Hoxhaj në Bratislavë: Duam marrëveshje paqeje me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën sllovake Pravda, ka thënë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

Ai pohoi se Kosova dëshiron që me Serbinë, përpara se kjo e fundit t’i bashkohet BE-së, të arrijnë një marrëveshje paqeje.

“Dialogu nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Kjo duhet të na dërgoj diku. Para se Serbia t’i bashkohet BE-së, duhet të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme rreth marrëdhënieve tona. Ky është një term i përdorur edhe nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Hoxhaj, transmeton Telegrafi.

Ai ka deklaruar se Kosova dëshiron të nënshkruaj një marrëveshje paqeje me Serbinë, e cila “një herë e përgjithmonë do të mbyll një kapitull njëqindvjeçar të konfliktit”.

“Kjo duhet të na dërgojë drejt njohjes së Kosovës si shtet të pavarur. Pranimin tonë në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB -në dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ndër të tjerash, Hoxhaj.

Në një intervistë gjatë vizitës së tij në Bratislavë, të kryer gjatë fundit të muajit tetor, megjithatë, Hoxhaj e pranoi se Serbia nuk e ka njohur Kosovën, por se ajo ka pranuar ekzistencën e saj politike. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button