunim mes mediave dhe sektorit qytetar.

-Progam i USAID-it për forcimin e mediave të pavarura në Maqedoni. – Këtë projekt e implementon BIRN Maqedoni, në bashkëpunim me Qendrën për komunikime qytetareQendrën për gazetari hulumtuese “SCOOP Maqedoni“ emisionin hulumtues “Kod” dhe gazeta ditore “Koha”.

Lajme të ngjashme

Back to top button